Cakaj: Nuk ka marrëveshje sekrete, as plan për ndarje të Kosovës

Prishtinë, 30 qershor 2020 – Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, deklaroi sot në Prishtinë se pas vizitës në Uashington e ka të qartë se nuk ka marrëveshje sekrete me Serbinë, nuk ka plane për ndarje të Kosovës dhe nuk ka nxitim për marrëveshje të shpejtë.

“Nga atje (Uashingtoni) kam vetëm tri mesazhe. E para, nuk ka marrëveshje sekrete dhe për konsum të brendshëm politik nuk ka nevojë të abuzohet për një temë të interesit nacional. E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mendët në kokë nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë e askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën. Pikë. E treta, nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës, për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë, për shkak se duhet të kuptojmë pozicionin që e kemi në agjendat ndërkombëtare. Por, duhet ta kemi parasysh që koordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetik për të bërë më të mirë për Kosovën. Unë nuk dua të bëj politikë të brendshme në Kosovë, por këto nuk janë vetëm mesazhe të miat por janë edhe qëndrime që përfaqësuesi i Presidentit Trump i ka komunikuar në vazhdimësi. Çdo përpjekje tjetër për ta lakuar të vërteten janë për përfitime afatshkurtër politike e jo për interesat afatgjate shtetërore”, tha Cakaj, në konferencën për media të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Aeroportin e Prishtinës.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, i bëri këto komente duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me takimin e tij me emisarin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë- Serbi, në Shtëpinë e Bardhë.

Cakaj tha se vizita e tij në Uashington ishte planifikuar shumë më herët dhe nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me çështjen e Kosovës.

Gent Cakaj e shoqëroi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës dy-ditëshe në Prishtinë. Temë qendrore e takimeve të Ramës me drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe të partive politike në Kosovë ishte ngritja e aktakuzës ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorisë Speciale, në Hagë.

(r.m.)

Comment

*