BSH ul 50% paga dhe honorare të drejtuesve, deri në qershor nuk jepen fitime

Vendimi u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi një mbledhje online në datë 08 prill 2020 për të shqyrtuar disa masa të veçanta në kuadër të situatës së krijuar në vend nga COVID-19. Më konkretisht Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e vendimit “Për trajtimin e përkohshëm financiar mujor të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Administratorëve dhe drejtorëve të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”

Ky vendim miraton uljen me 50% të honorareve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe pagave të Administratorëve e Drejtorëve të Bankës së Shqipërisë, për periudhën e zgjatjes së epidemisë së koronavirusit, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekura.

  • Miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”

Në bazë të këtij vendimi pezullohet deri në fund të muajit qershor 2020, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, të fitimit të realizuar në vitin 2019 si dhe të fitimit që do të realizohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

  • Miratimin e vendimit “Për heqjen e komisioneve të aplikuara nga bankat për transfertat e kreditit në lekë formë jo letër nga klientët e tyre, si dhe të tarifave për pjesëmarrësit në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH të operuara nga Banka e Shqipërisë”, duke filluar nga data 10 prill 2020

Ky vendim ka për qëllim mbështetjen e klientëve të bankave për vijimin e kryerjes së pagesave të tyre në kushtet e kufizimit të lëvizjes dhe gjithashtu mimimizimit të rreziqeve nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave. Më konkretisht, ky vendim synon të bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve Homebanking nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi.

Njëkohësisht, në mbështetje të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë eliminon komisionet e aplikuara për përdorimin e sistemeve të pagesave të Bankës së Shqipërisë nga ana e bankave për të balancuar kostot e mbartura prej tyre.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Comment

*