CAS e refuzon kërkesën e Serbisë për anulimin e pranimit të Kosovës në UEFA

Prishtinë, 24 janar 2017 – Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se e ka marrë njoftimin se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka refuzuar kërkesën e Serbisë për anulimin e pranimit të Kosovës në UEFA.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se argumentet e UEFA-s ishin më të forta se përpjekjet e Serbisë.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka deklaruar se me këtë refuzim të CAS-it “u mbyllet goja“ skeptikëve.

“Edhe një herë u dëshmua se kishim të drejtë dhe CAS-i e njohu vendimin e UEFA-s si të ligjshëm në favorin tonë. Unë isha thellësisht i bindur se një vendim i tillë do ta sillte CAS-i, sepse në anën tonë e kishim të drejtën, të cilën jo vetëm ne por e mbrojtën edhe miqtë tanë”, ka thënë Vokkri.

“Me këtë edhe një herë u mposht shteti serb, i cili kishte paguar alamet ekspertësh për ta zhbërë vendimin e UEFA-s, si dhe iu mbyll goja skeptikëve se gjoja mund të rikthehet vendimi i marrë nga Kongresi i UEFA-s, i mbajtur më 3 maj 2016”, ka thënë kryetari i FFK-së.

Vokrri ka theksuar se ky vendim i CAS-it duhet ta fuqizojë Kosovën dhe futbollin e Kosovës. (r.m.)

Comment

*