Çdokush ka një ëndërr

(Intervistë me skulptorin Vasil Rakaj)

 

Nga Tom Therçaj dhe Ermira Therqaj

Më shumë se një gjysëm  shekulli më parë ,pikërisht  në vitin 1963,  në Washington D.C., Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin historik që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Unë kam një ëndërr” (I have a dream).

Atemot, skulptori i njohur shqiptar Vasil Rakaj  ishte  vetëm 10 vjeç, në moshën kur ëndrrat kanë vetëm dimensione fëminore.

Por edhe nëse  do të ishte i rritur, për rregjimin komunist të asaj kohe Amerika ishte “molla e ndaluar”. Vendi i izoluar i diktaturës ,rrethuar me tela me gjemba nuk mund të shikonte përtej  sinoreve të veta.

Ëndrra e lirisë, ëndrra e barazisë dhe të tjera ëndrra të guximshme do të lindnin e do të bëheshin realitet vite më vonë. Tashmë, Rakaj prej 2 dekadash punon dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i monumentit të Shenjtores Nënë Tereza, vellezerve Coku dhe i shumë veprave të tjera, fitues i disa çmimeve, është përzgjedhur për të realizuar bustin kushtuar aktivistit të famshëm për të drejtat e njeriut, Martin Luther King Jr.

 

Jeni autor i veprave të dy personaliteteve me famë botërore: Shenjtores Nënë Tereza dhe aktivistit Martin Luther King Jr. A mund të përshkruani  shkurtimisht pse pikërisht  Vasil Rakaj?

Është një pyetje që nuk e degjoj për herë të parë .Shumë të tjerë , jo vetem gazetarë por edhe njerëz  të zakonshem e kanë këtë kuriozitet.

Janë dy histori të ndryshme dhe shumë interesante. E para, nisma për realizimin e monumentit të Nënë Terezës ishte një nismë private e vëllezërve Gojçaj, shqiptarë nga Mali i Zi me banim në SHBA. Ndërsa busti i King është një nismë institucionale.

Pikerisht ne vitin e trazuar  1997, kur shumë njerëz rrëmbyen armët, unë i kaloja ditët e pothuajse edhe netët brenda studios time ne kryeqytetin shqiptar ne Tirane. Vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj, ishin njohur me krijimtarinë time, e sidomos portretin në dru të Nënë Terezës që ishte paraqitur në konkursin tematik kushtuar bamirëses shqiptare në Galerinë Kombëtare të arteve në vitin 1996. Edhe pse mora çmimin e tretë, nga ai çast pata privilegjin dhe nderin të quhem skulptori i Nënë Terezës. Vëllezërit Gojçaj më përzgjodhën dhe financuan realizimin e monumentit të Nënë Terezës që do të vendosej në Tuz (Mali i Zi), Prishtinë (Kosovë), Detroit dhe New York (SHBA). Kjo më bëri autorin e parë në botë që përjetësoi në skulpturë Nënë Terezën. Kanë kaluara dy dekada nga ajo ditë dhe tematika kryesore në punimet e mia është kjo shenjtore me origjinë shqiptare. Ndjehem i motivuar, ndjehem i frymezuar dhe kete ja dedikoj edhe shenjtores Nene Tereza.

 

Po Martin Luther King Jr., si erdhi në studion tuaj ?

Prej shumë vitesh jam anetar i  Shoqatë  së Skulptorëve në Connecticut ku jetoj me familjen time dhe  kam marrë pjesë në shumë ekspozita. Pikerisht kjo shoqatë rekomandoi disa artistë  të mundshëm për realizimin e Martin Luther King Jr , mes të cilëve bëja pjesë edhe unë. Bashkë me disa vepra për Nënë Terezën dhe portrete të figurave historike shqiptare, prezantova edhe projektin për bustin e King (bocet), si pasaportë e identitetit tim krijues. Siç duket, kisha qëlluar në shenjë. Nuk kaloi shume kohë për ta vërtetuar  këtë.

Brenda pak ditësh  trokitën në studion time një grup prej 10 vetë ku bënte pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit ku jetoj Ansonia, Connecticut, David Cassetti. Të tjerët ishin përfaqësues të komunitetit, organizatorë për realizimin e veprës që do të vendoset pranë bashkisë së qytetit të Ansonias. Aty mu dha edhe lajmi i mirë që kishin  përzgjedhur mua. Ishim të gjithë të gëzuar e nuk di se kush më shumë, unë si autor apo ata që kishin marrë vendimin.

 

A keni arritur në një përfundim tashmë , ja dedikoni fatit apo talentit  këtë projekt që do ta dëshironte çdo artist?

Kur bëhet fjalë për fatin gjithnjë, ia dedikoj Nënë Terezës të cilën e ndiej si engjëllin tim mbrojtës. Nuk harroj në asnjë çast të shprehem me zemër se ajo më ka ndryshuar jetën. Është më shumë se një mrekulli që një artist shqiptar i cili në rininë e vet është edukuar nga sistemi komunist me urrejtjen ndaj fesë dhe kapitalizmit, të bëhet qytetar Amerikan dhe autor i personaliteteve të shquara si Nënë Tereza dhe Martin Luther King Jr.

Nëse, duke lënë modestinë mënjanë, do ta konsideroj talent arritjen time, duhet të jem mirënjohës ndaj shkollës shqiptare për formimin tim artistik në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Vertet kishim kufizimet ideologjike të kohës ,por universiteti ka nxjerrë ndër vite talente të spikatur që janë bërë të njohur kudo në botë.

Ndoshta janë të dyja bashkë, edhe fati edhe talenti. E kush më shumë mund t’i jepte jetë ëndrrës sime.

 

Në ç’fazë të proçesit  krijues të veprës jeni?

Na ndajnë vetem pak muaj nga dita kur Martin Luther King Jr. Do të jetë mes njerzve. E pres me gëzim këtë çast dhe jo vetem unë por mijra qytetarë amerikanë. Pas shumë konsultimesh në komunitet, institucionet e kulturës dhe bashki, është përzgjedhur fillimi i pranverës së vitit të ardhshëm për të përuruar bustin në fjalë. Ndërkohë, unë kam hulumtuar shumë mbi figurën e King, që përherë e më shumë më ka mbushur me frymëzim të ri. Herë pas here organizoj takime me përfaqësues të komunitetit fetar, që janë iniciatorë të veprës. Edhe sot, pas më shumë se një gjysmë shekulli, ata vazhdojnë ta kenë si pikë referimi aktivistin Martin Luther King Jr. Ëndrra e tij është realizuar. Amerika është vendi i shanseve të barabarta dhe i dimensioneve të lirisë. Veç ëndrra e King mund të ishte aq e guximshme saqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të drejtoheshin për 8 vite nga një Afrikano-Amerikan, si Barack Obama.

Dimensionin e shanseve të barabarta e kam përjetuar çdo ditë në Amerikë, por veçanërisht në përzgjedhjen për realizimin e kësaj vepre. Siç dihet ka artistë të shumtë me prejardhje të ndryshme në SHBA. Asnjëri nga organizatorët nuk u ndikua nga bindjet e mia, origjina, as nga ngjyra e lëkurës për të më përzgjedhur si autorin e veprës.

Është sa interesant, aq edhe paradoksal fakti se dikur jetoja në Laç, ku edhe pse fare pranë kishës së Shën Ndout besimin e kisha të shtypur, sot jam duke realizuar, pas Shenjtores Nënë Tereza, bustin e Nobelistit për Paqen, Martin Luther King Jr.

Pranvera nuk është larg. Vepra tashmë është drejt perfundimit.

Unë  vazhdoj ti kthehem e rikthehem çdo ditë e çdo çast edhe për detajet më të hollesishme. Edhe vlerësim , kënaqësi  por më shumë pergjegjesi të jesh autor i këtij personaliteti të madh.

 

Një artist është gjithnjë në kerkim, cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

Jo vetem për të ardhmen, por edhe gjatë këtyre diteve punoj paralelisht në disa vepra. Ndihem më i motivuar se asnjëherë tjetër. Unë si shumë artistë të tjerë kam disa projekte paralele. Si më të rendesishme dua të cilesoj një vepër për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të tjera vepra monumentale e lirike.

Artisti siç u shprehët edhe ju është  perhere në kerkim.

Kam punime të miat në muzeun Gjergj Kastrioti në Krujë ,në Laç, në kishen e Hotit në Malesinë e Madhe, në qytetin e Lezhes, në Mal të Zi, në Kosove, në Amerike dhe në koleksionet private të artëdashësve  në shumë vende të botës.Herë pas here jam marrë edhe me pikturë , e me gdhendje në dru përveç skulpturës që është ushqimi im i përditshëm .

Ëndrra ime e parealizuar mbetet një vepër në vendlindjen time, në Malësinë e Madhe.

Ajo është djepi që ka rritur trima legjendarë , burra të mençur  ,artistë e mbi të gjitha njerëz mendje hapur  që e kanë dashur gjithmonë qyteterimin dhe SHBA.

Portret Nënë Tereza nga V. Rakaj

Skulptori V. Rakaj me organizatorët.

Nënë Tereza në Prishtinë vepër e V. Rakaj.

Martin Luther King Jr. vepër e V. Rakaj.

Skulptori Vasil Rakaj gjatë proçesit krijues.

Comment

*