Çfarë është “largimi vullnetar” nga Amerika dhe çfarë ndryshimi ka nga deportimi?

Avokati kieran Both

Rubrika “Çeshtje të  Emigracionit”: Avokati Kieran BOTH u përgjigjet pyetjeve të lexuesve:

 

Këtë radhë  na ka ardhur kjo letër nga një lexues i rubrikës sonë

Pas seancës së dëgjimit nga gjykata e emigracionit  m’u tha se më është aprovuar largimi vullnetar nga Amerika.  Kam afat 30 ditë për t’u larguar. Çfarë ndryshimi ka largimi vullnetar  nga deportimi? Çfarë mund të ndodhë?  Gruaja ime ndodhet këtu në Amerikë dhe është duke pritur për dokumentat e saj.  

Anonim

New York

 

Largimi Vullnetar .

Personi që merr urdhër deportimi  nga Emigracioni,  mund të kërkojë “largim vullnetar” nëse është  i ligjshëm për të.

“ Largim vullnetar” do të thotë  që individi të cilit i aprovohet kërkesa për këtë obcion pasi ka humbur azilin, të largohet nga Amerika  me shpenzimet e tij dhe brenda një afati të përcaktuar nga gjykata, me qëllim që të evitojë urdhërin final të deportimit. Megjithatë duhet thënë që largimi vullnetar (Voluntary departure) nuk  jepet  në të gjitha rastet. Eshtë një status i favorshëm në krahasim me Urdhërin e deportimit. Nëse personit i jepet urdhër deportimi nga gjykata e emigracionit, atij i ndalohet të hyjë në SHBA deri për 10 vjet dhe mund të dënohet nëse tenton të bëjë hyrje të pa-autorizuar në këtë vend. Në vazhdim, personi të cilit i ndalohet  hyrja në Amerikë për një periudhë kohe 10 vjeçare, nuk ka të drejtë për dhjetë vjet të kërkojë çfarëdo lloj privilegji nga Shërbimi i Emigracionit amerikan. Ndërsa në rastin e personit që largohet vullnetarisht dhe brenda kohës së përcaktuar nga gjykata e emigracionit, ai nuk ndalohet për të hyrë në SHBA në mënyrë  të ligjshme në të ardhmen. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ai person përfiton privilegje si p.sh. mund të lidh martesë më shtetas amerikan apo rezident të përhershëm dhe të gëzojë benefitet  e martesës. Nisja vullnetare apo largimi vullnetar  u jepet personave që plotësojnë disa kushte, siç janë:

  • Prezenca fizike në këtë vend për një periudhë kohe prej një viti, para se t’i vijë kërkesa për t’ u paraqitur në gjykatën e emigracionit;
  • Të jetë person më karakter të mirë.
  • Nuk deportohet si kriminel apo terrorist.
  • Të mos ketë përfituar më parë një largim tjetër vullnetar.
  • Të vërtetojë që është në gjendje të largohet nga vendi me shpenzimet e tij financiare.

Personi të cilit i jepet e drejta e largimit  vullnetar dhe nuk e zbaton atë, i nënshtrohet dënimit civil sipas ligjit,” INA § 240B(d) (2003). Personi gjobitet dhe i bëhet ndalesë prej 10 vjetësh për të hyrë në SHBA, dhe privohet nga të gjitha obcionet e tjera të rregullimit të statusit . Nëse personit të cilit i aprovohet largimi/nisja vullnetare/,  i ndryshon mendja e nuk e zbaton atë, në të ardhmen atij apo asaj i hiqet e drejta e rregullimit të statusit edhe pse mund  t’i krijohet një rrethanë e tillë. Nëse personi nuk largohet vullnetarisht, atëhere e drejta e largimit vullnetar që i është dhënë nga gjykata shndërrohet në  urdhër deportimi. Ndaj individii që kërkon largim vullnetar duhet t’i ketë parasysh të gjitha pasojat, që mund të ketë nëse nuk largohet  nga ky vend brenda kohës së caktuar nga gjykata.

 Ndalesa për rihyrje në Amerikë pas urdhërit të deportimit dhe qëndrimit  të paligjshëm .

Individi bëhet i papranueshëm për qëndrim në Amerikë, nëse për të është marrë vendim për deportim nëpërmjet procesit të emigracionit që me mbërritjen e tij në këtë vend. Në këto raste, personi nuk është i ligjshëm për t’u ri-pranuar në SHBA për një periudhë prej 5 vjetësh. Nëse personi  merr dy herë urdhër për deportim atëherë afati i mospranimit në SHBA për të, zgjatet deri në 20 vjet. Një person që ka marrë urdhër deportimi nga emigracioni sipas një procesi normal ( jo që në  mbërritje) i ndalohet ardhja në Amerikë për 10 vjet. Personi që është përzënë nga ky vend për krime, bëhet përjetësisht i papranueshëm për të hyrë më në SHBA .

Ata që kanë një prezencë të paligjshme në SHBA për më shumë se 180 ditë rresht, por më pak se një vit dhe që largohen vullnetarisht para fillimit të procesit të deportimit, u ndalohet ardhja për një periudhë prej 3 vjetësh. Kjo nuk aplikohet për ata persona që largimi vullnetar u është aprovuar nga gjykata e emigracionit. Personit i cili ka patur në SHBA një prezencë fizike të paligjshme për një vit apo edhe më, i ndalohet ardhja në Amerikë për 10 vjet. Çdo i huaj, që refuzon të zbatojë urdhërin e deportimit pasi e ka marrë atë, paguan një gjobë prej 500 dollarësh në ditë. (Immigration and Nationality Act §274D)  Në vazhdim, moszbatimi  i vendimit  final për deportim brenda 90 ditësh  konsiderohet krim dhe dënohet me 4 vjet ose 10 vjet nëse deportimi bëhet për shkak krimesh të kryera nga personi.

Duke u kthyer tek letra  që na ka  ardhur  në zyrën tonë  nga ato pak fakte që na jep letërshkruesi duket që ai mund të jetë në gjendje  të kthehet në SHBA  nëse kërkesa për vizë për të e njeriut të vet  aprovohet. Ai nuk na thotë gjë  lidhur me statusin   e gruas së tij, apo për dokumentat  që pret e shoqja. Gjithashtu është e paqartë nëse ai ka akumuluar  kohë/periudhë/  të paligjshme qëndrimi në Amerikë  para se të fillonte procesi. Nëqoftëse  ka akumuluar më shumë se 6 muaj  prezencë të paligjshme atij i ndalohet të hyjë në Amerikë për një periudhë kohe të caktuar dhe do t’i duhet të bëjë kërkesë për rihyrje nëAmerikë, për shkaqe të  ‘ jashtëzakonshme’.

Lexuesi ynë duhet të konsultohet me  një avokat të emigracionit  në mënyrë urgjente.

Konsulta me avokat me eksperiencë të emigracionit në këto raste është e domosdoshme.

Qëllimi ynë është të ndihmojmë komunitetin shqiptar e veçanërisht emigrantët e rinj me informacion për t’i aftësuar ata që të jenë në gjendje  të kërkojnë ndihmë në mënyrë të pavarur. Inkurajojmë pyetjet tuaja nëpërmjet postës, ose via email [email protected] .

 

 

 

Comment

*