Buxheti prej mbi dy miliardë eurosh – joreal?

Prishtinë, 5 tetor 2017 – Realizimi i Buxhetit të Kosovës prej mbi dy miliardë eurosh për vitin 2018 vihet në pikëpyetje nga përfaqësues të bizneseve në vend.

Sipas tyre, nuk janë bërë hapa të duhur nga autoritetet që t’i mundësonin shtetit një buxhet të tillë.

Përveç tjerash, ata thonë se agjenda politike i ka ngufatur edhe objektivat për një buxhet prej mbi dy miliardë eurosh.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë kishte paralajmëruar se Kosova do të ketë një buxhet prej mbi dy miliardë euro në vitin 2018.

“Vlera e buxhetit do të jetë mbi dy miliardë euro, bazuar në burime të qëndrueshme. Sa u përket projeksioneve ne do të jemi të kujdesshëm që të jenë në përputhje me nivelin e rritjes ekonomike dhe normalisht për ndonjë pikë të përqindjes do të jetë më i lartë”, pati deklaruar Hamza.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se një buxhet i tillë mund të realizohet, por jo në këto rrethana.

“Dua të besoj që të arrihet një buxhet i tillë, por në këto rrethana e kam frikën se do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë prapë një barrë që do të godet drejtpërsëdrejti sektorin privat. Kur kësaj i shtohet edhe fakti i prolongimit të paargumentuar të fillimit të zbatimit të pakos fiskale 2, atëherë mbetet për t’u dëshiruar, por vështirë për t’u realizuar”, thotë Gërxhaliu.

Sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë bazuar planin për buxhet prej dy miliardë eurosh në fuqinë e sektorit privat, prandaj ky sektor duhet të ketë mbështetje.

Ai thotë se për ta mbështetur këtë sektor është i nevojshëm miratimi i Ligjit për tregti të brendshme, Ligjit anti-damping dhe Ligjit për mbrojtjen e produkteve vendore.

“Buxheti pritet të grumbullohet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, e që do të jetë një barrë për sektorin privat, por dua të besoj që nëse mendohet që të rritet buxheti, institucionet duhet të bëjnë më tepër të mbështet sektorin privat dhe ajo çka kërkon sektori privat është të këtë barazi si vendet e rajonit dhe mbi të gjitha të ketë mbrojtje”, thotë Gërxhaliu.

Buxhetin prej mbi dy miliardë euro, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka e pamundëson edhe niveli i lartë i ekonomisë jo formale.

Ai thotë se autoritetet e Kosovës nuk janë treguar efektive në luftimin e ekonomisë në të zezë.

“Nëse institucionet përgjegjëse arrijnë të tregojnë veprime më konkrete në luftimin e ekonomisë joformale, e cila është në shifra alarmante për vendi realizmi i një buxheti të tillë nuk do të duhej të ishte problematik. Megjithatë, me veprimet e treguar me nga ana e institucioneve në të kaluarën në luftimin e ekonomisë joformale, që kanë qenë veprime të mangëta, kjo mund të na bëjë që të jemi pesimist në lidhje me realizmin e një buxheti prej dy miliardë euro”, thotë Zeka.

Sa i përket ekonomisë joformale, zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër kësaj dukurie. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit.

Ndërkohë, raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kishin vënë në pah se evazioni fiskal në Kosovë arrin në mbi 30 për qind.

Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2017, kishte shifrën e mbi dy miliardë eurove, e i cili ishte më i larti që nga paslufta në Kosovë.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)

Comment

*