Çfarë fshihet pas mungesës së fotos për ngritjen e flamurit në 28 Nëntor 1912?

Ylli Polovina

Shkrimi i katërt i ciklit për Skënderbeun 

 

Ndërsa shkrimin e kaluar, marrë prej librit “Kujtime 1985-1923” të Eqrem bej Vlorës, i paraqitëm lexuesit të “Illyria” se, sipas tij, flamuri që u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 qe i don Aleadro Kastriotit, këtë nuk e vumë në dyshim si fakt historik. Jemi të bindur po ashtu edhe tani.

Në provë të kësaj përveç disa detajeve që autorit ia cituam javën e shkuar, ai vendos në librin e kujtimeve edhe këtë hollësi: “Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: “shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Josef) se tani nuk kanë më se çtë na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak”.

Më tej: “Por natyrisht, pati edhe të tillë si si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm dhe fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një “korb” si simbol të Shqipërisë së lirë”. “Ah, ta kishte bërë Shqipërinë, Syrja beu”, ankohej ai, tani do të kishim në flamur suret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që e ka kaluar të gjithë jetën në vendin e frengjve!” Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës se flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë”.

Ndërkaq në kujtimet e veta (autori i këtij cikli ka në bibliotekën e tij botimet “Memorie”, Ismail Kemal Vlora e l’Indipendenza dell’Albania 1912, traduzione di Nermin V. Falaschi, integrazione storiche di Renzo Falaschi, si edhe “The Memoirs of Ismail Kemal Bey”, with a preface by William Morton Fullerton, botuar në 1920 prej Somerville Story dhe ripublikuar në Shqipëri, nën kujdesin e stërnipit të Ismail Qemalit, Darling Ismail Vlora, në vitin 2012).

Në këtë libër kujtimesh nuk gjendet e referuar historia e flamurit të don Aleadro Kastriotit.

Konkretisht Ismail Qemali shkruan: “Në mbledhjen e vet të parë (të kuvendit, shënimi ynë) në 28 nëntor 1912, u votua njëzëri për shpalljen e pavarësisë. Pastaj mbledhja u ndërpre dhe delegatët dolën nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku kisha lindur dhe ku patën jetuar të parët e mi, në mes të brohorive të mijra njerëzve flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Qe për mua një çast i paharueshëm dhe duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria duke fiksuar në ballkonin e shtëpisë time të vjetër simbolin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Ishte njëlloj sikur shpirtrat e këtyre heronjve të pavdekshëm të shfaqeshin si një zjarr i shenjtë mbi kokat e njerëzve që brohorotnin”.

Pas kësaj Ismail Qemal Vlora shkruan se rifilloi mbledhja e kuvendit, të cilën e patën ndërprerë vetëm për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit.

Rikujtojmë se Eqrem Vlora ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar e pati rrëfyer fare pak më ndryshe. Sipas tij, atë nuk e kishte vendosur dhe lartuar Ismail Qemali, por Murat bej Toptani. Ky kishte kryer punën “teknike” të ngulitjes së flamurit në dritare (apo buzë ballkoni), kurse burri i shquar shqiptar, figura kryesore e asaj ngjarjeje të shënuar historike, i qëndronte pranë.

Sipas Ilir Ikonomit dhe librit të tij shumë mirë të dokumentuar “Pavarësia”, Tiranë 1912, “Rreth orës 5 e gjysmë pasdite, kur ende nuk ishte errur…tek njëra prej dritareve të divanhanes, saktësisht tek e dyta nga e majta, u shfaq Ismaili me një flamur, të cilin e tundi me duart që i dridheshin nga mallëngjimi. Flamuri ishte një pëlhurë e kuqe, mbi të cilën ishte qëndisur ose stampuar një shqiponjë me dy krerë£.

Sipas Ikonomit, “Në një dokument pa emër dhe pa datë, aë gjendet në Arkivin Qendror të Shqipërisë, dikush që citon fjalimin e Ismailit, thotë se në një çast, “ai nxjerr flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël dhe të fshehur nën pallto, dhe pasi e mban një sekondë në dorë, e ngul në shtyllat e ballkonit”.

Ilir Ikonomi e vijon interpretimin e tij dhe citon me këtë rast baroneshën Amelie von Godin, mikeshë e Eqrem bej Vlorës, e cila qe e pranishme në ngjarje. Ajo banonte tek sarajet Vlora. Sipas Ikonomit, “Baronesha tregon se atë mëngjes e thirrën në selamllëk dhe njëri nga agallarët e Vlorës, Hydai Efendiu, i tha: “Ne e dimë, baroneshë, se Eqrem Beu ka një flamur shqiptar; ma jepni mua, ju lutem, sot ai duhet të ngrihet, sepse duhet të shpallim pavarësinë e Shqipërisë”. Von Godin e solli flamurin që Eqremi e mbante varur në kornizë në dhomën e tij të gjumit pranë shtratit portativ, ku ruante edhe një koleksion armësh”.

Gjithnjë referuar librit “Pavarësia” të Ilir Ikonomit, duke i bashkuar dhe “krehur” të gjitha dëshmitë për këtë moment, të cilat janë jo më pas se pesë burime, ai shkruan se “mund të vizatojmë në mëndje atë që duhet të ketë ndodhur: Pas nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë, Ismaili ka hapur dritaren e mesit dhe me duart që i dridheshin e ka ngritur flamurin lart, për t’ua treguar njerëzve në oborrin e shtëpisë. Pastaj, sipas një përshkrimi të Dhimitër Beratit, ia ka dhënë flamurin Murat Toptanit i cili e ka ngritur “në mes të mbledhjes”, domethënë e ka valvitur me duar në divanhane para të gjithëve, duke kënduar hymnin e flamurit bashkë me delegatët e kolonisë së Bukureshtit”.

Por në kujtimet e veta Ismail Qemali pohon se për ceremoninë e ngritjes së flamurit ata lanë sallën e kuvendit dhe shkuan në shtëpinë e tij, i cila qe ngjitur.

Për të mos e endur më shumë historinë e ngritjes dhe lënë mënjanë i kujt ishte ai flamur, shkojmë atje ku “na dhemb dhëmballa”. Një foto e këtij momenti do t’i kishte zgjidhur të gjitha hamendjet.

E megjithatë një pamje e tillë nuk gjendet.

Mungesa e saj nuk është problem i vogël. Patjetër është defekt. Pse jo edhe serioz.

I organizimit të punëve të atyre çasteve apo e domosdoshmërisë për t’iu larguar një hollësie turpëruese në të ardhmen? Për shembull mos don Aleadro Kastrioti, flamui i të cilit u përdor në pasditen e 28 nëntorit, ishte një trashëgimtar fals i Skënderbeut?

T’i shqyrtojmë një për një të gjitha rrethanat e një gënjeshtre jo të vogël që vazhdon të zgjatë prej 104 vitesh dhe e bën  të manipuluar sadopak historinë e ditëshpalljes së pavarësisë tonë kombëtare.

Po e nisim prej një fakti që tashmë dihet, por asnjë autoritet shtetëror nuk e korigjon: shqiptarëve dhe tërë opinionit publik jashtë vendit, gjithë librave të historisë, i është dhënë si foto-dëshmi e ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar ajo e festimit të njëvjetorit, pra e 28 nëntorit 1913.

Ajo ka edhe një variant tjetër të censuruar me ritushim të gjithë të tjerëve, me vetëm Plakun e Pavarësisë në ballkon me duart tek parmakët. Siç gjithsecili prej nesh e di në këtë foto jo reale të propoganduar si të 28 nëntorit 1912, mund të shihen tek parmakët duart e të gjithë pjesëmarrësve të tjerë të fshirë jo aq për ta nxjerrë në reliev vetëm Ismail Qemalin, se sa për të asgjësuar nga kujtesa kombëtare imazhin e shumë bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, të cilët stalinizmi i gjysmëshekullit të “diktaturës së proletariatit” i pati shpallur dhe ndëshkuar si tradhëtarë. Duke nisur nga udhëheqësi i mëvonshëm i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, i cili në qeverinë e Vlorës ishte ministër i Punëve Botore.

Na duhet të këmbëngulim: ku është fotua e vërtetë?

Në Vlorë nuk ka mundësi që të mos ketë pasur ato çaste, qoftë edhe prej konsullatave të huaja greke dhe italiane, një shkrepje aparati. Duket e paimagjinueshme që në 28 nëntor 1912, ndërsa në Vlorë qenë grumbulluar shumë personalitete të njohura të vendit, por edhe disa bejlerë mjaft të pasur, të mos kishte mes tyre një fotograf. Sado të qe reale këto kohë një rrallësi e tyre shumë problematike në të gjitha qytetet e Shqipërisë!

Ka diçka që nuk shkon, sepse foto të tjera të kësaj kohe, shpalljes së pavarësisë, ekzistojnë, kanë mbërritur deri në kohët e sotme. Dhe nuk është një e tillë, por plot tri.

Për ta zbardhur sadopak këtë mister të mbajtjes fshehur të ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në 28 nëntor 1912, do t’i referohemi studiuesit të fotografisë, Qerim Vrioni.

Po e nisim shqyrtimin e enigmës prej njërës së tyre, asaj ku kanë dalë të gjithë pjesëtarët e kuvendit me në mes Ismail Qemalin. Ishte e rëndësisë ekstra për këtë moment të jashtëzakonshëm historik, pjesë shtesë dhe konfirmuese e vetë Deklaratës së Pavarësisë, me firmat poshtë saj, të 43 delegatëve të pranishëm.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 9 tetor 2017

Sarajet e vlorajve (Haremlleku), 1908.

Comment

*