Caktohet prokuror i posaçëm për të hetuar lidhjet mes Trump dhe Rusisë

Departamenti amerikan i Drejtësisë emëroi të mërkurën ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller si prokuror të posaçëm për të mbikqyrur hetimet rreth bashkëpunimit të mundshëm midis Rusisë dhe ekipit të fushatës së zotit Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Emërimi i zotit Mueller vjen në klimën e kërkesave në rritje nga ana e demokratëve që këto hetime me ngarkesë të madhe politike, të drejtohen nga një person jashtë Departamentit të Drejtësisë.

Presidenti Donald Trump u shpreh se një hetim i plotë do të konfirmojë atë që ai thotë se është tashmë e ditur: se nuk ka patur asnjë bashkëpunim midis ekipit të fushatës së tij presidenciale dhe ndonjë entiteti të huaj.

Ai i bëri komentet të mërkurën vonë, pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi emërimin e ish drejtorit të FBI-së Robert Mueller për të mbikqyrur hetimin.

Zoti Trump tha në një deklaratë me shkrim se ai pret që “kjo çështje të përfundojë shpejt”.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein tha se vendimi i tij për të emëruar një këshilltar të posaçëm – i njohur edhe si prokuror i posaçëm – nuk nënkupton se “ekzistojnë fakte për ndonjë vepër penale apo se ndjekja ligjore është e justifikuar.”

Vendimi për emërimin e prokurorit të posaçëm vjen pas njoftimeve të ditës së martë se drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey, kishte shkruar në një shënim se Presidenti Trump, në një takim që kishte patur me të në Zyrën Ovale në muajin shkurt, i kishte kërkuar të mbyllte një hetim mbi ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn. Shtëpia e Bardhë e ka mohuar këtë version.

Zoti Mueller u emërua drejtor i FBI-së në vitin 2001. Ai e drejtoi FBI-në në periudhën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe doli në pension në vitin 2013.

Departamenti i Drejtësisë tha se për të marrë përsipër detyrën e prokurorit të posaçëm, zoti Mueller dha dorëheqjen nga puna që bënte deri tani në një firmë ligjore private. (VOA)

Comment

*