CEZ, tender 90 milionë euro për energjinë në 2014

CEZ Shpërndarje ka vendosur të blejë të gjithë energjinë e vitit 2014 me një tender që do të mbyllet me krijimin e qeverisë së re. Gazeta ka arritur të sigurojë njoftimin e prokurimit ku parashikohet blerje me një herë të vetme e 1.3 milionë megavat/orë energjie për të gjithë vitin tjetër. Fituesi do të shpallet para Qeverisë së re

Aristir Lumezi

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, kompania monopol në vend, ka vendosur të prokurojë një shumë kolosale për të blerë energjinë që tregu shqiptar do të konsumojë gjatë vitit të ardhshëm. Gjatë vitit të kaluar, çmimi mesatar i importit të energjisë ishte rreth 68 euro për megavat. Me një llogaritje të thjeshtë, vlera e këtij tenderi arrin në rreth 90 milionë euro. Superprokurimi do të mbyllet brenda shtatorit, kohë kur pritet të krijohet qeveria e re. Në fakt, kreu i CEZ varet nga Enti Rregullator dhe kjo strukturë do të dojë kohën e vet të ndryshojë nga Kuvendi. Por, e sigurt është që dokumentet e CEZ Shpërndarje, të firmosura nga administratori i shtetit Sahit Dollapi, parashikojnë mbylljen e procedurës para fillimit real të punës së Kuvendit dhe qeverisë së re. Sipas datave të dokumenteve, ofertat do të paraqiten më 10 shtator, ndërsa fituesi për importin e energjisë nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2013 do të shpallet më 15 shtator. Pas kësaj, pak rëndësi ka kush do ta drejtojë CEZ Shpërndarje, kontratat janë të detyrueshme të zbatohen. Dokumentet e CEZ tregojnë se tenderi për importin e 1 314 000 megavat/orë energji do të zhvillohet më datë 10 shtator. Të paktën kjo do të jetë edhe data e fundit kur kompania e shpërndarjes do të pranojë oferta nga kompanitë e interesuara. Ajo që theksohet nga ana e CEZ është që prioritet do të ketë oferta më e ulët që do të bëhet nga ana e kompanive të interesuara për bashkëpunim. Pra, thënë shkurt, CEZ do të zgjedhë atë që ofron energjinë me çmim më të lirë. E ndërsa dorëzimi i ofertave do të bëhet më datë 10 shtator, data e përzgjedhjes dhe e bërjes publike të fituesit të tenderit do të jetë 15 shtatori. “CEZ Shpërndarje synon që të nënshkruajë një kontratë me ofruesin më të mirë. Ofertuesi më i mirë do të konsiderohet ai që ofron çmimin më të ulët për import. CEZ Shpërndaje do të njoftojë ofertuesit për përzgjedhjen deri më 15 shtator”, thuhet në ftesën për ofertë të kompanisë së shpërndarjes.

KONTRATA

Kontrata që CEZ synon të nënshkruajë për importin e 1.3 milionë megavat energji merr parasysh dy pika që lidhen me afatin e pagesës, si dhe me tolerancat në uljen e importit në rast të mbiprodhimit të energjisë në vend. Kështu, lidhur me pagesën CEZ merr përsipër në kontratë që të bëjë pagesën e energjisë së marrë brenda 60 ditësh nga afati i fundit i importit. Pra, nëse importi është bërë në janar, CEZ ka kohë deri në fund të marsit që të bëjë pagesën. Në të kundërt, për çdo rast që pagesat nuk bëhen në kohë nga ana e kompanisë që shet energjinë lind e drejta të përfitojë edhe një interes mbi paratë. Lidhur me situatën hidrike në vend, CEZ ka kërkuar në kontratë toleranca. “Në situata të veçanta hidrike, blerësi rezervon të drejtën të kërkojë ulje të energjisë së importuar në masën 20 për qind në favor të tij. Po kështu, blerësi ka të dejtë të ulë importin deri në 30 për qind në muaj të tillë si marsi, prilli dhe maji i vitit 2014, në rast të një situata të favorshme hidroenergjetike në Shqipëri”, thuhet në kontratë.

Comment

*