Cana prezantohet si ambasador i Shqipërisë për futbollin e fëmijëve

Ish-kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit, Lorik Cana emërohet Ambasador i Grassroots-it për Shqipërinë.

Pas momentit emocional dhe historik të mbylljes së karrierës në Shkodër, për Lorikun, porta e tij në FSHF ishte absolutisht e hapur për cdo lloj kontributi dhe bashkëpunimi.

Pikërisht Lorik Cana, tashmë edhe si kapitenin e futbollit të fëmijëve, do të jetë Ambasadori i Grassroots, pjesë e projektit global Grassroots, për futbollin e fëmijëve, por jo vetëm.

Një ambasador për të gjithë pasionantët e futbollit, përtej pjesës së futbollit profesionist. Dhe që janë të shumtë në numër që e luajnë këtë sport, edhe këtu në vendin tonë.

Në këtë ceremoni prezantimi, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaroi:

“Është prioritet absolut për FSHF-në futbolli i fëmijëve, një projekt që do të vazhdojë. Sot duhet të mendojmë për të ardhmen dhe besoj se çdo fëmijë e ka ëndërr të bëhet i suksesshëm si Lorik Cana. E shfrytëzojmë këtë shembull pozitiv. FSHF do ta mbështesë Lorikun në cdo hap që do të ndërmarrë”.

Nga ana e tij, Lorik Cana për këtë pozicion të ri theksoi: “E konsideroj vetën pjesë të kësaj familjeje për të promovuar futbollin në vendin tonë. Kur kemi diskutuar për projektin e “Grassroots”, jam bindur se mund t’i shtyj njerëzit të merren me sport.

Është një program që nxit dëshirën te fëmijët për të luajtur futboll, pse jo edhe të shkëlqejnë. Në vendin tonë ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen. Si Ambasador i “Grassroots” shpresoj të ndikoj që fëmijët të rriten me frymën e sportit.

Është një detyrë që kërkon projekte të mëdha, por mund të marrim rezulate shumë më të mira në të ardhmen”.

Futbolli i fëmijëve kryesisht mbetet një prioritet absolut dhe i përvitshëm për FSHF. Projekte të ndryshme kanë nisur dhe do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë me një strategji që tanimë zbatohet në shumë qytete të vendit.

FSHF, edhe me prezencën e Lorikut tashmë, do të vazhdojë me po kaq intensitet një strategji të tillë për të gjithë ata që do luajnë futboll, që nga fëmijët e deri te femrat, apo edhe mosha të tjera joprofesioniste.

fshf.org

Comment

*