Bregdeti i Shqipërisë nga vështrimi i pushueseve kosovarë

Reportazh nga Velipoja, qyteti buzë detit, plazhit, qyteti i krijimit të dashurive, miqësive, njohjeve të reja, qyteti i zhurmës dhe afër Bunës, qyteti që ditën ofron kaltërsi, e natën ngjyra kuq e zi

 

Bekim Salihu

PRISHTINË – VELIPOJË, korrik 2013 – Vargjet e këngës së vjetër “Oj Shqipëri mos thuaj mbarova se i ke djemtë nga Kosova” mund të dëgjohen akoma në disa nga skajet e plazhit të Velipojës. Këto vargje të cilat pasqyronin në një kohë të shkuar motive patriotike, mund të kenë kuptim edhe tani, por për arsye turistike, ngase banorët e Velipojës shprehen se pa pushuesit kosovarë nuk do të arrinin t’ia dilnin.
“Kosova nuk ka deti, Kosova ka kodra, ejani bleni lodra” thoshte në mes të plazhit të Velipojes njeri nga shitësit e lodrave për fëmijë. Për veç detit asgjë tjetër nuk e bënë Velipojën të dalloj nga Kosova. “Qebaptorja Prizreni”, “Çajtorja Kosova” “Byrektorja Hasani e Gostivari” e dhjetëra biznese të tjera nga Kosova tani me ofronin shërbime për myshterinjtë e tyre në mes të Velipojes, qytet ky në jug të Shkodrës.
Ndonëse plazhi dukej i stërmbushur me pushues, nikoqirët, nuk u dukeshin të kënaqur me numrin e tyre.
“Vjet ka pasur dhjetërafish më shumë” u shprehte Mazlum Gudija i cili shtëpinë e tij dykatëshe e kishte venë në dispozicion të pushuesve. Ai ‘zbardh’ edhe faktorët, që sipas tij, kanë ndikuar në numrin jo të madh të pushueseve këtë vit. “Në Kosova ka rastisur që kjo periudhë të jetë muaji i Ramazanit dhe po ashtu nuk duhet anashkaluar edhe faktorin ekonomik i cili i bënë shumë persona ta privojnë veten nga shkuarja në pushim” është shprehur Gudija.
Ai, ndonëse ketë vit e konsideron jo piedestal për turizmin veror, prapë ka një shpresë që ky vlerësim i tij mund të përmbyset. “Përfundimi i muajit të Ramazanit në Kosovë në fillim të Gushtit mund të sjellë fluks të madh pushuesit” shprehet me optimizëm Mazlum Gudija nga Velipoja.
Përderisa nikoqirët shikonin numrin e pushueseve, ketë të fundit të vetmet numra që shikonin ishin ato të çmimeve.
“Kostoja e jetës këtu është e njëjtë ose edhe me e lirë se në Kosovë” ka thënë Bashkim Lokaj i cili nga qyteti i Gjakovës po qëndronte në ditën e nëntë të pushimit të tij në Velipojë.
Ai thotë se ky qytet në tri vitet e fundit ka bërë investime të mëdha në shumë drejtime, gjë cila ka ndikuar pozitivisht edhe tek pushuesit. “Ka pesë vite që këtu i kaloj pushimet. Në fillim nuk ka pasur stazë për këmbësor, ndriçim gjatë natës, lokale rekreative dhe qendra sportive, ndërsa tani i shoh gjithë këto dhe kjo e rritë vullnetin tonë për të ardhur me shpesh këtu” ka pohuar Lokaj.
Ai megjithatë ka një porosi për udhëheqësit e Velipojes dhe të Shqipërisë. “Shqiperia ka potenciale te medha te zhvillimit te turizimit dhe mund te kthehet ne nje qender evropiane te turizmit veror. Shqipëria nuk duhet ta këtë për fokus tërheqjen e turisteve vetëm nga Kosova, por edhe nga shtete e tjera e veçmas nga shtetet e Bashkimit Evropian” ka theksuar Lokaj, teksa nuk shprehet i sigurt të ketë takuar ndonjë pushues në Velipojë i cili ka ardhur nga këto shtete. “Mund të këtë pasur, por nuk kam hasur t’i takoj” ka thënë Bashkim Lokaj.
Përderisa ky i fundit kërkon standarde për t’i tërhequr edhe për pushuesit nga BE-ja, Saranda Ymeri e cila me tri shoqet e saj kishin zgjedhur plazhit e Velipojës për të marr rreze dielli, mendon se këto standarde Shqipëria tani me i ka arritur. “Ne kemi prirje t’i shohim të tjerët me nostalgji dhe t’i nënvlerësojmë kushtet dhe natyrën tonë, por ujin, zallin dhe natyrën që e has në Shqipëri nuk të sheh syri askund në shtetet e rajonit” ka pohuar Saranda.
Kjo e fundit ndonëse emrin e ka nga një qytet i Jugut të Shqipërisë i cili njehet për bregdet të veçanet, ka zgjedhur Velipojen jo krejt rastësisht. Ajo ka një motiv më shumë se për ta shijuar ujin, detin dhe plazhin. “Në Velipojë kam takuar dashurin e jetës, me të cilin tani jam e fejuar” shprehet Saranda.
Ndërsa, Albert Maqastena i cili nga Prishtina po pushonte në Velipojë, shprehet i sigurt për të ardhmen e ndritshme që e pret ketë qytet apo lokalitet. “Gradualisht njerëzit nuk do të kenë mundësi për pushime javore e dhjetë ditore, do të fillohet të aplikohet sistemi i pushimit gjatë vikendit dhe distanca me e shkurt për në bregdet me Kosovën është Velipoja dhe Shëngjini dhe kësisoj këto plazhe do të jenë të favorizuara dhe të privilegjuara” ka parashikuar Maqastena.
Ai thotë së Shqipëria duhet të nxjerr mësime nga Durrësi. “Kosovarët në dhjetë vitet e fundit epiqendër kryesor të pushimeve e kanë pasur Durrësin, por kryesisht janë larguar nga ajo zonë shkaku i papastërtisë, guzhmës, ushqimit jo cilësor dhe mungesës se kushteve të tjera, prandaj nëse qytetet tjera dëshirojnë që t’i mbajnë pushuesit afër tyre, atëherë duhet reflektuar pastërti, siguri dhe rregull” ka pohuar Albert Maqastena.
Një karakteristik e vërejtur nga ky i fundit dëshmon kreativitetin e udhëheqëseve të Velipojës për t’i tërhequr pushuesit.
“Ketë vit janë hasur zona të ndara dhe ku secili sipas prirjes së tij ka mund të adaptohet. Zona e qendrës së qytetit u ka takuar fëmijëve të cilët kanë pasur shumëllojshmëri lodrash elektronike për t’u argëtuar. Zona përreth plazhit gjatë orëve të mbrëmjes shfrytëzohej kryesisht nga rinia, ngase pjesa më e madhe e lokaleve të natës ishin të përqendruara në atë zonë, ndërsa pak me larg qendres së qytetit kishte lokale të cilat mund të shfrytëzoheshin nga familjarët dhe nga njerëzit e shtyrë në moshë”, shpjegoi Maqastena.
Qyteti buzë detit, plazhit, qyteti i krijimit të dashurive, miqësive, njohjeve të reja, qyteti i zhurmës dhe afër Bunës, qyteti që ditën ofron kaltërsi, e natën ngjyra kuq e zi, po përmbushte kërkesat e shumë kosovarëve. Ata nuk duan që të ndahen nga Shqipëria dhe bregdeti i saj, por ata njëkohësisht duan që Shqipëria të ndahet nga lajmet e këqija nga vëllavrasjet, tensionet e përshkallëzimet.

Comment

*