Braçe: Çfarë ka bërë kryeprokurori me dosjen e “Albpetrolit”?

Komentet deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe i bëri ndërsa në Shqipëri është rritur vëmendja,  mbi veprimtarinë në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës, pasi pati shitje të aksioneve të kompanisë “ARMO” nga “Taçi Oil” në pronësi të biznesmenit Rezeart Taçi, te kompania “Heaney Assets Corporation” nga Azerbajxhani

Denion Ndrenika

Opozita socialiste, në prag të ardhjes në pushtet pas 8 vjetësh, meqë fitoi zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013, ka akuzuar vazhdimisht Partinë Demokratike, kryeministrin Sali Berisha dhe qeverisjen e tyre me aletët se me “Albpetrolin”, kompania shtetërore të nxjerrjes së naftës, kanë shitur interesat e vendit. Deputeti Erjon Braçe thotë se nga qeveria ka përpjekje për “dorovitje të aseteve 1 miliard dollarëshe që qeveria do të shiste 1 muaj më parë”. Në profilin e tij në rrjetin shoqëror fejsbuk (facebook), zoti Braçe kujton se “Albpetrol” aktualisht zotëron të gjitha të drejtat për kërkim, zbulim, zhvillim dhe shfrytëzim të zonave naftë dhe gaz-mbajtëse”, por vëren se “qeveria pritet të mblidhet sot për t’i hequr këto të drejta “Albpetrolit” edhe në ato 2 nga 9 zonat naftë dhe gaz-mbajtëse, duke ia kaluar ato kompanive private”. Katër herë radhazi i zgjedhur deputet, përfshi më 23 qershor, zoti Braçe i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme denoncim për ta hetuar çështjen e “Albpetrolit”.
Mbi këtë çështje zoti Braçe i tha gazetës “Illyria” më parë se Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kur flet për korrupsionin, duhet të thotë se çfarë ka bërë me denoncimin e tij për “Albpetrolin”. Zoti Braçe thotë se veprimi i qeverisë, apo “akt” siç e quan, “duhet ndalur pasi çon në duar të panjohura dhe tërësisht klienteliste administrimin e naftës dhe gazit të vendit”: “Duhet paralajmëruar që sot që do të zhbëhet. Pasuria e shqiptarëve nuk duhet dorovitur kështu! Ata që e përgatiten këtë akt, duhen ndjekur penalisht, nga i pari tek i fundit”.
“Albpetroli” u privatizua për 800 milionë euro, por deri në fund të vitit 2012, amerikanët e “Vetero Energy” dhe partneri i tyre “Taçi Oil” nuk dorëzuan shumën e detyrueshme 10 për qind të vlerës së përgjithshme, duke shtyrë shtetin që të mos e pranonte tenderin duke anulluar njëkohësisht procesin e privatizimit.
Komentet zoti Braçe i bëri ndërsa në Shqipëri pati shitje të aksioneve të kompanisë së përpunimit të naftës “ARMO” nga “Taçi Oil” në pronësi të biznesmenit Rezeart Taçi, te kompania “Heaney Assets Corporation” nga Azerbajxhani. Me vendimin e 3 shtatorit 2008, të Këshillit të Ministrave, 85 për qind të aksioneve të “ARMO”-s i merrte “Taçi Oil” dhe 15 u mbante shteti shqiptar. Asokohe  vlera e privatizimit ishte 128 milionë euro.
Në vitin 2013, Shqipëria pret ta ketë 18 për qind më shumë prodhimin e naftës. Ky do të jetë një nivel i lartë në tërësinë përparuese të të këtij sektori strategjik. Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e përkthyer në shifra niveli prej 18 për qind i parashikimit të vitit 2013 është 1,200,000 ton, pra 1 milionë e 200 mijë. Ndonëse niveli ruan rritje të vazhdueshme, me krahasimin e viteve 2005-2009-2013 ajo përqindje, pra 18-a, është më e ulëta. Kështu, në vitin 2005 Shqipëria pati prodhim vendas të naftës bruto 448,040 ton, si pikë mbështetëse për të njëjtin prodhim vendas të vitit 2009 krahasimisht që është 577, 301 ton pra 29 për qind rritje. Në vitin 2012 prodhimi vendas i naftës bruto ishte 76 për qind që përkon me shifrën 1,015,220 ton, pra më shumë se 1 milionë ton. Mandej, kemi parashikimin 1 milionë e 200 mijë ton të vitit 2013 me 18 për qind rritje. “ARMO” është shoqëria e vetme shqiptare e përpunimit të naftës dhe prodhimit të karburanteve. Ajo është themeluar në vitin 1999 dhe kapitali i saj, në vitin 2008 kur është publikuar bilanci ishte rreth rreth 43 milionë euro. Asetet kryesore të “ARMO”-s janë dy rafineritë e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh dhe në Fier, të ndërtuara rreth 40 vjet me parë. Për vitin 2007, “ARMO” raportoi të ardhura në vlerën 14.8 miliardë lekë, një fitim prej 1.7 miliardë lekësh dhe një normë fitimi 11.5%, tani rreth 6 vjet më vonë nuk ka të dhëna të sakta të publikuara në lidhje me fitimin e kompanisë.

Comment

*