Bunjaki: Berisha do ta këndellë përfaqësuesen e Kosovës

Prishtinë, 10 janar 2017 – Seleksionuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, shpreson  qëpër ndeshjen e radhës eliminatore, atë kundër Islandës, ta ketë në dispozicion disa lojtarë cilësorë, përfshirë sulmuesin kosovar të Melbourne Victory, Besart Berisha.

“Për ndeshjen kundër Islandës shpresoj t’i kem në dispozicion Besart Berishën, Atdhe Nuhiun, Dionis Avdijajn dhe Loret Sadikun. Për Besartin kam thënë se llogaris që nga janari i këtij viti dhe ashtu mbetet. Unë nuk di ndonjë vendim tjetër të tij. E di që edhe vetë ka thënë se nëse gjithçka shkon në rregull do të jetë pjesë e Kosovës nga ky vit. Pra do të na bashkohen disa lojtarë për herë të parë”, ka thënë Bunjaki për gazetën “Koha ditore”.

Bunjaki shpreson se me ardhjen e sulmuesit Berisha, do ta stabilizojë pjesën ofensive.

Berisha 31-vjeçar, më 4 nëntor të vitit të kaluar, mori leje nga FIFA për ta përfaqësuar Kosovën.

Vetë Berisha kishte deklaruar se ka vendosur të luajë për Kosovën, por ai nuk ka bërë të ditur se në cilën ndeshje shpreson të debutojë. (r.m.)

Comment

*