Bushati në takimin e OSBE-së në Vjenë

Me ftesë të Ministrit të Evropës, Integrimit dhe Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, po merr pjesë në takimin e 24-t të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili do të zhvillojë punimet në datat 7-8 dhjetor 2017 në Vjenë, nën kryesinë austriake të OSBE-së.

Në Konferencë marrin pjesë 45 ministra nga shtetet pjesëmarrëse të Organizatës.

Në këtë takim, i cili përmbyll kryesinë austriake të OSBE-së, Ministrat do të përqendrohen në analizën e përpjekjeve të bëra për të zgjidhur konfliktet dhe për të adresuar sfidat në hapësirën e OSBE-së, veçanërisht për zgjidhjen e krizës në Ukrainë dhe përreth saj.

Gjithashtu, në fokus të takimit do të jetë edhe forcimin e kapaciteteve të OSBE-së për të nxitur bashkëpunimin, rigjallërimin e dialogut strategjik mbi çështjet e politikave rajonale të sigurisë si dhe forcimin e OSBE-së për të adresuar në mënyrë efektive sfidat e reja globale.

Gjatë fjalës së tij Ministri Bushati u ndal në krizën në Ukrainë duke i bërë thirrje “të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre”.  Duke iu referuar Kosovës, Ministri Bushati theksoi se “OSBE nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit”.

Z. Kryetar, i dashur Sebastian,

Sekretari i Përgjithshëm,

Të dashur kolegë,

Fillimisht do të doja të falënderoja Kryesinë Austriake të OSBE-së për punën e tyre të palodhur për të ndërtuar ura, në një kohë kur hapësira jonë e pandashme e sigurisë së përbashkët, është e rrethuar nga pasiguria, paparashikueshmëria dhe pasiguria. Në deklaratën time, unë do të doja të përqendrohesha në disa çështje kryesore:

1.  Së pari, kriza në Ukrainë dhe rreth saj: po hyn në dimrin e saj të katërt; Palët periodikisht angazhohen në armëpushimet e dakorduara dhe më pas i shkelin ato me frekuencë në rritje. Për fat të keq, Misioni Special i Monitorimit (SMM) raporton viktima pothuajse çdo javë. Shqipëria mbështet fuqishëm këtë Mision dhe nënvizon sërish se mbrojtja dhe siguria e Misionit është prioriteti më i madh.

Çdo kërcënim ose pengesë është e papranueshme. Ata që i kufizojnë apo i frikësojnë vëzhguesit tanë duhet të mbajnë përgjegjshmëri. Zgjidhja e vetme për krizën në Ukrainë dhe rreth saj është ajo politike dhe ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht marrëveshjet e Minskut dhe të respektojnë angazhimet e tyre.

2.  Së dyti, rivendosja e sigurisë evropiane kërkon ruajtjen e frymës së Vjenës në lidhje me bashkëpunimin, dialogun, mirëkuptimin dhe mbi të gjitha besimin.

Besimi është bërë tashmë një produkt i rrallë në OSBE. Kjo është arsyeja pse jemi të kënaqur kur shohim ndonjë përparim në rindërtimin e tij, siç është procesi i Dialogut të Strukturuar që kemi nisur në Hamburg. Vlerësojmë që Austria gjatë kryesisë së saj ka pasur sukses në futjen e frymës së Vjenës në OSBE.

3.  Pika ime e tretë ka të bëjë me operacionet në terren. Si një shtet pjesëmarrës dhe pritës i një operacion në terren, mendoj se operacionet në terren duhet të bëhen për të pasur ndikim, edhe pse ndikimi nuk është gjithmonë i lehtë për t’u matur. Që operacionet në terren të kenë ndikim duhet të arrihet një koordinim më i mirë mes vendit pritës, operacionit në terren, Sekretariatit dhe institucioneve.

4.  Kjo më sjell ndërmend Misionin e OSBE-së në Kosovë, në veçanti, operacionin më të madh në terren pas SMM. Efektiviteti i një misioni, përfshirë OMiK, matet gjithmonë me ndikimin e vërtetë që ai ka në jetën e njerëzve. Megjithatë, përkundër ndikimit të synuar, ne kemi vështirësi të kuptojmë se në shumë dokumente të OSBE-së, Kosova vazhdon të referohet me një shënim sa të vjetër aq edhe të papranueshëm. Por kjo nuk është e gjitha: OSBE vazhdon të përjashtojë pjesëmarrjen e Kosovës kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, përfshirë raportet e misionit. Pyetja që ngrihet është se si mundet që operacionet në terren në Kosovë të synojnë të ndikojnë pozitivisht në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, kur organizata nuk e përfshin Kosovën.

Më lejoni ta them qartë: kjo organizatë nuk duhet të diskutojë për Kosovën, pa Kosovën, si pjesë e diskutimit.

5.  Pika e pestë dhe e fundit Z. Kryetar është se, siç e dimë të gjithë, vlera e OSBE-së del më në pah në momente të vështira dhe krize. OSBE ka treguar se ka potencial të madh. Mjedisi i tanishëm gjeopolitik kërkon një organizatë të përforcuar dhe është përgjegjësia jonë që ky mjedis të ruhet duke shfrytëzuar potencialin e saj të plotë.

Kontrolli i armëve dhe Masat për Nërtimin e Sigurisë  (CSBM) kanë qenë gjithmonë në thelbin e konceptit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues të OSBE-së për sigurinë. OSBE nuk është një instrument vetëm për kohë mira, prandaj më shumë se kurrë përkushtimi për të përmirësuar zbatimin e Dokumentit të Vjenës dhe modernizimin e tij janë esenciale për sigurinë tonë të përbashkët

Z. Kryetar,

Dëshiroj të falënderoj përsëri Kryesinë austriake për punën e jashtëzakonshme në presidencën e OSBE-së gjatë këtij viti. Janë vënë në lëvizje shumë procese të rëndësishme, dhe dëshiroj të siguroj Kryesinë Italiane për mbështetjen tonë të plotë, ndërkohë që merr drejtimin.

Faleminderit.

Comment

*