Çështje të Emigracionit: Si ta shtyj qëndrimin në SHBA?

Për ju, Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Erdha si turiste në Shtetet e Bashkuara. Do të dëshiroja të rrija pak më gjatë dhe të vizitoja miqtë e mi në Kalifornia. Kam vizë dhjetë vjeçare. A duhet të paraqes ndonjë dokument? 

BD 

Nëse dëshironi të shtyni qëndrimin në SHBA duhet të bëni kërkesë pranë Shërbimit të Emigracionit (USCIS) nëpërmjet formularit përkatës I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status, përpara mbarimit të periudhës së qëndrimit të autorizuar. Nëse qëndroni në Shtetet e Bashkuara përtej periudhës së autorizuar, atëherë mund t’ju ndalohet të riktheheni në Shtetet e Bashkuara dhe/ose mund të deportoheni nga Shtetet e Bashkuara. Për të gjetur datën kur ju mbaron periudha e qëndrimit të autorizuar, kontrolloni vulën në pasaportë ose në mënyrë elektronike nxirrni formularin I-94, (Arrival-Departure Record). Nëse ju nevojitet një kopje e I-94 suaj, ajo mund të merret në adresën elektronike www.cbp.gov/I94. Një formular I-94 në karton vazhdon të jepet në kufi dhe pikat e hyrjes. Vula e pranimit në dokumentin e udhëtimit apo në formularët I-94/I-94w tregon statusin tuaj prej jo-emigranti si dhe kohëzgjatjen e qëndrimit tuaj të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Viza nuk tregon kohën që ju lejohet të qëndroni, por vetëm kur dhe sa herë mund të kërkoni të futeni në Shtetet e Bashkuara bazuar kjo në klasifikimin përkatës që është shënuar në vizë. Nëse keni një vizë 10 vjeçare, ajo nënkupton që gjatë 10 vjetëve mund të kërkoni të hyni në Shtetet e Bashkuara, por qëndrimi i autorizuar aty do të jetë shumë më i shkurtër, në shumicën e rasteve 6 muaj. Duhet të bëni kërkesë për të shtyrë qëndrimin të paktën 45 ditë përpara skadimit të periudhës së autorizuar të qëndrimit.

Mund të bëni kërkesë për shtyrje të qëndrimit nëse:

  • Ju kanë lejuar të futeni në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme me vizë jo-emigrimi.
  • Mbetet i vlefshëm statusi prej jo-emigranti që ju jep viza
  • Nuk keni kryer asnjë krim që të mos ju kualifikojë për vizë
  • Nuk keni shkelur kushtet e vizës
  • Pasaporta juaj është e vlefshme dhe do të jetë e tillë gjatë gjithë periudhës së qëndrimit.

Nuk duhet të bëni kërkesë për shtyrje vize nëse jeni lejuar në Shtetet e Bashkuara nën një nga kategoritë e mëposhtme:

  • Programi që u lejon qytetarëve të vendeve të caktuara të futen pa vizë (Visa Waiver Program)
  • Anëtar ekuipazhi (pajisur me vizë-joemigrimi D)
  • Tranzit përmes Shteteve të Bashkuara (vizë jo-emigrimi C)
  • Tranzit përmes Shteteve të Bashkuara, por jo i pajisur me vizë (TWOV)
  • I fejuar i një qytetari amerikan ose në ngarkim të të fejuarit (vizë jo-emigrimi K)
  • Informator (si dhe familja që e shoqëron) për çështje të terrorizmit ose të krimit të organizuar (vizë jo-emigrimi S).

Duhet të paraqisni formularin I-539 për të shtyrë qëndrimin tuaj kur jeni të pajisur me vizë B-1 dhe B-2 (Vizitorë për qëllim biznesi ose pushimi dhe argëtimi).  Të gjithë anëtarët e familjes (bashkëshorti/ja si dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç) në të njëjtën kategori mund të përfshihen në të njëtin formular I-539. Ky formular mund të gjendet në adresën elektronike http://www.uscis.gov/i-539

Nëse ndërkohë ju ka skaduar qëndrimi i autorizuar, USCIS nuk do t’jua aprovojë kërkesën për shtyrje të qëndrimit. Nëse besoni se rrethana të forta dhe të paparashikueshme përtej kontrollit tuaj ju kanë penguar për të bërë kërkesë në kohë, mund t’i shpjegoni këto rrethana në kërkesën që do të paraqisni si dhe duhet ta shoqëroni atë me dokumenta që provojnë diçka të tillë. Nëse afati i qëndrimit siç tregohet në formularin tuaj I-94 është afër skadimit, sigurohuni që kërkesa juaj do të dërgohet në kohë dhe do t’i mbërrijë Emigracionit përpara skadimit të statusit. Shtyrja e qëndrimit nuk është automatike. Përpara së të marrë vendim nëse do t’jua aprovojë ose jo kërkesën, USCIS do të shqyrtojë gjendjen tuaj si dhe arsyet pse dëshironi ta shtyni qëndrimin. Nëse e aprovon, USCIS do të vendosë dhe se për sa kohë do t’jua shtyjë qëndrimin. Statusi juaj i ligjshëm si jo-emigrant mbaron dhe ju nuk e keni më atë status në momentin që skadon formulari I-94, edhe pse e keni bërë në kohë kërkesën për të shtyrë statusin prej jo-emigranti. Zakonisht – varet si e gjykon të arsyeshme – USCIS mund ta shtyjë nisjen e proçedurave të deportimit derisa të shqyrtohet kërkesa në fjalë dhe USCIS-i të marrë një vendim. Megjithatë, DHS-ja mund të nisë një proçes deportimi ndaj jush, pavarësisht se kërkesa juaj për shtyrje të qëndrimit është pezull në pritje të një vendimi. Pavarësisht se në fakt nuk e keni statusin e jo-emigrantit të ligjshëm, gjatë kohës që aplikimi për shtyrje të statusit është pezull, nëse ky i fundit është dorëzuar përpara skadimit të formularit I-94, ju nuk akumuloni “ditë qëndrimi të paligjshëm”. Nëse aplikimi për shtyrje të qëndrimit aprovohet, ai aprovim vlen që nga data e skadimit të formularit I-94 dhe statusi juaj gjatë kohës që aplikimi ishte pezull do të konsiderohet i ligjshëm.  Nëse aplikimi juaj nuk aprovohet, atëherë do t’ju kërkohet të largoheni menjëherë nga Shtetet e Bashkuara. Jo vetëm kaq, por çdo vizë jo-emigrimi në pasaportë që ju është dhënë në lidhje me kategorinë përkatëse për vizë, bëhet e pavlefshme. Në momentin që viza bëhet e pavlefshme, nevojitet të paraqitni një kërkesë të re për vizë pranë konsullatës amerikane në vendin tuaj (jo në një vend të tretë, me përjashtim të rasteve të rralla për të cilat vendos Departamenti i Shtetit të SHBA-së). Pasi të dërgoni formularin I-539, USCIS do t’ju dërgojë me postë vërtetimin i cili përmban një numër që caktohet për të ndjekur aplikimin tuaj, si dhe kohën e përafërt që nevojitet për shqyrtimin e aplikimit. Vërtetimi në fjalë përmban dhe udhëzime për mënyrën se si mund ta përdorni numrin e caktuar aty për të kontrolluar statusin e çështjes suaj në faqen e internetit të USCIS-it në adresën elektronike www.uscis.gov

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju ftojmё tё na dёrgoni komentet ose pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike [email protected] ose të na i bëni përmes telefonit.

One Response to “Çështje të Emigracionit: Si ta shtyj qëndrimin në SHBA?”

Read below or add a comment...

  1. JETMIRA says:

    Pershendetje?Me e eshte refuzuar viza per ne shba .Ju lutem mund te shkruaj arsye e refuzimi.Ju faleminderit dhe Sinqerisht

Comment

*