Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit

(“PSE QANË KUAJT E AKILIT”, nga V. S. Tole)

 

Prof. Dr. Agron Fico

Nju Jork, 20 korrik 2011

“A true understanding of the Homeric poems could come with a full understanding of the nature of oral poetry.” Albert B. Lord

Iso-polifonia popullore shqiptare është një përmendore xixëlluese kulturore-artistike, e krijuar nga etnosi ilir-shqiptar në një hark kohor shumëshekullor.
Iso-polifonia popullore shqiptare me vlerate spikatura e të veçanta estetike është dëshmi e qytetërimit të lashtë dhe europian të kombit shqiptar.

 

Iso-polifonia shqiptare-kryevepër e trashëgimnisë gojore të njerëzimit

Në vitin 2005 iso-polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”.

Iso-polifonia, me gjinitë dhe llojet e shumta, është edhe në ditët e sotme pjesë aktive e kulturës dhe jetës së përditshme kulturore-artistike. Këngët popullore polifonike janë të dashura dhe të kërkuara nga shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë. Këndohen në fshat dhe qytet, në dasma dhe gëzime shoqërore; transmentohen në radio-televizion dhe dëgjohen nëpër CD, etj.

Iso-polifonia popullore shqiptare është një gjini e pasur, e lashtë e traditave popullore kombëtare. Por siç është vënë re në traditat popullore janë të mbivendosura shtresëzime kulturash: “Kruej nji shtresë del tjetra me dishmina të çuditshme ngjarjesh. Tue hjekë nji shtresë e tue gjetë tjetrën arrin dijetari në parahistori”. – thotë Ernest Koliqi.

Kërkimet dhe studimet shkencore për etnomuzikologjinë në përgjithësi dhe në veçanti për iso-polifoninë, para viteve ’90 të shekullit të kaluar, në gjirin e Institutit të Folklorit (më vonë Instituti i Kulturës Popullore) janë fare pak, të dobëta dhe, kryesorja, përshkoheshin nga politika dhe ideologjia marksiste.

 

“E qara me bote” – burimi i iso-polifonisë

Vasil S. Tole është autor i disa librave të botuar për iso-polifoninë, për sazet, për enciklopedinë e iso-polifonisë etj. dhe ka dhënë një ndihmesë të veçantë në hartimin e programit për vlerësimin e iso-polifonisë nga UNESCO.

Me një titull metaforik dhe simbolik “Pse qanë kuajt e Akilit” Vasil S. Tole, në një libër të porsabotuar, ka guxuar të prekë “thembrën e Akilit” të studimeve të etnomuzikologjisë shqiptare d.m.th. hetimin e zanafillës së vetë iso-polifonisë, nëpërmjet një shqyrtimi gjithëpërfshirës të dukurive të saj fillestare, mbështetur në një bibliografi të pasur.

Ai citon nga “Iliada” e Homerit vargjet:

“Jashta përleshjes qanin kuajt e Akilit,
Sapo e panë që humbën qerrengasin,
Të shtrirë në pluhur nga Hektor gjaksori…
……………………………………….
Por si qëndron drejt pa lëvizuar shtylla
Në krye të varrit të një burri a gruaje,
Ashtu të shtangur rrinin duke mbajtur
Qerrin e bukur; kokat poshtë të ulura
E prej qepallash lot të nxehtë u rridhnin
Rrëke përdhé, aq dhembje u ra për prijësin.
Jelet e gjata derdhur jashtë kularëve
Iu zhyen për tok
ë.”
(Homeri, “Iliada”, Tiranë 2006, kënga XVII, f.400. Përkthyes Pashko Gjeçi)

Në hallkën kryesore të këtij studimi autori ka vënë një nga llojet më të hershme të polifonisë -vajtimin,”të qarët me bote”.

Është i njohur fakti se të qarë me grupe është i njohur si në Shqipërinë e Jugut ashtu edhe në atë të Veriut.

“Në fakt, vajtimi në vetvete – shkruan Tole – është një ritual arkaik, i lidhur ngushtë me besimet politeiste të të parëve tanë, prej kohëve mitike, i cili përmban një përzierje elementesh që përfshijnë: të folurin patetik, të thirrurat, kujën, ulërimat, lëvizjet dhe së fundi këngëtimin vajtimor. (“Pse qanë kuajt e Akilit” f.17-18; më tej – “vep. e cit.”)

Gjëma, gjëmëtarët në vajtimin me grupe në Shqipërinë e Veriut

Mendoj se Vasil Tole ka ndjekur një metodikë të mirë, që pjesën e parë të studimit ia kushton vajtimit masiv, në grupe, në Shqipërinë e Veriut, i cili quhet gjëmëgjamë dhe ata që e bënin atë quheshin gjëwmëtarë. “E folura, e thirrura, sokëllima dhe kuja me ulurimë – thotë autori – shënohen si paraelemente muzikore, që provojnë edhe hershmërinë e vajtimit, si trashëgimi shpirtërore mijëravjeçare”. Sipas etnografit të njohur Rrrok Zojzi, një të vdekuri i bëhen deri në shtatë e tetë gjëmë dhe më së paku dy; ndërsa sipas “Kanunit të Lekë Dukagjinit” dëshmohet se “…kanun asht me ba gjamë mbi të dekunin tri herësh tuj përsëritur fjalët ‘I mjeri im’ nandë herësh”. Ka katër faza të gjëmës, e cila përgjithësisht bëhet nga burrat në perëndim të diellit. Ja si e përshkruan autori këtë ritual mortor: Fillimisht grupi i gjëmatarëve e fillon gjëmën 100 gjer në 500 metër larg të vdekurit, i cili vendoset në një vend të hapur. Në fazën e parë heqin zhgunat dhe gjërat e rënda, vendosin duart mbi ije me bërrylat e hapur anash dhe rrahin tokën me këmbë, duke shpërthyer të gjithë njëherësh me britmën hou, duke thirrur edhe emrin e të vdekurit; në fazën e dytë që të gjithë lëshohen me hap të rëndë drejt kufomës për rreth 50-100 m. dhe pastaj ndalojnë, qëndrojnë si të ngrirë dhe presin shenjën e të parit, duke lëshuar britmën hou, e cila përfundon me fjalët: “I mjeri un për ty!”, me grushte rrahin gjoksin; në fazën e tretë, përshkojnë përsëri 50-100 metra të tjerë, qëndrojnë befas, heqin duart nga mesi dhe gërricin me thonj fytyrën, duke hedhur pikat e gjakut në drejtim të të vdekurit; faza e katërt nis me qëndrimin në heshtje, lëshohen përsëri me vrap dhe i drejtohen të vdekurit, ulen në gjunjë, mbështetin ballin përdhe dhe me duar përkëdhelin dheun, qëndrojnë kështu gjer sa një familjar i të vdekurit u thotë: ua shpërblefshim në të mira!

Gjëma zgjat nga 20 minuta gjer në 1 orë. I parafundit nga radha e gjëmës është fisi i gjakut të të vdekurit dhe i fundit është fisi i nënës! (Vep.cit. f.20-21).

 

Vajtimi në eposin heroik, në eposin për Gjergj Kastriot – Skënderbeun

Nga ana muzikore – thotë autori – një veçori muzikore e vajtimeve, si dhe për gjithë muzikën tradicionale popullore jovajtimore të Shqipërisë së Veriut, vërejmë në të ekzistencën e një sistemi muzikor të patemperuar, të kënduarit një-zësh. Në Eposin e Kreshnikëve intepretuar me lahutë gjejmë disa vajtime si p.sh. Vajtimi i Ajkunës, që është një margaritar i e folklorit shqiptar. Ja pak vargje nga ky gjerdan poetik:

..More Omer i nanës-o,
A thue gjokun me ta prue?
Dil nji herë për me lodrue,
Bjer ndër gurra me u freskue,
Kërko majat bashkë me zanat,
Se ty varrin ta ruen nana,
Mori i miri i nanës-o!
(Vep. cit. f.24)

Në trashëgiminë shpirtërore vdekja e kryeheroit, Gjergj Kastriot-Skënderbeut, është dhënë me përshkrimin e natyrës në një ditë me mjegull dhe plot helm, sikur qielli do të vajtonte së bashku me gjëmëtarin Lekë Dukagjini:

Ishte Lek Dukagjini
Ballin e rrihte me një dorë
Dhe me tjetrën shkulte flokët.
Tundu shkulu Shqipëri,
Ejani zonja, bujarë,
Ju të varfëra dhe ushtarë,
Eni qani me pikëllim…
Prindi, zot’i Shqipërisë,
Qëmenatë sot na vdiq,
Skënderbu s’është më!
(Vep. cit. 26)

Të dhëna për vajtimin shqiptar sjell Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi në një relacion të vitit 1641, Evla Çelebia më 1660-1664, Viçenso Dorsa më 1847, Johann Georg von Hahn në veprën “Studime shqiptare” (1853-1854), Elena Gjika, Zef Jubani, De Rada, Luigj Gurakuqi, Viçens Prenushi, Maksimilian Lambertz, etj.

“E qara me bote” – vajtim tragjik njerëzor me grupe

Në libër, vendin më të gjerë e zë analiza e hollësishme e ritualit dhe praktikave ceremoniale të vajtimit në Shqipërinë e Jugut, i cili mbështet mbi të qarën dhe të kënduarit shumëzërash iso-polifonik, që ekziston në dy tipologji kryesore: në Labëri, si iso-polifoni labe, dhe në Toskëri, si iso-polifoni toske.

Vasil Tole shkruan se “në këtë shakllëzim të vajtimit, futet edhe “e qara me bote”, në të cilën gjenden rrënjët e prejardhjes së iso-polifonisë popullore shqiptare në Shqipërinë e Jugut. Dhe më tej shkruan: “e qara me bote”, shihet si bërthama arkaike e të menduarit dhe e praktikës muzikore shumëzërashe, por njëkohësisht edhe lënda artistike, që krijoi ansamblin e parë artistik në botë: korin”. (Vep. cit. 28-29)

Autori, siç duket, ka marrë përsipër detyrën e vështirë të trajtimit të enigmës problemore të burimit, zanafillës së iso-polifonisë popullore shqiptare. Prandaj ka vënë në qendër të kërkimit dhe të studimit shqyrtimin e detajuar të vajtimit “e qara me bote” edhe për “karakterin arkaik”, sipas asaj që shkruante Faik Konica më 1887.

“E qara me bote”, si një vajtim tragjik njerëzor me grupe (burrash e grash), është lidhur ngushtë me reagimin e jetës pas vdekjes, për të triumfuar artistikisht ndaj saj. Autori përshkruan të gjithë elementet e kësaj dukurie etnomuzikore popullore shqiptare si: etimologjia e fjalës, koncepti për “botën e përtejme”, dëshmitë e hershme në lidhjet me “të qarët me bote”, ksodhi-kësolli, kulti i diellit, vajtimi masiv, simbolika e ngjyrave “kuq e zi” të identitetit kombëtar shqiptar.

“E qara me bote” – struktura muzikore-poetike

Fjala “bote”, sipas Prof. E. Çabejt, ka kuptim “shtambë”, pra një enë prej balte me të cilën mbushet ujë; por ka edhe nënkuptime të tjera që njësohen me të si: botë, dhe, baltë, deltinë, si dhe baltë shtambash.

“E qara me bote” haset edhe si “e qarë me vome” në Malëshovë, Përmet. “E qara me bote” ruan në strukturën e saj bërthamën e shumë zërave, të lidhura ngushtë me ison, këtë ngashërim masiv të pjesëtarëve në “të qarën me bote”. Aq i fortë është emocioni që sjell “e qara me bote” sa në Gjirokastër thonë “kulloi odaja nga lotët”.

Autori, në dëshmitë e hershme të “qarjes me bote” sjell dhe permend të dhëna arkeologjike, historike, arkeomuzikore, burimesh autorësh antikë etj. për kultin e diellit, për vendndodhjen e Hadit ose mbretërinë e vdekjes, Lumin e vdekjes – Akerontin etj, që lokalizohen vetëm si të tillë në rajonin e maleve të Sulit, Thesprotia e dikurshme, Çamëria e sotme. Tole nga ky parashtrim historiko-gjeografik shtron pyetjen se cila është lidhja e vajtimit shumëzërash me vendndodhjen gjeografike të Hadit? Nga argumentet e faktet që sjell, autori anon nga mendimi se Thesprotia, Çamëria e sotme, mund të jetë djepi i lindjes së të qarit me grupe, “të qarit me bote”.

“Vajtimi me bote” është pjesë e një vajtimi masiv të errët mistik, një vajtim i përmotshëm solo dhe në grup, një e qarë deklamuese dhe muzikore njëherazi, pra një vajkëndim.

Ka edhe vajtime me gërnetë ose violinë, që luhen nga sazexhinjtë gjatë kohës së zisë, mbi varret e njerëzve të veçantë, sipas amaneteve të lëna qysh në gjallje. Ja një shembull:

Mitri la një porosi:
-Të më qani me violi,
T’emtatë e mbaninë,
Të motrat e qaninë!

“E qara me bote” e iso-polifonisë është kulturë shpirtërore kundër dhembjes që shkakton vdekja e njeriut të familjes ose të të njohurit. Vajtimi bëhet nga burrat dhe nga gratë, sipas zakoneve që ka vdekja në vende dhe zona të ndryshme të Shqipërisë së Jugut, kryesisht në fshat, i cili është vendi ideal i ruajtjes i këtyre relikeve mijëravjeçare. E përbashkëta gjatë vajtimeve është nderimi ndaj të vdekurit, i cili gjatë ritualit të vajtimit vendoset në mjedisin më të mirë të shtëpisë.

Tekstet e këtyre ligjërimeve vajtimore janë shpesh poezi të mirëfillta dhe plot figura artistike. Vargjet janë 6 ose 8-rrokëshe, numri i tyre 5-7-9 ose 11 vargje dhe rima është e rregullt. Në vajtime iso-polifonike, ku dhimbja është shumë e fortë, ka raste, kur së bashku me vajtoret ftohen të vajtojnë edhe malet, kullat dhe muret, çobanët dhe kuajt, madje edhe bagëtitë, në kujtim të njeriut të vdekur. Ja ç’thotë Çajupi:

Qajnë malet për pyje,
Qajnë fushatë për lule.

Ksodhi-kësolli është një institucion që përshin disa veprime që fillojnë me lajmërimet për vdekjen, hapjen e vajtimit, gjestikulacionet dhe lëvizjet gjatë vajtimit e gjer te mbyllja e vajtimit, koha e zisë dhe mbyllja e zisë, prishja e zisë. Kur vdekja ka ndodhur larg shtëpisë, atëherë ndodh dhënia e mandatës, fatkeqësisë, nga njerëz të afërm të familjes.

Kronisti turk Evlija Çelebia, në vitet 1660-1664, shkruante se “…Gjirokastritët kanë një zakon të çuditshëm… që vajtojnë njerëzit që kanë vdekur gjer 70 a 80 vjet përpara. Çdo të diellë gjithë farë e fisi i një të vdekuri mblidhen në një shtëpi dhe… qajnë dhe vajtojnë me zë të lartë dhe mallëngjyes duke derdhur lotët si rrëke.”

Në rastin e vdekjes së trimave dhe heronjve, “e qara me bote” bëhet nga burrat, që zakonisht  janë një grup i përbërë prej 40 e më shumë.

“E qara me bote” i ngjan një drame me një akt, që përfshin shumë elemente dhe rituale, skenografi, etj. Vajtocet vishen me të zeza dhe mjedisin e shtëpisë shpesh e lyenin me ngjyrën e zezë. “…Në shtëpinë tonë muret e hajatit ishin lyer me ngjyrë të zezë një pëllëmbë nga toka, po ashtu edhe arallëqet e pllakave të gurit. Mbulesa e oxhakut ishte po ashtu e zezë… Hallat vinin dy herë në javë dhe e qanin vëllanë (atin tim). Pasi mbaronin këtë ritual, hallat largoheshin dhe mua, motrave dhe nëns na linin trishtimin dhe lotët. E kjo zgjati gati 23 vjet rresht. (“Profesor në tre kontinente”, 2004, f.2)

“E qara me bote” dhe çështja homerike

Kapitullin e fundit, kapitulli i katërt, Tole ia kushton ritualeve tragjike tek “Iliada” dhe “Odiseja” e Homerit. Përshkruan ritualet e vdekjes dhe vajtimet për Patroklin, Hektorin dhe Akilin. Edhe në pjesë të tjera të librit gjejmë referime nga poemat homerike.

Dihet se Homeri është ati i artit klasik dhe se “Iliada” dhe “Odiseja” janë kryevepra të njerëzimit, që kanë mbetur modeli më i lartë dhe i paarritshmë i artit poetik.

Homeri ose më saktë “çështja homerike” u bë objekti kryesor i studimeve krahasuese filologjike nga shkencëtarët amerikanë të Universitetit të Havardit, Milman Parry dhe Albert B. Lord. Ata, në laboratorin e epikës së popujve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë,  zbuluan ligjin e ngjizjes dhe krijimit të poemave homerike. Albert B. Lord shkruan: “A true understanding of the Homeric poems could come with a full understanding of the nature of oral poetry.” (Poemat e Homerit do t’i kuptonim vërtet vetëm kur të kuptohej e plotë natyra e poezisë gojore. Albert B. Lord: “The Singer of Tales”, 1965, p.12)

Njohja dhe pranimi i kësaj teorie, që ata e quajtën “letërsia gojore”, teori e pranuar nga gjithë studiuesit e institucioneve botërore  (çdo vit organizohen konferenca shkencore botërore me emrin e Alber B. Lordit) do të mundësonte të perceptoheshin më saktë dhe më gjerë marrëdhëniet, përqasjet, midis ritualeve dhe këngëvajtimet e hershme prehistorike dhe antike të letërsisë gojore të etnosit shqiptar dhe poemave homerike jo vetëm në vijën horizontale, por edhe vertikale e, ndofta të dyja bashkë. Lambertz, përmend autori,  thoshte se qysh në epet e Homerit gjenden forma të njëjta vajtimi, të cilat edhe sot ekzistojnë në Shqipëri (Vepër. cit. 136). Ndërsa Eqrem Bej Vlora vë re se në zona si Myzeqeja dhe Labëria gjenden shumë forma arkaike dhe mbase të rëndësishme për studimin e muzikës së vjetër, por edhe asaj greke të lashtë. (Po aty, f.136).

Kritika e prejardhjes bizantine të iso-polifonisë popullore

Një interes të veçantë paraqet kritika e argumentuar që Vasil Tole, i bën tezës së vajkëndimeve muzikore popullore shumëzërashe, pra iso-polifonia, e paska prejardhjen prej muzikës bizantine. Jo vetëm ky mendim është pa baza, por ka ndodhur e kundërta. Muzika bizantine, si një dukuri muzikore e mëvonshme, është ushqyar dhe formuar si kulturë muzikore prej kulturave tradicionale popullore, që praktikonin fenë e krishterë, në mbarë lindjen europiane. (Shih: shënimi 230, f.159-160).

Libri i autorit Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit” jo vetëm e pasuron bibliotekën e studimeve shqiptare për etnomuzikologjinë, por edhe i jep lexuesit njohuri dhe kanaqësi kulturore për një nga gjinitë më të pëlqyera të folklorit, iso-polifoninë.

 

Bibliografi:

1.  Albert B. Lord: The Singer of Tales, 1965
2.  Eqrem Çabej: Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, 1994
3.  Ernest Koliqi: Vepra 6, Prishtinë, 2003
4.  Ramadan Sokoli: Gjurmimie folklorike, 1981
4.  Vasil Tole: Enciklopedia e iso-polifonisë, 2007
5.  Agron Fico: Rilindja e Shqipërisë Etnike, 2009, f.59-69

Comment

*