Carrie Hooper u shpall anëtare nderi e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Promovohet vëllimi poetik dygjuhësor “Piktura në fjalë”, e poetes së talentuar e të mirënjohur, e profesoreshës dhe poliglotes shqipfolëse amerikane

 

Nga Adnan Mehmeti

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikanë, më 14 tetor 2018, në ambientet e Monroe College, të Nju Jorkut, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e poetëve, shkrimtarëve, artistëve, gazetarëve, pedagogëve, dashamirësve të artit e letërsisë, si dhe me angazhimin dhe përkrahjen e z. Haxhi Berisha, profesor në këtë Kolegj, promovuan vëllimin poetik bilingual “Piktura në fjalë”, të poetes së talentuar e të mirënjohur, të profesoreshës dhe poliglotes amerikane, shqipfolëses, Carrie Hooper.

Ndryshe nga takimet e shumta gjatë këtyre viteve, kësaj here, kjo Shoqatë i zgjeroi kordinatat e saj, pasi përzgjodhi një poete amerikane duke marrë përsipër gjithashtu botimin e librit të saj në Shtëpinë Botuese “Buzuku” në Prishtinë.

Salla ishte përgatitur për promovimin e këtij libri, në ballë të të cilës ishte shkruar: SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË – MIRË SE VINI POETË DHE SHKRIMTARË TË DASHUR. Gjithashtu ishte vendosur edhe stema e Shoqatës dhe Pema e saj e njohur, ku janë përmbledhur të gjithë shkrimtarët shqiptaro-amerikanë. Ky takim ishte mbresëlënës, miqtë e librit diskutonin me respekt e dashuri për librin, për njëri-tjetrin. Pritej me padurim mysafirja amerikane. Arritja dhe hyrja e saj në sallë u prit me duartrokitje. Ajo shoqërohej nga anëtarët e Shoqatës së shkrimtarëve që vinin nga Nju Xhersi, Bexhet Asani, me zonjën e tij, Afërditën dhe këngëtaren e mirënjohur në komunitet, Sebahate Berlajolli dhe Sabije Veseli ku kishte kaluar natën poetja amerikane. Carrie Hooper jeton në qytetin Elmira që ndodhet në pjesën jugore të shtetit të Nju Jorkut, afër kufirit me shtetin e Pensilvanisë. Për të ardhur në këtë promovim libri udhëtoi mbi pesë orë me autobus. Ajo u mirëprit nga Shoqata e Femrave shqiptaro-amerikane Marigona me kryetaren e saj, Sabije Veseli.Të gjithë, të emocionuar dhe me shumë respekt shkonim për të takuar dhe për t’u prezentuar para saj, meqë ajo është e verbër.

Promovimin e librit poetik të Carrie Hooper e udhëhoqi poeti Mëhill Velaj, i cili fillimisht i bëri një prezantim të shkurtër shkrimtares amerikane.

Programin e hapi presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, i cili ndër të tjera tha: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizon këtë audiencë me poeten amerikane Carrie Hooper, për të krijuar ura afrimi, bashkimi dhe bashkëpunimi, si dhe ka të bëjë me njohjen e një poete të huaj me lidhjen tonë dhe me lexuesit. Në këto 17 vite të Shoqatës së Shkrimtarëve, kemi organizuar shumë takime dhe promovime librash, por ky i sotmi është më ndryshe, sepse kemi para nesh një poete amerikane, e cila për fatin e mirë të shqiptarëve, flet dhe shkruan në gjuhën shqipe,-i cili në vazhdim, mes tjerash tha se “në shtetin e Nju Jorkut jeton dhe krijon profesoresha amerikane, Carrie Hooper, njohëse e disa gjuhëve të huaja, poete e mbushur me frymëzim. Një grua idealiste dhe besimtare e devotshme, e cila, e magjepsur nga gjuha e bukur shqipe, nga historia e lashtë dhe e lavdishme e popullit shqiptar, lexon çdo gjë që lidhet me gjuhën shqipe dhe me shqiptarët, dhe, në këtë rast me bashkësinë shqiptare që jeton në Amerikë dhe më gjerë. Është një histori tejet interesante. E bukur dhe magjepse. Një histori e mbushur me episode nga më të ndryshmet, që ka të bëjë me dashurinë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, kryesisht me botën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Profesoresha ka vite që është bërë një personazh i njohur për lexuesit, e cila gjithmonë vinte përmes ndonjë interviste apo shkrimi. Librin e saj që po e sjellim për lexuesit, mund ta quajmë me plotë të drejtë një lulemëngjesi në poezinë shqipe”.

Ndërkaq, Dr. Yllka Filipi në vështrimin e saj me titull “Përndritjet hyjnore në vargjet e Carrie Hooper”, në mes tjerash sheksoi: “Ky zgjim si nga një ëndërr e mundimshme, më bëri të dridhem! Lexoj: Piktura në fjalë! Poetesha njujorkeze Carrie Hooper me vëllimin poetik “WORD PAINTINGS” i këndon Atdheut Tim, Atdheut Tonë, me pasion, dashuri dhe adhurim duke e ngritur deri në piedestal! Përtej dimensionit tokësor, ajo shpalos, në faqe të panumërta dimensionin shpirtëror i cili fluturon i lirë në qiellin shqiptar dhe rezonon dashuri për Shqipërinë, dashuri për heronjtë tanë, dashuri dhe krenari për shqiptarin e thjeshtë, traditën, kulturën. “Jam nga Shqipëria”- tha studenti im… – zanafilla e ka pikënisjen këtu: Ky emër rrufeshëm shndërrohet në perceptimin tim si një Muzë e patriotizmit, e dashurisë për Shqipërinë! A ishte kjo një shenjë hyjnore? A ishte kjo rruga? Shkaku? Zanafilla e dashurisë për një komb të panjohur, dashuria me dëgjim të parë! Kush ishte kjo krijesë e verbër dhe e brishtë, me shpirt të ndjeshëm, e rritur në madhështinë hijerëndë të New York-ut, muzikantja që studionte piano, poliglotja që dashuronte gjuhët e huaja? Jo vetëm kaq! Dora hyjnore merr pjesë në këtë përzgjedhje. Kush është kjo krijesë e bekuar që ka ndërmarrë përsipër rolin dhe detyrën e shenjtë hyjnore për të çliruar nga brengat, njeriun e thjeshtë, njeriun e sakrificës, njeriun e vërtetë? Si një endacak i verbër në botën e vrazhdë e të skërmitur, shpirti poetik shtrin duart drejt Shqipërisë dhe shndërrohet në lypsar të dashurisë së përjetshme, bëhet hymn i shqiptarizmit. Prek oazet e paqes nëpërmjet vibrimit të energjisë që përcjell, pasi e ka lenë zemrën peng në flirtet me Hyun, në tempujt e lumturisë drejt transhendencës, pastrimit suprem”.

Kryetarja e Shoqatës së shkrimtarëve, Raimonda Moisiu, për shkaqe familjare nuk ishte fizikisht e pranishme, por ajo kishte dërguar një përshëndetje nga Jacksonville i Floridës, që u lexua nga poetja Blerta Alikaj. “Në këtë ditë të bukur tetori-shkruan Raimonda Moisiu- Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro–Amerikanë është duke promovuar, vëllimin poetik në gjuhën shqipe: “Piktura në fjalë”, të pedagoges së gjermanishtes dhe të italishtes, njohëse e 9 gjuhëve të huaja mes tyre edhe gjuhën tonë shqipe, sopranon dhe poeteshën shqipfolëse, vajzën e talentuar amerikane Carrie Hooper, që ecën në rrjedhën e jetës drejt dijeve dhe promovimit të vlerave që ajo atribuon. Ka krijuar kontakte miqësie e dashamirëse me botën shqiptare në Diasporë, të cilat sic shprehet edhe vetë shqipfolësja amerikane, kanë qënë një ndihmesë e mrekullueshme dhe profesionale për mësimin dhe perfeksionimin e gjuhës shqipe shumë mirë, me saktësi gramatikore, letrare dhe rrjedhshëm në të folur e shkruar. Talenti, aftësia, kontributi i saj është shëmbulli më njerëzor i dashurisë për jetën. Për këtë poetesha shqipfolëse amerikane Carrie Hooper është vlerësuar shumë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

Ëndrrat për të botuar vëllimin me poezi ia realizoi poeti e publicisti i njohur Adnan Mehmeti, njëkohësisht edhe president i Shoqatës. Shkrimtar i vërtetë dhe promovues është ai/ajo që mbështet çdo event i cili organizohet në emër të botës së bukur të Artit, Poezisë dhe Letërsisë…! Jo pa qëllim në fjalën time përshëndetëse u përqëndrova ndaj dy poetëve të vargut shqip në rrugën e poezisë moderne si edhe me përvojat më të reja të poezisë shqipe sot, sepse që të dy na bëjnë të qartë lidhjen shpirtërore, ajo e Carrie Hooper që “me gjak dhe kombësi është amerikane, por me shpirt është shqiptare, lidhjen fizike e shpirtërore të poetit Mehmeti, me atdheun, vendlindjen dhe Diasporën, në bashkëveprim ndërmjet përvojës personale dhe asaj të shoqërisë”.

Ishte emocionuese fjala e Pierre-Pandeli Simsisë, anëtar i vjetër i shoqatës. Ai iu drejtua poetes me këto fjalë: “E dashura motra jonë Carrie Hooper.Unë që po ju flas tani quhem Pierre-Pandeli Simsia, me origjinë nga Berati i Shqipërisë, banues në Nju Jork, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve. Po ju drejtohem me fjalën e bukur shqipe, e dashur, sepse kjo fjalë kuptimplote nuk ka vetëm kuptimin sentimental.

Me këtë fjalë të shenjtë, e dashur, ne i drejtohemi prindërve tanë, motrave, vëllezërve tanë, miqve, shokëve, atdheut tonë të dashur.Dhe ju, e dashur profesoreshë Hooper e meritoni më së miri këtë fjalë të bukur shqipe, sepse ju e flisni, e shkruani, e shprehni shumë bukur gjuhën tonë të shenjtë, gjuhën shqipe.Ju, me punën tuaj në shërbim të gjuhës sonë, jeni bërë pjesë e komunitetit tonë të dashur, e bashkësisë sonë të mrekullueshme shqipe.Nuk ka zemër shqiptari kudo ku ndodhen të mos ndjejë gëzim, kënaqësi, krenari, emocione kur lexon atë çfarë ju keni shkruar dhe jeni shprehur në gjuhën shqipe:…. E kush shqiptar nuk do ndihej krenar me ty ndërsa lexon këto vargje? Ju jeni besimtare e Zotit, ashtu siç jam edhe unë, ashtu siç jemi të gjithë ne tek i madhërishmi, I gjithpushtetshmi Zot.Edhe pse i madhi Zot, është i padukshëm, i kudogjendur, në libër ne e shijojmë bukurinë e tij, nëpërmjet vargjeve të tua, që ti aq bukur i ke kënduar: Carrie motër! Ju jeni shembull frymëzimi për mbarë popujt e çdo kombi. Që nga dita e sotme, ju jeni anëtare nderi e shoqates”.

Anëtarja e shoqatës, Veneta Çallpani, në mes tjerash shkruan: “Nuk është e lehtë sot për mua të flas për një shqiptare të vërtetë, edhe pse ajo nuk ka lindur e jetuar ne Shqiperi, por pasioni i saj për Shqiperinë ka qenë më i madh ndoshta sesa i shumë shqiptarëve. Është emocion, përgjegjësi, privilegj, ndjesi e veçantë të flasësh para jush për një personalitet si Carrie Hooper, e cila bën krenar jo vetëm shqiptarët, por çdo qytetar të botës. Zoti nuk u tregua bujar me shikimin e saj, por e pasuroi me një shpirt të madh e me një vullnet të hekurt për të na lënë gjurmë të përjetshme të gjithëve ne. Kënget e saj janë emocion, poezitë e saj janë megjepsje, shpirti i saj i derdhur në letër dhe në tinguj, plotëson boshllëkun shpirtëror të kujtdo. Carrie Hooper më mbush me shpresë dhe bindje që në këtë botë nuk ka asgjë të pamundur, që asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi, edhe kur dallgët e jetës na përplasin aq fort sa të na marrin shikimin, sepse jeta është më së shumti ndjenjë sesa pamje. Një njeri i jashtëzakonshëm, që me vullnet të hekurt na jep të gjithëve mesazhe kaq të forta. Një poete e vyer, që për gjuhën shqipe kontribon me zemer të madhe… Faleminderit Carrie Hooper, të gjithë ne si shqiptarë jemi në borxh ndaj teje”.

Shahbaze Vishaj Grajçevci, anëtarja më e re e shoqatës, në këtë promovim u praqit me kumtesën “Vargje tërheqëse dhe kuptimplota të potes amerikane “. Libri me titull” Piktura në fjalë”, i autores amerikane, Kerri Huper (Carrie Hooper), ngërthen në vete shkrime, dhe vargje mjaft tërheqëse e kuptimplota për lexuesin. Nisur nga titulli shumë simbolik:” Piktura në fjalë”, shihet qartë se kemi të bëjmë me një libër me vlera ideo artistike. Libër ky i përgatitur për botim nga krijuesi Adnan Mehmeti.

Libri nis me shkrimin: Lulemëngjesi në poezinë shqipe, hartuar nga redaktori A. Mehmeti, i cili i pasqyron vlerat krijuese të autores, për të kaluarën, të sotmen, me synim kah e ardhmja e saj artistike.

Jetëshkrimi, i autores i përfshirë në tekst, është gjithë hapërimi real i poetes nga dita e lindjes e deri më sot. Është hapërim që na mbush me emocione të shumta dhe të ndryshme, nga i cili kuptojmë se nuk duhet të dorëzohemi para sfidave që na sjell fati i jetës. Pra, duhet vetëbesim dhe kurajo, se njeiu mund t’ia dalë dhe të jetë i suksesshëm siç është edhe poetesha Huper (Hooper)…. Lexues të dashur lexojeni se do të reflketoni pozitivisht pë çdo gjë në jetë”.

Publicisti, Qazim Doda, e hapi kumtesën me fjalët:” Libri “Piktura në fjalë” e Prof. Hooper i cili u përgatit nga poeti Adnan Mehmeti më ktheu disa vite mbrapa tek takimi im i parë me këtë vajzë intelegjente e cila ma respektoi vendin, gjuhën dhe kombin tim. Unë u ndala pak tek intervista dhe u koncentrova ne Shqipen, njohuria për shqiptarët dhe Shqipërinë e e saj. Para 6 viteve u takova me Prof. Hooper dhe pata fatin ta intervistoja në oden e shqiptarëve të Nju Jorku tek Gjergj Dedvukaj. Shqipja e Prof. Hooper më bënte të dyshoja nëse ajo është një amerikane, sepse këtu nuk janë të dhënë pas mësimit të gjuhëve të huaja. Fliste gjuhën standarte dhe nuk paraqiste asnjë vështirësi në shqiptimin e fjalëve shqipe: “Unë fillova të mësoj shqip në tetor të vitit 2008 nga një student i imi shqiptar tek Elmira College ku jap Italisht dhe Gjermanisht.” Tha Prof. Hooper. Ajo kishte një lutje për shqiptarët që ta mësojnë sa më shumë gjuhën standarte dhe të lënë anash fjalët e huaja. Foli me shpirt të zjarrtë. Ka shkruar mbi 60 poezi me respektin më të madh për Shqipen, Shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike. Puna e saj kërkon një vlerësim më të mirë në të ardhmen, respect nga ne dhe më në fund do të thoja dy fjalë nga thellësia e shpirtit tim: Faleminderit Carrie!”

Petraq Risto, anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve, erdhi me kumtesën “Fjala s’është e verbër” “Fjala në librin e Kerri Huperit ka peshë të veçantë, ka ngjyresa emocionale, ka dritën e shpirtit të saj. Ajo përgjithësisht në të gjitha poezitë është e drejtpërdrejtë, e hapur, e kthjellët. Në të shtatë ciklet e këtij vëllimi, spikat shpirti i saj i lirë, dashuria për njeriun. Në dy ciklet e para Kerri është shqiptare e vërtetë, ajo këndon, gëzon, shpërthen me një temperament shqiptar, përdor pothuajse gjithnjë vetën e parë: fëmijë i Shqipërisë në shpirt dhe zemër jam”, “Flamuri ynë i çmuar”, “Sa kërcen shpirti i Arbrit kur gjuhën e paprishur dëgjon!”.

Kerri Huper ka gjetur sekretin që nëpërmjet gjuhëve të popujve të ndryshëm të arrij në zemrën e Dashurisë, në zemrën e të vërtetave të mëdha. Ajo tashmë është një misionare e Dashurisë. Poezitë në ciklet “Të vërtetat thelbësore”, “Vallja e paqes”, “Jeta: një poezi hyjnore”, “Këngë filozofike” dhe “Koncerti i natyrës” përcjellin te lexuesi gjithë dritën e shpirtit të saj dhe hera herës poezi, strofa apo vargje të veçantë, na tingëllojnë si psallme. Kjo poezi shpesh ka karakter universal; edhe kur proteston, edhe kur përcjellë dhembje autorja është e kujdesshme, nuk do të lëndojë njeri dhe shpesh vargjet kthehen në balsam. E lexon apo e dëgjon të recitohet dhe ndjehesh i qetë, mes një atmosfere paqësore, të ngrohtë dhe padashur kupton se poetesha të është kthyer në një motër. Natyrisht nuk është e lehtë të përjetosh një gjendje të tillë. Këtë e bën vetëm një krijues që çliron mirësi”.

Abdullah Zeneli, Botues i Buzukut, dërgoi përshendetje nga Panairi i librit në Frankfurt, ku ndër të tjera shkruante: “Të dashur organizatorë, të dashur bashkatdhetarë, e nderuara Carrie Hooper, Kam nderin dhe privilegjin t’ju përshëndes nga Frankfurti, ku ndodhem në ngjarjen më të madhe të librit të botës, panairin e librit. Pikërisht në këtë festë të madhe të librit, ku merr pjesë Kosova dhe shtëpia botuese Buzuku, u ekspozua me plot sukses edhe libri i juaj, e nderuara Hopper! Kënaqësi për një botues, për gjithë lexuesit, vizitorët e shumtë që për disa ditë rresht në qendër të vemendjes të kenë librin tuaj Piktura në fjalë. Kënaqësi për botuesin, sepse libri është shumëfish i rëndësishëm: 1. Se autorja është pranuar përzemersisht nga lexuesi shqiptar, 2. Se autorja është aq e lidhur me shqiptarët jo vetem me njohjen e gjuhës shqipe por dashurinë e madhe e të sinqertë që ndien për popullin tim, 3. Se përurimi ndodh në SHBA, në komunitetin shqiptaro-amerikan, për mua dhe shtëpinë botuese Buzuku një privilegj i çmuar, 4. Se e gjitha ndodhi falë bashkëpunimit me mikun Adnan Memeti, të cilin e falenderoj posaçërisht për besimin e dhënë që ky libër të botohet sa më i përkryer dhe konform standardeve që ndjek shtëpia botuese Buzuku. 5. Se për një kohë të shkurtër dy-tre mujore, qëkur doli libri nga shtypi, lexohet dhe kërkohet nga lexuesi mirënjohës për vlerat e librit, vlerat poetiko-letrare dhe ato humane për mesazhin dhe dashurinë njerëzore që përçon… Të gjitha keëo që ceka në vrapin e kohës tejet të kufizuar që kam këto ditë, nuk më justifikojnë për mungesë modestie të zgjatem në elozhe meritore për autoren dhe të gjithë juve sa jeni të pranishëm për ta nderuar poeteshen Carrie Hopper! Urime dhe suksese pa fund!”

Mjaft emocionuese dhe interesane ishte fjala e Carrie Hooper: “Përshëndetje. Faleminderit që erdhët në këtë promovim të librit tim! Faleminderit për fjalët e ëmbla të prezantuesve. Falënderoj të gjithë ata më ndihmuan gjatë viteve në zhvillimin tim si poete me sugjerimet e korrigjimet e tyre. Faleminderit edhe Adnanit se organizoi këtë veprimtari të bukur dhe do të doja të shprehja mirënjohjen time për gjithçka që bëri për ta mundësuar ardhjen time në Nju Jork. Faleminderit Sabije Veselit për mikpritjen e saj.”

Sot është një ditë e veçantë sepse pikërisht sot më 14 Tetor para dhjetë viteve, fillova të mësoja shqip. E thërras ditën e 14 Tetorit Ditën e Shqipes, sepse fillova të mësoja shqip në këtë datë. Kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes dhe kjo më frymëzoi të mësoja gjuhën. Përdora një libër të cilin e gjeta te Biblioteka për të verbërit në Angli dhe ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek Universiteti Shtetëror i Arizonës për dy vera me rradhë. Tani lexoj tekste në gjuhën shqipe duke përdorur kompjuterin tim braili. Kur fillova ta mësoja gjuhën, shoku im Tim Hendel më inçizonte emisione radiofonike nga interneti në gjuhën shqipe që të kisha mundësi ta dëgjoja gjuhën dhe m’i dërgonte në kasetë me postë. Kur Radio Tirana transmetonte në valët e shkurtra, Timi e inçizonte nganjëherë. Nuk merrej shumë mirë në radio, prandaj shkonte disa herë më këmbë te një park afër apartamentit të tij, ngrinte një antenë, dhe inçizonte Radio Tiranën nga ky vend që të merrej sa më mirë. Edhe sot ai vazhdon të më inçizojë emisione nga Interneti dhe për të është një punë dashurie. Tani do të doja ta këndoja himnin kombëtar shqiptar. Edhe njëherë falemnderit!”

Carrie Hooper këndoi himnin kombëtar bashkë me të gjithë pjesëmarrësit. Ajo na solli Shqipërinë tonë të dashur në Nju Jork. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë e mirëpret në gjirin e saj, duke e shpallur anëtare nderi të shoqatës. Gjithashtu Carrie Hooper iu akordua edhe titullii i lartë pegasian “POLEART “PEGASI”, që ia ndau zevendpresidenti Bexhet Asani. Programin e pasuruan me recitime nga krijimtaria letrare e autores artisti i njohur Xhevat Limani dhe studentja shqiptaro-amerikane Fatjona Kelmendi, si dhe këngëtarja e njohur Sebahate Berlajolli. Takimi u përcoll nga Televizioni “Albanian Culture” përfaqësuar nga z. Adem Belliu dhe Televizioni “Albanian American Vision” me përfaqësues z. Qazim Doda.

Adnan Mehmeti

Nju Jork, 14 tetor 2018

Comment

*