Buxhuku: Bankat s’ndihmojnë biznesin, ulja e normës së interesit u vonua

“Përgjithësisht dua të them se banka nuk e ka luajtur rolin e saj rregullator dhe lehtësues ashtu si duhet të ishte”-tha Administratori i Përgjithshëm i “Konfindustrias”, Gjergji Buxhuku. “Konfindustria” rekomandon krijimin e një banke shtetërore të nivelit të dytë, që të vijë në ndihmë biznesit i ndodhur në kushte jo shumë të favorshme

 

Aristir Lumezi
Biznesi e cilëson të vonuar nismën e Bankës së Shqipërisë e cila uli normën bazë të interes të lekut me 0.25%. Një tentativë jo efektive për të nxitur kreditimin e sipërmarrjeve nga bankat e nivelit të dytë, e ka quajtur kreu i “Konfindustrias”, Gjergj Buxhuku, këtë masë të njoftuar nga guveratori Fullani një javë më parë. Sipas Buxhukut, nga mosndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, biznesi është detyruar t’i drejtohet fajdeve. Banka e Shqipërisë ndërmori këtë vendim për t’i dhënë një stimul të ri ekonomisë pasi ulja e normës bazë tenton t’i bëjë më pak të leverdishme kursimet. Po ashtu edhe interesat e depozitave bien, gjë që nxit investimet dhe konsumin përmes interesave më të ulëta për kreditë. “Është në mënyrë të përsëritur një masë e marrë në kohë të vonuar nga banka e Shqipërisë. Dhe kjo ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në masën e kreditimit të biznesit të qytetarëve duke e ulur atë ndjeshëm. Është fakt që biznesi kryesisht i ndodhur në kushtet e uljes së masës së kreditimit nga bankat e nivelit te dytë, pastaj është drejtuar në një masë të madhe në rrugë informale pra fajdeve dhe nga ana tjetër kjo ka ndikuar dhe në rritjen e një mase të rrezikshme, do të thoja, të kredive të këqija që ka arritur masën 25%. Përgjithësisht dua të them se banka nuk e ka luajtur rolin e saj rregullator dhe lehtësues ashtu si duhet të ishte”, tha Gjergji Buxhuku. “Konfindustria” rekomandon krijimin e një banke shtetërore të nivelit të dytë, që të vijë në ndihmë biznesit i ndodhur në kushte jo shumë të favorshme. Sipas “Konfindustria”-s, nuk është norma e interesit si instrument i cili mund të rregullojë këtë mënyrë funksionimi të tregut bankarë në Shqipëri. “Ka nevojë për rregullime rrënjësore”. Së pari, duhet të kalojmë drejt liberalizimit real të tregut, e dyta duhet krijuar urgjentisht tregu i kapitaleve që mungon i cili do t’i jepte një mundësi të artë në dorë qytetarit dhe biznesit për të ditur se ku do të investonte. Do t’i linte paratë e tij në formën e kursimeve në bankë apo do t’i investonte në aksione nëpërmjet bursës”, tha Gjergji Buxhuku nga “Konfindustria”. Pas uljes nga Banka e Shqipërisë, norma bazë e interesit të lekut ka arritur në shifrën më të ulët në histori, 3.5%. Sipas guvernatorit Fullani, muajt e parë të 2013 kanë konfirmuar një rritje të ngadaltë të ekonomisë dhe presione të ulëta inflacioniste në të. Borxhi publik është në nivelin 63,3% , ndërsa inflacioni në nivelin e 2.2 %.

Comment

*