Bregu premton mbështetjen Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për vendet e Ballkanit

Shkup, 21 janar 2019 – Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, arriti në Shkup, për takime me zyrtarë të lartë të shtetit.

Zonja Bregu,  pas takimit me zëvendës-kryeministrin e Maqedonisë të ngarkuar me çështjet evropiane, Bujar Osmani, shprehu kënaqësinë e mbështetësve të rrugës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor për votimin e ndryshimeve kushtetuese për çështjen e emrit të Maqedonisë. Ajo vuri në dukje angazhimet e Këshillit që drejton për ndihma konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor, në fushën e tregtisë, të investimeve, të mobiliteti dhe të digjitalizimit.

Zonja Bregu bëri të ditur se sot ka filluar bisedimet me përfaqësues të të gjitha vcendeve të rajonit për njohjen reciproke të titujve dhe të diplomave.

“Unë kam hapur sot në mëngjes raundin e dytë të bisedimeve me negociatorët e të gjitha vendeve për një nga marrëveshjet e cila është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, është ajo për njohjen e titujve dhe të diplomave”, tha ajo.

“Sot kemi filluar raundin e dytë të bisedimeve për katër profesione: mjekëve, dentistëve, arkitektëve dhe ingjinierëve”, shpjegoi ajo.

Ndërkaq, zëvendës-kryeministri Osmani, shfaqi shpresën se Maqedonia, pas ndryshimeve kushtetuese, do të bëjë hapa të shpejtë përpara drejt integrimeve euro-atlantike.

Maqedonia është ndër shtetet e para të rajonit që mori statusin e vendit  kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, qysh në dhjetor të vitit 2005, por kriza politike, ngecjet në fushën e sundimit të ligjit dhe shkalla e lartë e korrupsionit e bënë Maqedoninë të vendnumërojë në rrugën e integrimit evropian.

Autoritet shtetërore shpresojnë se sivjet do të hapen bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe se do të ftohet të bëhet anëtare e NATO-s. (r.m.)

Comment

*