Çetniku Drazha Mihailloviq u rehabilitua, po Aqif Effendi Blyta?

Ismet Azizi

Ismet Azizi

Organizata të shumta joqeveritare, partitë politike boshnjake, por , edhe Këshilli Kombëtar Boshnjak kërkon anulimin e rehabilitimit të Drazha Mihailoviqit, nën komandimin e të cilit u kryen krime ndaj popullsisë jo serbe në Sanxhak.

 

Rehabilitimi i komandantit çetnik Drazha Mihailloviq ka ngritë shumë pakënaqësi në Sanxhak. Në shumë vende në Pazarin e Ri dita e premtja e kaluar u gdhi me parulla në të cilat përkujtohet Aqif Effendi Blyta, udhëheqësi politik e ushtarak, i cili komandoi në mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët në Luftën e Dytë Botërore. Këtyre parullave iu paraprinë parullat e para disa ditëve, me të cilat kërkohet Autonomia e Sanxhakut, shkruajnë mediat në Sanxhak.
Besohet se kjo është një përgjigje ndaj vendimit të gjykatës në Beograd e cila rehabilitoi Drazha Mihailoviqin. Me propozimin e listës “Për Boshnjakët , Sanxhakun dhe Myftiun”, në seancën e djeshme Këshilli Kombëtar Boshnjak unanimisht u miratua propozimi për të kundërshtuar rehabilitimin e Drazha Mihailoviqit, komandantit çetnik .
Gazetarë të ndryshëm lokal provuan të bisedojnë me qytetarë në lidhje me situatën e krijuar, por përveç disa pensionistëve të cilët nuk kanë çka “të humbin” , të tjerët të frikësuar nuk u prononcuan. Megjithatë, pakënaqësia është e dukshme në fytyrën e pothuajse të secilit qytetarë.
Në pyetjen e gazetarit të agjencisë SANA, se a pritet që në të ardhmen e afërt të rehabilitohet edhe Komandanti i Mbrojtjes së Pazarit, Aqif Efendi Blyta,ata shprehën të jenë skeptik dhe nuk presin që shteti serb ta bëjë një gjë të tillë. Ndërsa Këshilli Nacional i Boshnjakëve , qysh në vitin 1991 ka marrë vendim për rehabilitimin e Aqif Efendiut, të cilin vendim institucionet e Sanxhakut e respektojnë .
Aqif Blyta(1)Në mbrojtje e figurës dhe personalitetit të Aqif Blytës më i zëshmi në Sanxhak dhe më gjerë është lideri fetar i Sanxhakut, myftiu Muhamer Zukorliq, i cili në manifestime të shumta ka potencuar se Aqif Efendia është hero i Sanxhakut. Mandej Zukorliq shton: “Aqif Efendiu ka organizuar mbrojtjen e këtij qyteti nga çetnikët. Sikur mos të ishte bërë ky organizim, atëherë numri i popullsisë boshnjake në këtë qytet do të ishte po aq sa ka Priboji, Plava dhe Novi Varoshi. Këtë të mirë ne atyre (shqiptarëve, I. A.). Ndërsa, ajo çka ka ndodhë në Sanxhak dhe në Novi Pazar, edhe pse ekzistojnë disa elemente të kolaboracionit me okupatorin gjerman, të gjithë e dinë, edhe miqtë edhe armiqtë se nuk ka ekzistuar asnjë element i kolaboracionit ideologjik, përveçse ka qenë në pyetje domosdoshmëria e mbijetesës. Krerët tanë, në krye me Aqif Efendiun dhe të tjerët këtu në Sanxhak, kanë luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që këtë popullatë ta shpëtojnë, dhe në këtë kanë pasur sukses, dhe ne ua bëjmë hallall dhe iu qoftë e shenjt, dhe përgjithmonë do t’u jemi falënderues. Ndërsa, ata të cilët kanë hequr dorë nga Aqif Efendiu, ata me ne nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata kanë hequr dorë nga feja jonë, nga kultura jonë, nga kombi ynë, tradita jonë”.
Përndryshe Institucionet e Sanxhakut kanë marrë vendim për ngritjen e Qendrës memorial, e cila planifikohet të ndërtohet në lagjen Haxhet, në vendin ku janë ekzekutuar rreth 2000 persona të cilët qenë shpallur nga pushteti komunist si armiq të popullit. Shumica e të ekzekutuarve nga pushteti komunist ishin shqiptarë. Aqif Blyta, po ashtu i ekzekutuar në këtë vend, që nga themelimi i Xhemijetit ishte udhëheqës politik e ushtarak i Sanxhakut dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vendimin për ndërtimin e memorialit e ka paralajmëruar Bashkësia Islame para dy viteve, pasi që Rasim Ljajiq ministër i përhershëm, i cili edhe qeverisë komunën , me ndihmën e xhandarmërisë serbe, tentoi para disa viteve të grabitë hapësirën e Vakafit (pronën e Bashkësisë Islame) në Haxhet.
Për veprimtarinë e Aqif Blytës, si liderë i Xhemijetit, të deputetit në Parlamentin e Mbretërisë së Jugosllavisë, mandej për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore , pushteti në Serbi ka qëndrim armiqësor. Pushteti aktual, njësoj mbanë qëndrim ndaj tij, sikurse edhe pushteti i dikurshëm komunist i cili e ekzekutoi duke e shpallur armik të popullit.
T’i përkujtojmë lexuesit se Aqif Blyta (1887 – 21.01.1945 (kur edhe u ekzekutua nga OZNA), me prejardhje nga Gjakova, populli i Sanxhakut dhe më gjerë e njohin si Aqif Efendia , është njëri ndër politikanët dhe patriotët më të shquar të Sanxhakut të Pazarit të Ri ndërmjet Dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta ishte veprimtar i shquar –sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif-efendiu, i cili kishte përkrahjen e pakursyer të Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tij, është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga sulmet dhe shfarosjet çetnike.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizimit ushtarak dhe politik, ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentateve të parë ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi,ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhaja të cilët më në fund ishin tërheqë nga ky vendim. Kah fundi i vitit 1941 organizon mbrojtjen e Pazarit nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit, mandej i tërë Sanxhaku, me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga Kosova nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën të mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën nga OZN-a jugosllave u ekzekutua në Haxhet më 21 janar 1945.

Pllaka perkujtimore e Aqif Blytes

Comment

*