Çështje të Emigracionit: Çfarë është buletini i vizave?

Kieran Both

Për ju Avokati Kieran Both

Buletini i vizave është një mjet që ju shërben si ju ashtu dhe qeverisë së SHBA-së. Qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të japë çdo vit vetëm një numër të kufizuar kartash të gjelbra (ose viza emigruese ose numër vizash): 226,000 viza emigruese me bazë bashkimin familjar dhe 140,000 viza emigruese me bazë punësimin. Ligji kufizon numrin e vizave që do të përdoren për secilin nga vendet dhe kategoritë [e vizave]. Pavarësisht nga kjo, në disa vite fiskale ndodh që ka numër shtesë vizash, pasi disa nga vizat që nuk janë përdorur në vitin e mëparshëm fiskal i kalojnë vitit fiskal që pason. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e përdor buletinin e vizave për të mbajtur nën kontroll numrin e vizave si dhe për t’ju dhënë edhe ju një mjet që ju ndihmon për të vendosur se kur të aplikoni si dhe për të patur një ide se kur mund t’ju miratohet çështja që keni paraqitur. Buletini aktual i vizave gjendet në adresën https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-law0/visa-bulletin.html

Si funksionon buletini i vizave?

Përdoreni buletinin e vizave për të kuptuar se çfarë ndodh në stadin e fundit të proçesit të aplikimit për green card, nëse për të marrë vizën emigruese në pashaportë, në mënyrë që të hyni në SHBA si rezident i përhershëm, do të ndiqni rrugën e paraqitjes së formularit I-485 pranë Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë të SHBA-së apo proçesin konsullor përmes Departamentit të Shtetit (DOS). Në buletinin e vizave do të shihni në rreshtin e sipërm të listuar vendet dhe në kollonën në të majtë kategoritë e vizave si p.sh. F1 ose EB2. Duke patur parasysh datën tuaj prioritare (data e dorëzimit të peticionit) shihni datën në kutinë poshtë vendit tuaj të lindjes dhe përmes aty ku është kategoria e vizës që kërkoni. Nëse data në kutinë korrisponduese bie pas datës suaj (prioritare), atëherë mund të paraqisni çështjen tuaj, kjo në varësi të faktit nëse po shihni tabelat që përmbajnë datat më të hershme për dërgimin e aplikimeve (Filing Dates) ose datat për veprimet përfundimtare (Final Action Dates). Për shembull, nëse data juaj prioritare është 1 shtator 2013, kategoria e vizës është F1 dhe vendlindja është Shqipëria, kur të shihni buletinin e vizave për muajin tetor, 2020 data juaj prioritare është me e hershme se data kufi (cutoff date) e cila për vizat e kategorisë F1 dhe Shqipërinë është 14 shtator, 2015.

 

A mund ta paraqes formularin I-485 duke përdorur tabelën e datave më të hershme për aplikim?

Askush nuk kualifikohet për të paraqitur formularin I-485 nëse sipas buletinit të vizave nuk i ka ardhur ende koha datës prioritare të tij ose të saj. Ndonëse mund ta përdorni buletinin e vizave për të parë nëse i ka ardhur koha datës suaj prioritare, formularin I-485 për ndreqje statusi (green card) duke përdorur tabelën e datave me të hershme të aplikimit (Filing Dates Chart) do të mund ta dërgoni vetëm atëherë kur USCIS-i të vendosë që ju lejohet një gjë e tillë. Buletini i vizave përmban një link që të çon në faqen e internetit të USCIS-it  www.uscis.gov/visabulletininfo – ku janë tabelat e aplikimeve për ndreqje të statusit. Nëse USCIS-i e ka futur në listë tabelën e datave më të hershme për aplikim (Filing Dates Chart) dhe sipas kësaj tabele datës prioritare të një personi të caktuar i ka ardhur koha, pra është bërë “current”, atëherë ky person mund të paraqesë formularin I-485.

Çfarë më duhet të di për buletinin e vizave të muajit tetor?

Buletini i vizave për muajin tetor i lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit (DOS) shënon fillimin e vitit të ri fiskal për qeverinë e SHBA-së i cili nis nga 1 tetori dhe vazhdon deri në 30 shtatorin e ardhshëm. Për shembull, viti fiskal 2021 fillon më 1 tetor, 2020 dhe vazhdon deri më 30 shtator, 2021. Për katër arsyet që do të japim më poshtë, buletini i vizave i muajit tetor tregon si do të ecet me numrin e vizave.

Sipas ligjit, viti i ri fiskal fillon me numrin e plotë të vizave në dispozicion.

  • Numri i vizave emigruese që kanë për bazë bashkimin familjar i shtohet numrit total të vizave që kanë për bazë punësimin.
  • COVID-19-ta solli një rënie të numrit të përdorur të vizave me bazë bashkimin familjar, pasi konsullatat u mbyllën; si pasojë është rritur numri në dispozicion i vizave me bazë punësimin për vitin në vijim.
  • Ndalimi i udhëtimit i vënë në jetë nga administrata e presidentit Trump ka sjellë gjithashtu rënie të përdorimit të numrit të vizave.
  • Me vazhdimin e ndalim udhëtimit si dhe kufizimeve të udhëtimeve dhe të lëvizjes jashtë vendit për shkak të Covid-19-ës, do të vazhdojë të kufizohet përdorimi i numrit të vizave me bazë bashkimin familjar. Si pasojë do të vazhdojë gjithashtu dhe prirja që ka të bëjë me rritjen e numrit të vizave me bazë punësimin.

 

Çfarë ndodh nëse ndryshon buletini i vizave për muajin e ardhshëm?

Çdo muaj del një buletin i ri vizash i cili mbetet në fuqi vetëm për atë muaj. Me mbarimin e muajit, hyn në fuqi një buletin i ri vizash. Nëse sipas buletinit të ri të vizave, datës suaj prioritare nuk i ka ardhur koha, atëherë: konsullata nuk mund t’jua miratojë green card-ën, nuk mund të paraqisni formularin I-485 dhe USCIS-i nuk do të mund t’jua aprovojë aplikimin e paraqitur. Për shembull, nëse datës suaj prioritare i ka ardhur koha sipas buletinit të tetorit 2020, atëherë mund ta paraqisni formularin I-485 pranë USCIS-it në tetor, 2020. Megjithatë, nëse buletini i vizave i nëntorit 2020 ndryshon dhe data juaj prioritare pëson një kthim prapa, atëherë formulari I-485 nuk mund të pranohet ose miratohet nga USCIS-i gjatë këtij muaji (nëntorit). Në mënyrë të ngjashme, si në shembullin që sapo paraqitëm, dikujt që po aplikon pranë konsullatës mund t’i jepet green card-a gjatë muajit tetor 2020 nëse sipas buletinit të vizave të tetorit, datës prioritare të tij ose të saj i ka ardhur koha. Megjithatë, nëse data prioritare sipas buletinit të nëntorit nuk është më “current”, pra rezulton e mbetur prapa, dhe personit në fjalë i është kërkuar nga konsullata të paraqesë dokumentacion shtesë, nëse ky person rikthehet në nëntor në konsullatë, atij nuk i jepet viza, ndonëse e ka kryer intervistën për vizë që në tetor.

Falenderojmë Shoqatën e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit (AILA) për këtë informacion të vënë në shërbim të publikut të gjerë. 

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Comment

*