Çapriqi: Heqja e emrit të Zogoviqit është një turp i madh për Prishtinën

Prishtinë, 11 shkurt 2016 – Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Basri Çapriqi, ka reaguar ashpër kundër heqjes së emrit të poetit malazez Radovan Zogoviq nga një rrugë në Prishtinë.

“Heqja e emrit të Zogoviqit nga një rrugë e Prishtinës është një turp i madh. Emri i tij peshon më shumë për këtë kryeqytet se sa qindra emra nga anonimati që ka militarizuar pa sens frymën urbane të këtij qyteti”, shkruan Çapriqi në një postim në Facebook.

Ai thekson se Zogoviqi meriton të nderohet nga të gjithë popujt e Ballkanit e më së shumti nga shqiptarët, të cilët i mbrojti me veprën e tij monumentale “Këngët e Ali Binakut”.

Ja reagimi i plotë i Çapriqit:

“Radovan Zogoviç është një emër i madh i humanizmit, një shkrimtar malazez që duhet ta nderojnë tërë popujt e Ballkanit e më së shumti shqiptarët, të cilët i mbrojti me veprën e tij monumentale poetike, po edhe me jetën e tij.

Kur te gjithë kërkonin të gjuhej sa më shumë gurë mbi shqiptarët , ai doli i vetëm kundër një urrejtjeje historike dhe shkruajti një libër të rrezikshëm ‘Kënget e Ali Binakut’.

E dënuan, e persekutuan, e shkelën me masat më çnjerëzore dhe ai nuk hoqi dorë me asnjë kusht. Dhe këtë nuk ia falën kurrë, as për të gjallë e as për të vdekur. U rehabilituan vrasës e kriminelë, çetnikë e kreatorë të ideve gjenocidale, po asnjëhere Zogoviq. Ai kishte bërë një faj të madh, i kishte mbrojtur shqiptarët.

Heqja e emrit të Zogoviqit nga një rrugë e Prishtinës është një turp i madh. Emri i tij peshon më shumë për këtë kryeqytet se sa qindra emra nga anonimati që ka militarizuar pa sens frymën urbane të këtij qyteti”, shkruan Çapriqi. (r.m.)

Comment

*