Çështje të Emigracionit: Pyetje lidhur me vizat e vizitorëve

Kieran Both

Për ju Avokati Kieran Both

 

A mund ta shtyj qëndrimin me vizë vizitori?

 Kam ardhur në Shtetet e Bashkuara me vizë turistike. Më kanë shijuar shumë pushimet dhe do të dëshirojë të qëndroja pak më gjatë. Kam frikë se mund të jem tepër vonë, pasi vizën e kam vetëm për gjashtë muaj. Çfarë mund të bëj?

BB

Philadelphia, PA  

Departamenti i Sigurisë Kombëtare si dhe Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara e dinë që vizitorëve mund t’u pëlqejë të qëndrojnë në SHBA më shumë se sa e kanë planifikuar fillimisht. Vizitori mund të aplikojë për shtyrjen e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar aty të njëjtat aktivitete për të cilat iu dha leje në momentin kur ai/ajo u pranua të hyjë në vend. Është e rëndësishme që kërkesa për shtyrje të qëndrimit të paraqitet në kohë dhe siç duhet. Të huajt që vizitojnë Shtetet e Bashkuara mund të aplikojnë  ose të rigjejnë numrin e pranimit në formularin e tyre I-94 (që është dhe prova e statusit të ligjshëm të vizitorit) sikurse dhe një historik të kufizuar udhëtimesh ku përfshihen hyrjet dhe daljet nga SHBA-ja. Ky informacion mund të gjendet në https://i94.cbp.dhs.gov/I94/#/home

Nëse koha e qëndrimit – siç tregohet në formularin I-94 (Arrival-Departure Record) ose në vulën e pasaportës – ka skaduar, si rregull USCIS-i nuk e aprovon shtyrjen e qëndrimit. Por, nëse besoni se rrethana të paparashikuara dhe që nuk vareshin nga ju u bënë pengesë që të aplikonit në kohë, atëherë, në aplikimin që do të paraqitni, duhet të shpjegoni këto rrethana si dhe të paraqisni dokumenta që provojnë atë që thoni.

Nëse kohëzgjatja e qëndrimit – siç tregohet në formularin I-94 ose në vulën e pasaportës – po i afrohet datës së skadimit, sigurohuni që ta dërgoni aplikimin në kohë, në mënyrë që USCIS-i ta marrë përpara skadimit të statusit. Nëse jeni të shqetësuar lidhur me skadimin e vizës, ju kujtojmë që viza shërben thjesht për t’ju mundësuar ardhjen në SHBA, ku me të mbërritur, mund të bëni kërkesë për të hyrë. Nuk është viza ajo që kontrollon kohëzgjatjen e qëndrimit. Kohëzgjatja e qëndrimit vendoset në momentin që pranoheni në SHBA.

Shtyrja e qëndrimit nuk bëhet automatikisht.  Përpara se të vendosë nëse do t’jua aprovojë ose jo aplikimin, USCIS-i do të shqyrtojë situatën tuaj konkrete, statusin si dhe arsyet e shtyrjes së qëndrimit. Nëse jua aprovon shtyrjen, USCIS-i do të vendosë gjithashtu se sa do t’jua shtyjë qëndrimin. USCIS-i nuk do t’jua aprovojë shtyrjen nëse rrethanat nuk e justifikojnë atë.

Skadimi i I-94-ës shënon përfundimin e statusit tuaj të ligjshëm joemigrues, pra nuk keni më status, madje edhe nëqoftëse keni aplikuar në kohë për shtyrjen e qëndrimit. USCIS-i ka zakonisht liri veprimi për të vendosur nëse do t’a shtyjë fillimin e proçedurave të deportimit deri pas gjykimit të peticionit që keni paraqitur dhe marrjes së vendimit nga ana e USCIS-it lidhur me shtyrjen e statusit tuaj joemigrues. Megjithatë, pavarësisht nga fakti që mund të jeni në pritje të një vendimi mbi peticionin për shtyrje qëndrimi, DHS-ja mund të kërkojë të fillojë proçesi i deportimit kundër jush. Ndonëse nuk keni në fakt një status joemigrues të ligjshëm, sa kohë që jeni në pritje të një vendimi lidhur me aplikimin për shtyrjen e qëndrimit të cilin e keni paraqitur përpara se t’ju skadonte formulari I-94, nuk akumuloni kohë “pranie të paligjshme” e cila do t’ju sillte probleme papranueshmërie në SHBA.

Nëse aprovohet aplikimi për shtyrjen e qëndrimit, aprovimi zë fill duke nisur nga data e skadimit të formularit I-94, dhe si rrjedhim statusi juaj gjatë kohës së pritjes së vendimit do të konsiderohet i ligjshëm. Nëse aplikimi nuk aprovohet, mund t’ju kërkohet të largoheni menjëherë nga SHBA-ja. Përveç kësaj, viza joemigruese në pasaportë që ju është dhënë për kategorinë në fjalë bëhet e pavlefshme. Në momentin që viza bëhet e pavlefshme, nevojitet që aplikimin e ri për vizë ta paraqisni pranë konsullatës së SHBA-së në vendin tuaj (jo në një vend të tretë me përjashtim të rasteve të rralla siç vendos Departamenti i Shtetit të SHBA-së).

Pas aplikimit, USCIS-i do t’ju dërgojë me postë një letër (receipt).  Kjo letër përmban një numër i cili ju ndihmon të ndiqni ecurinë e aplikimit tuaj si dhe kohën që duhet me përafërsi për t’u marrë vendimi. Në letrën e USCIS-it do të gjeni gjithashtu dhe udhëzime lidhur me mënyrën se si mund ta përdorni numrin e lartpërmendur për të kontrolluar statusin e çështjes suaj në website-in e USCIS-it.

Si mund të punoj në mënyrë të ligjshme  në Amerikë duke qenë vizitor?

Gjendem në Amerikë me vizë vizitori 6 mujore. Kushëriri im më ka ofruar punë në restorantin e tij dhe do të doja të bëja ca para që t’i kem për t’i shpenzuar. E di që më duhet të kem numër pune për të punuar. Si të mund të siguroj leje për të punuar në mënyrë të ligjshme në SHBA?

JR

Nashville TN

Statusi i emigracionit që ka dikush është çfarë dikton nëse ai ose ajo mund të punojë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, ose jo. Vizat e vizitorit është një vizë joemigruese që u jepet personave që dëshirojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përkohësisht për biznes (viza B-1) ose për turizëm, kënaqësi apo vizitë (viza B-2), apo një kombinim i të dyjave (viza B1/B2). Vizitorëve nuk u lejohet të pranojnë të punësohen në Shtetet e Bashkuara. Të punosh pa autorizim në SH.B.A. ka pasoja. Nëse në të kaluarën keni punuar ndërkohë që kishit vizë B1/B2, gjasat që të merrni vizë në të ardhmen janë të pakta. Nëse keni keqpërdorur një vizë në të kaluarën, mund ta keni të vështirë ta bindni zyrtarin konsullor që në të ardhmen do ta përdorni vizën siç duhet.

Nëse nuk jeni nënshtetas amerikan, nevojitet që t’i paraqisni punëdhënësit dokumentacionin përkatës që dëshmon që keni leje për të punuar në Shtetet e Bashkuara.

  • Rezidentët e përhershëm mund ta përmbushin këtë kërkesë duke treguar kartën e  rezidentit të përhershëm (Green Card).
  • Refugjatët mund ta përmbushin këtë kërkesë duke treguar formularin I-94 (Arrival-Departure Record), në të cilin ka një vulë të kuqe që tregon se personi në fjalë ka leje për të punuar.
  • Azilantët (personave që u është dhënë strehim politik në Shtetet e Bashkuara) mund ta përmbushin këtë kriter duke paraqitur një kartë sigurimi shoqëror që nuk skadon, dokumentin e autorizimit për punë ose formularin I-94 me vulën e kuqe që tregon që personi mund të punojë ligjërisht.
  • Disa persona me viza joemigruese që përmbushin kriteret për të punuar për një punëdhënës të caktuar mund të paraqesin formularin I-94 me vizën joemigruese që tregon për kë është i autorizuar personi në fjalë që të punojë.
  • Pjesa dërrmuese e personave të tjerë nevojitet të paraqesin kërkesë për autorizim pune ose dëshmi autorizimi për të punuar që vjen si rrjedhojë e statusit që kanë dhe të marrin dokumentin e autorizimit për punë (EAD) dhe ta paraqesin si provë që kanë leje për të punuar në SHBA, përpara se të fillojnë të punojnë në SHBA.

Ka dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me vizat joemigruese për të cilat personat e interesuar është mirë të dinë. Disa nga këto çështje do të trajtohen në shkrimet e ardhshme të rubrikës sonë. Çdo rast ka të veçantat e tij dhe aplikantët duhet t’ia shpjegojnë avokatit të gjitha faktet që lidhen me çështjen e tyre përpara se të dërgojnë aplikimet përkatëse. Nëse lexuesit tanë dëshirojnë të mësojnë më shumë për vizat joemigruese i sygjerojmë të vizitojnë faqen e internetit të USCIS-it www.uscis.gov

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Comment

*