Buxheti i Kosovës – i varur nga Dogana dhe Administrata Tatimore

Prishtinë, 12 tetor 2017 – Dogana dhe Administrata Tatimore vazhdojnë të jenë burimet kryesore të të hyrave të Buxhetit të Kosovës, i cili është planifikuar të jetë rreth 2 miliardë euro, për vitin 2017.

Këto dy agjenci vlerësohet se kanë treguar performacë të mirë në mbledhjen e të hyrave gjatë nëntë mujorit të këtij viti.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka një trend pozitiv të rritjes së të hyrave tatimore, thonë zyrtarët në saj.

Valentina Bytyqi – Sefa, zëdhënëse në këtë agjenci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga 423 milionë euro sa është paraparë të grumbullojë Administrata Tatimore e Kosovës, për këtë periudhë ka arritur të mbledhë 304 milionë euro, ose 13.2 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

“Kjo ngritje është si rezultat i planifikimi të mirëfilltë, rritjes së bashkëpunimit me agjencitë tjera, menaxhimit dhe punës ekipore të stafit të ATK-së, i cili ka aplikuar një qasje profesionale me integritet të lartë ndaj tatimpaguasve dhe atë, duke informuar tatimpaguesit për obligimet e tyre tatimore, duke udhëzuar ata për zgjidhjen e problemeve, dukë bërë vizita edukative dhe aktivitete të tjera të përcaktuara nga dokumentet strategjike të ATK-së, siç është Plani për Trajtim të Rreziqeve, Planet Operative, etj”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Edhe Dogana e Kosovës raportohet se i ka arritur objektivat e parapara nga Qeveria e Kosovës.

Në një komunikatë për media të Doganës se Kosovës thuhet se kjo agjenci ka arritur t’i grumbullojë 815 milionë euro – 7 milionë euro më shumë se projeksionet dhe 42 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, përfaqësuesit e  komunitetit të biznesit e quajnë praktikë jo të mirë varësinë e buxhetit nga doganat dhe administrata tatimore.

Drejtori ekzekutiv në Odën e Afarizimit të Kosovës, Ismet Mulaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se përqendrimi i buxhetit nga tatimi dhe taksat doganore, paraqet joqëndrueshmëri financiare, pasi që, sipas tij, niveli i importeve mund të ndryshojë, kurse në bazë të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, taksat doganore ose janë ulur ose eliminohen, çka në mënyrë automatike reduktohen edhe të ardhurat.

“Përqendrimi i buxhetit të Kosovë vetëm tek të hyrat doganore dhe tatimore, sipas tij, Kosovën e fut në një vend më një kreativitet të vogël në realizimin e të hyrave që i ka paraparë”, ka thënë Mulaj.

“Andaj, kjo mënyrë paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale”, ka nënvizuar ai.

Nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, e cila është kontrata e parë në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje, pasi disa produkte janë liruar plotësisht nga taksa doganore, kurse për disa të tjera janë ulur taksat.

Sipas të dhënave zyrtare, janë 19 milionë euro më pak të hyra që nga fillimi i zbatimit i MSA-së në prill të vitit të kaluar.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*