Çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur, por askush nuk mund të na ndalojë bashkimin

Intervistë e gazetës “Illyria” me akademik Esat Stavilecin: Figurativisht e kam thënë ndonjëherë se nuk dua të jem me asnjë parti, sepse dua që të jem me të gjithë

 

Intervistoi: Bekim Salihu

Z.Stavileci, konsideroheni njohës i mirë i çështjes shqiptare, në vështrim të kësaj, si e vlerësoni aktualisht pozicionin e Shqiptarëve në Ballkan?

Pozicioni i shqiptarëve në Ballkan mund të vlerësohet  varësisht nga syri  me të cilin e “shikoni”. Njëqind vjetori i shtetit shqiptar ishte rast i mirë për ta bërë këtë vlerësim. Gjykuar sipas aspiratave të shqiptarëve të shprehura 100 vjet më parë, çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur. Gjykuar sipas pozitës së shqiptarëve në segmentet e veçuara të saj- mbetet e parealizuar. Gjykuar sipas aspiratave evropiane – mbetet e paqartë. Gjykuar sipas te tria aspiratave njëkohësisht, shqiptarët, ndonëse në një pozicion më të mirë, vazhdojnë të jetojnë në pritje të kohëve edhe më të mira për ta, pa ditur se çfarë do t’u sjellë e ardhmja. Moszhbërja e shtetit shqiptar deri te anëtarësimi i tij në NATO dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe jo zhbërja e saj, edhe pse ende jo në kapacitete të plota, e kanë ndryshuar pozicionin e shqiptarëve në Ballkan. Edhe pse të ndjekur dhe të përndjekur, të dënuar dhe të vrarë, shqiptërët i rezistuan kohës dhe ruajten qenien e tyre si komb.

Nëse shekulli i kaluar ishte shekull i padrejtësive ndaj shqiptarëve, ky shekull do të duhej të ishte shekull i vetë shqiptarëve, sepse  pasqyra e shqiptarëve sot flet për: Shqipërinë, kombëtarisht të cunguar, Kosovën shtet, me sovranitet të kufizuar, Shqiptarët në Maqedoni, nga një numër lirish dhe të drejtash kolektive kombëtare të privuar, Shqiptarët në Kosovën Lindore, nga të huajt të sunduar, Shqiptarët në Mal të Zi, në pikëpamje etnike të pakonsoliduar, Çamëria, pothuajse e harruar, Shqiptarët në Turqi, gati të asimiluar, Mërgata shqiptare, partiakisht e shpartalluar, Diplomacia shqiptare e paunifikuar, Politika kombëtare e pa formësuar.

 

Esat Stavileci

Esat Stavileci

Keni shkruar e folur shpesh për bashkimin kombëtar, ç ‘mendim keni sot për bashkimin kombëtar pas pavarësimit të Kosovës?

Po, kam shkruar për bashkimin kombëtar, si synimin shekullor të shqiptarëve. Kam shkruar veçanërisht shumë në kohën kur bashkësia ndërkombëtare hamendej me të ardhmen e Kosovës dhe nuk kishte ende një pozicion të qartë në lidhje me te. Ndërkombëtarët përkrahen opsionin e moderuar të pavarësisë së Kosovës karshi bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Ndërkohë, ne shqiptarët festojmë prej vitit në vit 28 nëntorin e 1912-s. Me 28 nëntor 1912 nuk u shpalll pavarësia e Shqipërisë në të cilën jetojnë sot shqiptarët. U shpall pavarësia e Shqipërisë, me Kosovën dhe Kosovën Lindore, Pollogun dhe Malësinë e Sharrit, Ulqinin dhe Malësinë në veri dhe Çamërinë në jug. Konferenca e Londrës me 1913 vendosi ndryshe. Ajo për shtet shqiptar njohu Shqipërinë aktuale. Shqiptarët asnjëherë nuk vendosën  për fatin e tyre si popull dhe si komb. Problemi qendror me shqiptarët sot është se çështja e tyre nuk vështrohet dhe nuk njihet si çështje e një populli dhe kombi të ndarë padrejtësisht. Prandaj, bota vazhdon të merret me shqiptarët sikur të ishin gjashtë popuj dhe sikur të kishin gjashtë çështje.

Me pavarësinë e Kosovës, Evropa bëri përpjekje për të “korrigjuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve, pa vrarë mendjen se, e para, vendosi një “drejtësi të vonuar”, sepse Kosovës e drejta  për vetëvendosje duhej t’i njihej, së paku, në kohën kur kjo ndodhi me ish- republikat e Jugosllavisë dhe, e dyta, vendosi një “drejtësi të cunguar”, sepse me Kosovën nuk u rrumbullakua tërësia e çështjes shqiptare. Pas pavarësimit të Kosovës, vazhdoj të shkruaj se edhe 100 vjet prej krijimit të shtetit shqiptar, hapësira ku jetojnë sot shqiptaërët , ende nuk konsiderohet dhe nuk njihet si një tërsi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore, ekonomike e politike.

Veprimi që do të duhej të bënin sot shqiptarët është që të ndryshojnë raportet nëpër të cilat kanë kaluar deri më tash si popull dhe si komb, në mënyrë që të mos pësojnë që, duke u rritur si popull, të tkurren si komb. Kjo do të mund të ishte tragjedia e tyre. Bashkimi është shumëdimensional dhe atë vazhdimisht duhet ta ushqejmë. Atë askush nuk mund të na ndalojë. Kosova është pjesë e tërësisë dhe tërësia varet prej saj. Problemi i statusit të shqiptarëve  “nuk është kontestues as historikisht, as aktualisht, as demografikisht, as territorialisht, as politikisht, as juridikisht”, meqë shqiptarët kudo që janë, janë një popull, prandaj duhet hedhur kategorikisht pikëpamjet dhe tendencat që të përdorën emërtime të ndryshme për shqiptarët në Shqipëri dhe për shqiptarët jashtë kufijve të tashëm të saj që, në fakt, nëpërmjet emërtimit të ndryshëm, një popull ta ndajnë në dy e më shumë pjesë. Popullin shqiptar e përkon e kaluara e përbashkët, edhe fati i përbashkët, edhe interesat e përbashkëta, e veçanërisht e ardhmja e përbashkët. Kufijtë nuk janë të shenjtë siç ishin dikur. Duhet të krijojmë hapësira për integrime në çdo fushë të jetës. Ndryshe, Shqipëria Etnike ose Natyrale nuk është Shqipëri e Madhe. Shqiptarët nuk kanë koncept të shtetit të madh, sikurse që e kanë, për shembull, Serbia dhe Greqia. Atëherë, përse një shtet natyral të konsiderohet për shtetmadh? Përgjigjen në këtë pyetje po e mbyll me një aforizëm: Të veprosh i pa bashkuar, nuk është produktive, të bashkohesh pa vepruar, është e padobishme.  Ndeshja nuk duhej të fillonte nga “rezultati zero”.

 

Të ndalemi pak në aktualitet, si po i vlerësoni bisedimet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit?

Me të drejtë thuhet se duhet të bisedohet, qoftë dhe me armikun, me kusht që palët të jenë të barabarta në bisedime. Të mos qenët të barabartë në bisedime, dhe të mëparshme dhe në këto të tashme në Bruksel, më kanë mbajtur të rezervuar, derisa sa vetë ato i kam quajtur një “investim i gabueshëm i bashkësisë ndërkombëtare”. Kam thënë se po qe se  bisedohet me Serbinë, qoftë edhe për të ashtuquajturat “çështje teknike” , pa u bërë një përllogaritje e pasojave të luftës së tmerrshme në Kosovë, do të legjitimohet gjithë ajo që Serbia shkaktoi në Kosovë, me politikën shfarosëse ndaj shqiptarëve, të cilën e zhvilloi në mënyrë sistematike, të planifikuar dhe të vazhdueshme. Prandaj, ndeshja nuk duhej të fillonte nga “rezultati zero”, sikur asgjë të mos kishte ndodhur në Kosovë. Serbia nuk u kushtëzua me asgjë. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhej ta fuste Kosovën në një rrugë, skaji i së cilës nuk shihet edhe sot. Ajo nuk duhej ta favorizonte Serbinë dhe, nga ana tjetër, të kërkonte konçesione prej Kosovës. Bisedimet në Bruksel kanë rëndësinë e vet, por në rradhë të parë ato e favorizojnë Serbinë, ndërkohë që Kosovës i premtohet një “shpërblim” për konçesionet e bëra. Serbët nuk janë të njohur për marrëveshje. Ata janë të njohur më shumë për mosmarrëveshje. Prandaj, me serbët asgjë nuk është e besueshme, qoftë edhe atëherë kur “ka marrëveshje”. Kërkesat e tyre nuk kanë të ndalur. Ata duan “hisen e vet” në Kosovë dhe nga ajo nuk heqin  dorë lehtë. Nëse “kanë dalur nga Kosova” nëpër një “derë të madhe”, kërcënon rreziku që të “rikthehen” në të nëpër “disa dyer më të vogla” dhe të involvohen në jetën dhe ngjarjet në Kosovë. Në Kosovë ende ka “ndërhyrje”të Qeverisë së Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të saj. Kosova  ende nuk ka kompetenca të plota në  territor, në kontroll, në ligj dhe në zbatimin e tij, ku gjithandej Kosovës i thonë Kosovë në Kushtetutën e saj.

 

liber nga esat-stavileci_266422Z.Stavileci, a besoni që Kosova dhe Serbia do t’i normalizojnë përfundimisht marrëdhëniet mes veti nëpërmjet bisedimeve në Bruksel?

Duhet ta kemi të qartë se Serbia më shumë sesa për serbët, interesohet për “territoret serbe“ në Kosovë, prandaj përherë do t’ i “rikthehet“të drejtës historike serbe në Kosovë, edhe pse me asgjë nuk është provuar se Kosova është ‘zemër’ose ‘djep’ i shtetit serb. Le të më lejohet të përsëris një thënie timen në lidhje me këtë: Nëse serbët mendojnë se Kosova është “zemër” dhe “djep” i shtetit serb, duhet ta dinë se “transplanti” është bërë në trup të huaj dhe se fëmija që përkundet në djep është fëmijë i huaj. Serbia po kërkon hise në territorin e Kosovës, pa qenë e ndërgjegjshme se është pikërisht ajo që e kishte pushtuar Kosovën nga 1912-ta dhe disa herë të tjera, më 1918, më 1945 dhe më 1989.  Kosova dhe Serbia nuk kufizohen te lumi Ibër

 

Pika më e nxehtë e bisedave të Brukselit rezulton të jetë veriu i Kosovës,  cili është vlerësimi juaj, veriu po rrëshqet  në duart e Kosovës apo po rrëshqet gradualisht nga duart e Kosovës?

Kjo është pika më neuralgjike e bisedimeve. Serbët janë përpjekur që në “kuadrin e çështjeve teknike” ta për vjedhin çështjen e veriut dhe ta bëjnë të diskutueshme një çështje të padiskutueshme. Veriu  i Kosovës është kërcënua me ndarjen e tij qysh me instalimin e pranisë ndërkombëtare, kur KFOR-i “shtihej i shurrdhër” dhe nga një problem i paqenë lejoi të krijohej një problem që tejkaloi përmasat lokale duke pretenduar të bëhet një problem ndërkombëtar, si dhe ndodhi në të vërtetë.

Shqiptarët përherë janë deklaruar se “do të lejojnë dhe sigurojnë mbrojtjen e interesave të pakicës serbe dhe të të tjerëve dhe se kjo do të bëhet në përputhje me respektimin e identitetit nacional të tyre, e jo me ruajtjen e privilegjeve që ata i patën krijuar vetës me dhunë dhe më shtypje koloniale të shumicës së popullatës”. Janë paralajmëruar zgjedhjet lokale për datën 3 nëntor 2013 edhe në veriun e Kosovës. Mirëpo, serbët nuk pranojnë  që ato të njihen si zgjedhje për institucionet me firmën e Republikës së Kosovës. Më në fund,  edhe bashkësia ndërkombëtare i “trimëron”, duke mbajtur “qëndrim neutral” karshi paravësisë së Kosovës. Prandaj, shtrohet pyetja se çfarë kuptimi mund të kenë zgjedhjet nëse ato nuk shprehin realitetet e reja në Kosovë dhe nëse në to do të përligjen njësi paralele që prej luftës e këndej u janë kundërvënë institucioneve të Kosovës për ta shtrirë sovranitetin edhe në atë pjesë të territorit. Serbët duhet ta dinë se kufiri i Kosovës me  Serbinë nuk është te lumi Ibër, por shumë e shumë kilometra më larg në veri.

 

Ka pasur analistë nga Kosova dhe Serbia që kanë deklaruar publikisht që veriu i Kosovës duhet të shkëmbehet me Kosovën Lindore, a konsideroni që një opsion i tille është zgjidhje?

Unë mbaj një qëndrim që mund të dallojë nga qëndrimet e ca analistëve që “kërkojnë” shkëmbim territoresh dhe në lidhje me këtë shtroj pyetjen: përse duhet të kërkojmë shkëmbimin e territoreve tona me territoret tona. Kemi bërë shumë gabime në të kaluarën që të mos jemi të vëmendshëm për veprimet në të tashmën.

 

Ekzekutivi i Kosovës ka miratuar një strategji që parasheh mbylljen e misionit të EULEX-it deri në qershor të vitit 2014, a mendoni që Kosova mundet pa ndonjë mision ndërkombëtar t’i përmbush disa nga kushtet që dalin në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor dhe sundimit të së drejtës?

Shteti duhet të ndërtohet mbi bazën e ligjeve. Krijimi i shtetit të së drejtës është një ndër objektivat e rëndësishme të Kosovës, por edhe sfidë më vete për institucionet në shtetin e ri të Kosovës. Shteti i së drejtës vështirë se mund të krijohet pa një shkallë të kënaqshme të sundimit të ligjit në Kosovë. Shteti duhet të ndërtohet mbi bazën e ligjeve. EULEX-i u ftua nga institucionet e Kosovës që të ndihmojë në këtë fushë, mirëpo nuk u dëshmua me veprimet e veta  dhe sikur “u bë i padëshirueshëm”. Megjithate, duhet të pranojmë se institucionet tona ende nuk janë aftësuar që t’i dalin në krye detyrave që i referohen shtetit ligjor dhe sundimit të së drejtës. Ato vetë duhet t’u nështrohen ligjeve. Në mënyrë të veçantë duhet të sigurohet pavarësia e pushtetit gjyqësor, si segment i rëndësishëm i ndarjes së pushteteve. Një mision ndërkombëtar mund të ndihmojë, por ai duhet të jetë i reduktuar, në masë dhe në kompetenca, dhe të  ndihmojë në aftësimin e institucioneve të Kosovës në këtë fushë, në të cilën Kosova ka probleme të theksuara. Kosova ende nuk është bërë një shtet funksional. Për të qenë shtet në kuptimin funksional, Kosovës i duhet, marrja e përgjegjësive për të qeverisur me te, sigurimi dhe garantimi i tërësisë territoriale, supermacioni i kushtetutës ndaj të gjitha akteve dhe rregullave të tjera, veshja me sovranitet dhe subjektiviteti politik, juridik dhe ndërkombëtar.

 

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe fenomene të ngjashme konsiderohen të kenë kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi, sa e dëmton kjo në thelb çështjen shqiptare dhe konsolidimin e mirëfilltë si shtet?

E vërteta flet se në Kosovë ka çrregullime në shumë fusha. Prandaj, Kosova ballafaqohet jo vetëm me korrupsion dhe krim të organizuar, por edhe me dukuri të tjera që e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, dhe natyrisht e frenojnë konsolidimin e shtetit, madje e bëjnë të invalidueshëm atë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar sikur kanë marrë azil në Kosovë. Përgjegjësia për luftimin e tyre u takon në rradhë të parë institucioneve të cilat fatkeqësisht, ndonjëherë edhe vetë, po i prijnë valles së dukurive negative. Kosova po ballafaqohet me gjendje të rëndë në disa fusha. Pra, nuk bëhet fjalë për një gjendje të rënduar vetëm në një ose dy fusha. Në Kosovë nuk ka ende jetë të vërtetë parlamentare, ka mungesë ligjesh dhe mangësi rregullimi juridik në disa fusha. Raportet e Kuvendit me Qeverinë, pothuajse të një “ngjyrimi politik” vështirësojnë veprimin për “interesa të vendit”. Kjo gjendje, si rregull, shoqërohet me pakënaqësinë e popullatës me rrjedhat në politikë dhe me rendimentet e saj. Sipas Francis Fukuyama (“Ndërtimi i shtetit”), forca e shtetit shprehet me aftësinë për “të formuluar dhe zbatuar politika dhe aprovuar ligje për të administruar siç duhet dhe me minimumin e burokracisë, për t’i kontrolluar ryshfetin, korrupsionin dhe mit dhënien, për të pasur një nivel të lartë transparence dhe përgjegjshmëri në institucionet qeveritare dhe më e rëndësishmja për t’i zbatuar ligjet”. Ka politikanë që sillen me shtetin sikur me mallin e vet. Për ta kam një mesazh shumë të drejtpërdrejtë: Kosova nuk është e asnjërit prej tyre, por e popullit të saj dhe këtë do duhej ta kishin parasysh kur të marrin vendime të rëndësishme për Kosovën. Nëse e konsiderojnë vetën ’përfaqësues të popullit’, të mendojnë më shumë për popullin sesa për veten. Madje, kur të vendosin ‘në emër të popullit’, ta bëjnë këtë në ‘konsultim me popullin” dhe jo “kundër tij”.

 

Z.Stavileci, Shqipëria  shënoi 100 vjetorin e ekzistimit të shtetit shqiptar. Sipas jush, për këto 100 vite Shqipëria në vazhdimësi ka qenë shtet në tranzicion, apo tani më ka kaluar ketë fazë?

Tranzicioni kalohet në mënyra të ndryshme dhe me zhvillime të ndryshme. Shqipëria nuk ka arritur që t’i përballojë lehtë detyrat që ju kanë shtruar në periudha të ndryshme të zhvillimit që të kapërcejë plotësisht tranzicionin. Në Shqipëri përherë ka pasur çrregullime institucionale dhe ngërçe politike që i kanë ngadalësuar proceset, sa që kanë kërcënuar vetë shtetin. Për 100 vjet të ekzistimit, shteti shqiptar u shoqërua me zhvillime nga më të ndryshmet. Po kaloj vetëm në disa prej tyre. Vetë shpallja e pavarësisë e kishte “gjetur Shqipërinë në gjendje të katandisur”. Rëndësi të veçantë kishte  shkëputja e të gjitha lidhjeve me Perandorinë Osmane, si “udhë e kapërcimit nga Lindja në Perëndim”, edhe pse “anatema e trashëgimisë osmane vazhdojë të jetojë”. Qeveria e Princ Vidit nuk arriti synimin për një “Shqipëri evropiane”. Në Shqipëri kalimi nga totalitarizmi në demokraci “u krye krahasimisht në rrugë paqësore, pa përmendur këtu viktimat në kohën e lëvizjes studentore, në dhjetor të vitit 1990”. Vetëm pas rënies së regjimit komunist, kur “folën dokumentët dhe dëshmitarët” u bë e mundur “rivendosja e shkallë-shkallë e së vërtetës për atë që kishte ndodhur në Shqipëri”. Ngjarjet e marsit 1997 e tronditën Shqipërinë, u shoqëruan me prodhimin e dhunës dhe rrëzimin e shtetit. U mbajtën disa palë zgjedhje, por pothuajse asnjëherë nuk u arritën kompromisi dhe konsensusi për rrugët e mëtejshme. Komromisi dhe konsensusi mungojnë edhe sot. Për të ecur përpara, duhet kujtuar gabimet e së kaluarës, duhet  mësuar dhe duhet ditur.

 

Pse asnjëherë nuk keni qenë pjesë e partive politike në Kosovë, a ka ardhur kjo nga pakënaqësia juaj me to apo ka qenë ndonjë arsye tjetër?

Unë kam një mendim tjetër për partitë dhe numrin e madh të tyre. Nuk më duket se Kosova, në kohën kur do të duhej të paraqitej, të thuash, me një zë, kishte nevojë, për shkapërderdhje të fuqive dhe derdhje të ujit në shumë mullinj. Prandaj, figurativisht e kam thënë ndonjëherë se nuk dua të jem me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë. Pa dyshim se ky fakt flet edhe për pakënaqësinë me punën e partive tona që, megjithatë, nuk ka qenë arsyeja e parë e mos përfshirjes sime në to. Edhe pse nuk kam qenë drejtpërsëdrejti në politikë, nuk kam qëndruar larg saj. Kam reaguar, pothuaj se në çdo ndodhi me ne dhe rreth nesh. Kam folur dhe kam shkruar për degradimin e politikës, për kompromitimin e procesit zgjedhor, për veriun e Kosovës, për ndërhyrjet e Qeverisë serbe në të, për fuqizimin e pavarësisë dhe sovranitetit, për sfidat e ndërtimit të shtetit, dhe për nevojën për të vepruar bashkë. Kam kaluar kuotën e 1.050 paraqitjeve për Kosovën dhe shqiptarët. Kam folur në Shkup dhe në Tiranë, në Romë dhe në Madrid, në Gjenevë dhe në Paris, në Romë dhe në Londër, në Bruksel dhe në Uashington. Kam komunikuar me gjithë botën. U kam shkruar letra ministrave dhe kryeministrave të shumë vendeve, burrështetasve, zyrtarëve botërorë dhe qendrave ndërkombëtare të vendimmarrjes me qëllim sensibilizimin e çështjes së Kosovës.

 

Nëse mos inkuadrimi juaj aktiv në jetën politike, ka ardhur nga pakënaqësia me zhvillimet dhe me vetë subjektet, ku mendoni që po çalojnë gjerat?

Unë shpesh përdor një aforizëm në të cilin thuhet se partitë bëjnë nga një palë duqe: gabimet e veta i qesin mbrapa dhe nuk i shohin, ndërsa gabimet e partive të tjera i mbajnë përpara dhe i shohin. Gjërat çalojnë dhe në mungesën e programeve dhe të profilizimit të tyre. Nëse bëheni të vëmendshëm, do të vëreni parti që dallojnë njëra prej tjetrës vetëm për shkak se mbajnë emër tjetër dhe pothuajse për asgjë tjetër. Përgjithësisht, në Kosovë, po sikurse edhe në Shqipëri, nuk kemi nevojë për aq shumë parti. Këtu i ka rrënjët një aforizëm tjetër i imi se “Po të bëhej me shumë parti a me çifteli, ne shqiptarët të parët në hënë do të kishim mbërri”.

 

Z.Stavileci, kohëve të fundit keni botuar kompletin e librave tua në 20 vëllime nga fusha të ndryshme, çfarë titujsh përmban ky komplet librash dhe cila është e veçanta e tyre?

Unë deri më sot kam shkruar 35 libra temash dhe gjinish të ndryshme. Kompleti përmban 20 prej tyre. Sikur të shfletonim vetëm titujt e veprave, do të mund të vërenim laryshin, edhe pse çështja e Kosovës dominon në ato libra, po sikurse dhe çështja shqiptare. Kompleti hapet me një libër që flet për lëkundjet e pozitës kushtetuese-juridike të Kosovës në ish- Jugosllavi, vazhdon me Kosovën ndërmjet kërcënimeve të brendshme dhe premtimeve të jashtme dhe më një panoramë të përgjithshme të çështjes shqiptare. Një numër librash merren me hamendjet e bashkësisë ndërkombëtare me çështjen e Kosovës, me Kosovën nën administrimin ndërkombëtar, ndërsa një numër tjetër me Kosovën në prag dhe pas pavarësisë dhe me sfidat e shtet bërjes. Ka disa libra profesionalë e shkencorë, tekste universitare, por edhe publicistike. Një numër librash janë të shoqëruar me rezyme në gjuhën frenge, anglishte dhe gjermane, ndërsa vepra numër 14 “Të vërtetat për Kosovën…”është komplet në gjuhën angleze. Po i përmend dy prej të veçantave. E para, çdo shkrim në këto vepra shoqërohet me kohën e botimit dhe, e dyta, në veprën XX, në pjesën e dytë të saj, janë dhënë opinionet e kolegëve, juristëve dhe specialistëve të tjerë rreth emrit dhe veprës së autorit.

 

Do të vazhdoni të shkruani akoma, nëse po, çfarë keni në plan? 

Natyrisht se po. Një krijues thuhet se vdes në momentin kur nuk shkruan më. Kam plane për botime të reja. Ka shumë vite që shkruaj një “Libër për të gjithë” nga më shumë fusha të dijes, në mënyrë që lexuesi të mund të mësojë me një vend edhe për drejtësinë, edhe për historinë, edhe për politikën, edhe për ekonominë, edhe për sociologjinë, edhe për psikologjinë dhe për shumë fusha të tjera të dijes. Ky është projekt që kërkon shumë kohë dhe mund. Prandaj, përherë e kam thënë se libri më i mirë nga ata që kam shkruar është libri  që do ta shkruaj! Kam nëpër duar edhe një libër për Shqipërinë të cilën e kam vizituar më shumë se pesëdhjetë herë, herën e parë qysh në vitin e largët 1967. Të shkruash për Shqipërinë është sfidë më vete, për shkak të shumë kundërthënieve që e kanë shoqëruar përgjatë historisë. Ato kundërthënie vazhdojnë ta sfidojnë edhe sot. Për mua të shkruash do të thotë të jetosh.

 

2 Responses to “Çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur, por askush nuk mund të na ndalojë bashkimin”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Haxhiu says:

    Shumë bukur Profesor,
    Vazhdoni të shkruani sepse vetëm aty shihen gjurmet më të mira të një intelektuali

  2. gimi says:

    pa ribashkimin e trojeve shqipetare nga nishi e deri ne preveze , kombi shqipetar nuk ka te ardhme.

Comment

*