Çfarë ke bërë pas luftës, bab?

Millosh Çiriq

Po e humbasim një luftë të rëndësishme, luftën për rininë, sidomos për brezat që në diskursin publik quhen “ata që s’janë të interesuar për politikën dhe që janë shumë të rinj për t’i kujtuar luftërat”.

 

Këtë vit shënohet 20 vjetori i rënies së Sllobodan Millosheviqit. Njerëzit e lindur në vitin 2000 ka kohë që janë bërë pjesë e jetës shoqërore dhe politike, të ekspozuar prej moshës së re ndaj një fushate të tmerrshme të falsifikimit dhe mohimit historisë sonë të vonshme përmes kulturës së popullarizuar, sistemit formal të arsimit, dhe sidomos përmes mediave.

Gjatë 20 viteve të fundit, Serbia nuk ka bërë pothuajsë asgjë për t’i qetësuar tensionet që kanë bërë që shteti jonë t’i nisë katër luftëra agresioni në vitet e 90-ta, të cilat kanë shkaktuar shkatërrim e shkretim të pamatshëm. Po flasim për 96,000 të vrarë në Bosnjë, dhjetëra-mijëra viktima të torturës e përdhunimit, mbi 13,000 të vrarë në Kosovë, miliona njerëz të shndërruar në refugjatë dhe të shpërngulur, si dhe miliona njerëz me gjymtime të përhershme mendore dhe trupore. As qytetarët serbë nën sundimin e Millosheviqit nuk u shpëtuan këtyre, porse numrat nuk u afrohen atyre të pjesëve tjera të rajonit. Në këtë bisedë, inflacioni dhe varfëria përmenden më së shpeshti kur flitet për Serbinë, bashkë me bombardimin e NATO-s, për të cilin një pjesë e madhe e gjeneratës së vjetër në Serbi as nuk e di përse ka ndodhur.

Kjo huti është e pranishme kryesisht për shkak se shteti dhe institucionet nuk kanë bërë asgjë për ta njohur, me pendim, përgjegjësinë për luftërat në ish-Jugosllavi, krimet masive të luftës dhe fushatat gjenocidale. Përkundrazi — qasja e institucioneve tona shtetërore dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm shoqërorë nuk ka ndryshuar prej kohës së luftës. Edhe gjatë luftrave, edhe pasi ato përfunduan, avazet për “rrezikimin e vazhdueshëm të serbëve” si arsyen kryesore përse “krejt kjo ka ndodhur”, por edhe se “të gjitha anët janë fajtore”, ndër të tjera, vazhdojnë t’i dominojnë edhe pjesët më të vogla të diskursit publik.

Marrëdhëniet mes shtetit dhe gjeneratave që rriten në kohën pas konflikteve është sfiduese madje për shoqëritë më serioze, demokratike dhe të mirorganizuara, jomë për tonën. Por, nëse ato marrëdhënie nuk ekzistojnë, ose më keq, kur shpenzohen gjatë një fushate sistematike e të projektuar të gënjeshtrave, mohimit dhe ushqyerjes së urrejtjes e intolerancës, të cilat ishin vetë fillesat e luftrave, atëherë nuk është e çuditshme që një pjesë e madhe e rinisë sonë mban qëndrime të thella etnonaionaliste dhe djathtiste.

Në anën tjetër, shumë organizata antiluftë dhe OJQ që veprojnë në Serbi, të cilat gjerësisht etiketohen si tradhëtare, në fakt po bëjnë punën heroike që shteti s’po e bën dot — ata po i numërojnë viktimat, po i mbledhin dëshmitë dhe provat, dhe po përpiqen ta edukojnë dhe informojnë publikun e gjerë që i urren, sidomos për arsyen se i janë nënshtruar demonizimin dhe kriminalizimit nga secila elitë politike qeverisëse, prej Millosheviqit te Vuçiqi. Megjithkëtë, këta njerëz e vazhdojnë punën dhe përpjekjet shumëdekadëshe për t’i sjellë rrethanat që mundësojnë pajtimin e qëndrueshëm në rajon.

Këto shoqata dhe organizata qytetare që, ndër të tjera, po luftojnë për një kulturë më të sinqertë të përkujtimit, tashmë po i angazhojnë të rinjtë që u takojnë brezit të dytë dhe të tretë të aktivistëve që kanë lindur në mes të luftrave apo pas tyre. Ata përballen me problemet e njëjta sikur pararendësit. Këta të rinj po ashtu shënjestrohen rregullisht si tradhëtarë nga mediat, por edhe vuajnë nga trysnia dhe dhuna e njerëzve që i rrethojnë — nga bashkëmoshatarët në shkolla e universitete, e shpeshherë edhe nga familjet.

Flasim rrallëherë, në mos kurrë, për këta të rinj guximtarë, përveç në kontekstin diskursit të tanishëm publik — që po e tradhëtojnë shtetin e tyre për shuma të mëdha parash. E vërteta, sidoqoftë, është ndryshe — pothuajse pa asnjë përjashtim, këta aktivistë punojnë në kushte të rënda dhe të pasigurta , ngjashëm me prekariatin. Pavarësisht këtyre, ata vazhdojnë të kontribuojnë për një çështje që duket e paqëllim — të përhapin faktet dhe të vërtetën për atë se “çfarë ka ndodhur”.

Kjo është sidomos e vërejtshme në punën e këtyre të rinjve në organizatat që merren me pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, bazuar në të vërtetën dhe faktet për luftën që Serbia e bëri në Kosovë.

Gjatë 20 vjetëve të fundit, janë një shumësi analizash për këtë temë, dhe emëruesi i përbashkët për to është kjo: bazuar në të gjitha të dhënat dhe dëshmitë e disponueshme, Serbia ka bërë luftë kundër shqiptarëve të Kosovës edhe në fillim të viteve të 80-ta.

Fillimisht, lufta nuk ishte e armatosur, por shpejt u bë e tillë kur Serbia vendosi shtetin policor dhe e getoizoi Kosovën në vitin 1990, dhe më tej u rëndua me politikat gjenocidale të Serbisë në fund të dekadës nën sundimin e Millosheviqit — shfarosja dhe “spastrimi” i organizuar dhe sistematik i shqiptarëve të Kosovës i kryer nga institucionet Serbe (polcia dhe ushtria) — të mbështetura nga Presidenti, Qeveria, Kisha dhe mediat.

Shtyllat kryesore të politikave thuajse naziste të Millosheviqit ende janë të forta në publikun e Serbisë, jo si shpërthime të rastësishme nacionaliste, por si politika zyrtare të shtetit, koalicionit qeverisës, si dhe opozitës moderne serbe.

Sa i përket Kosovës, një pjesë e madhe e opozitës bashkëkohore të Serbisë ka qëndrime edhe më agresive dhe toksike ndaj “çështjes së Kosovës” krahasuar me Vuçiqin, i cili ka qenë ministër i Qeverisë së Serbisë kur kryheshin krimet masive të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Për më keq, kjo ndiqet prej fushatave të pafundme të urrejtjes dhe racizimit ndaj shqiptarëve në mediat më të shikuara.

Krejt këto krijojnë kushtet e volitshme për konflikte të reja në vend të pajtimit, të cilin qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga Presidenti Vuçiq, e mbështet vetëm formalisht. Vizioni i pajtimit duket se përqendrohet vetëm te elitat politike në Serbi dhe Kosovë, e jo të qytetarëve, sidomos të rinjve, sepse politikat dhe sjellja mbeten të pandryshuara — mbështetet “patriotizmi”, i cili është i vlefshëm vetëm nëse nënkupton urrejtjen e të tjerëve, kurse “tradhtia” dënohet vetëm kur thuhet e vërteta për krimet serbe të kryera në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Sikur në çdo vend tjetër, rinia e shtetit tonë është posaçërisht e ndjeshme ndaj këtyre trendeve të helmëta që i shtyjnë drejt urrejtjes ndaj joserbëve; në fakt ata nuk i kuptojnë këto trende por dorëzohen ndaj frikës se do të jenë cak i hakmarrjeve nëse sillen ndryshe.

Sipas një studimi të vonshëm për rininë e Serbisë të lindur mes viteve 2001 dhe 2003 qëndrimet e të rinjve i vërtetojnë këto supozime dëshpëruese.[1] Më shumë se 54% e të rinjve në Serbi nuk besojnë se pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve është i mundshëm. Është e shënueshme që 22% thonë se nuk kanë qëndrim për këtë çështje. Vetëm 23.5% e rinisë së Serbisë besojnë se pajtimi është i mundshëm Më shumë se 53% mendojnë se Kosova “duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Serbisë”, e kjo me gjithë faktin se Kosova është shtet i pavarur për 12 vjet. Vetëm 12% e të rinjve mes moshës 12 dhe 19 vjeç në Serbi besojnë që Kosova është shtet i pavarur.

Këto janë shqetësuese kur kemi parasysh përpjekjet tashmë minimale që po ndërmerren në rajon për ta arritur pajtimin dhe bashkëjetesën paqësore në të ardhmen, sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve të rinj. Politikat zyrtare të Serbisë për mohimin e krimeve, për promovimin e kriminelëve të luftës dhe për lejimin e qarkullimit të lirë të gjuhës së urrejtjes nëpër media dita-ditës duket se po i përgatisin gjeneratat e reja për një konflikt në të ardhmen, sesa për paqe të qendrueshme.

Këto të dhëna të fundit për qëndrimet e të rinjve duhet të analizohen në kontekstin e qëndrimeve të përgjithshme të shoqërisë, sidomos sa i përket besueshmërisë ndaj institucioneve shtetërore nga qytetarët e Serbisë.

Në vitet e fundit, shumë studime kanë treguar që katër institucionet me besueshmërinë më të lartë në Serbi janë Persidenti, Kisha Ortodokse Serbe, Ushtria dhe Policia. Nëse i shtojmë këtu mediat (mediumi më i besueshëm në Serbi është Radiotelevizioni i Serbisë) dalim me po ato institucione që kanë përkrahur dhe zbatuar politikat e Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta, dhe duke bërë kështu kanë qenë pjesëmarrës në kryerjen e krimeve të panumërta të luftës dhe të gjenocidit.

Pa ndryshime rrënjësore të politikave, retorika dhe qëndrimet që promovohen nga këto institucione që vazhdojnë të kenë besimin e pandërprerë të qytetarëve të Serbisë, si në luftë ashtu edhe në paqe, pavarësisht kush i udhëheq, nuk mund të flasim seriozisht për pajtimin në rajon, e sidomos me serbëve dhe shqiptarëve.

Edhe pse kjo është shpeshherë e pakëndshme, po bëhet një luftë e ndershme në margjinat e jetës publike dhe është më se e rëndësishme të përfshihen aq të rinj sa është e mundur në programet që mësyjnë përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve të ish-Jugosllavisë.

Avokati i ndjerë Sërgja Popoviq ka thënë “nuk mund ta zgjosh një njeri që shtiret sikur është në gjumë” kur fliste rreth mendimeve të tij për përfshirjen e shtetit në kërdinë dhe mjerimin që ia ka sjellë rajonit në vitet e 90-ta. Ndryshe nga prindërit e tyre, të rinjtë tanë nuk po shtiren se janë në gjumë, por detyrohen të shtiren dhe kanë nevojë për ndihmë që të zgjohen. Në këtë vështrim, është e domosdoshme që të punohet me të rinjtë dhe të ekspozohen ndaj të vërtetave të parehatshme që shpeshherë ndezin debate të zjarrta, por të nevojshme.

Në dy dekadat e fundit, titulli i filmit amerikan të vitit 1966, “What did you do in the war, daddy?” (“Çfarë ke bërë pas luftës, bab?”) përdoret shpesh si moto në bisedat për pajtimin në rajon brenda brezit të parë të aktivistëve antiluftë, të cilët janë dëshmitarët e gjallë të luftrave dhe ishin më të prekurit.

Kjo çështje, edhe pse është ende relevante, nuk është plotësisht e përshtatshme për gjeneratat e reja që angazhohen në aktivizmin antiluftë, promovimin e të drejtave të njeriut dhe pajtimin në rajon, dhe nuk është fare relevante për njerëzit që po mundohemi t’i arrijmë dhe adresojmë. Ndër të tjera, kjo është arsyeje përse po e humbim luftën për vëmendjen dhe interesin e tyre.

Për ne, aktivistët e brezit të dytë dhe brezave që vijnë pas nesh, pyetja më e përshtatshme është “Çfarë ke bërë pas luftës, bab?” Në mënyrë që ta arrijmë pajtimin e qëndrueshëm dhe paqen afatgjate në rajon na duhet t’i angazhojmë aq të rinj sa mundemi në procesin e pajtimit dhe zbulimit të bazuar në fakte, dhe t’ua shpjegojmë se nuk është vetëm në interesin e tyre, por edhe në interesin e publikut.

Për ta arritur një paqe të këtillë duhet të investohen përpjekje të mëdha, por është me rëndësi t’i ekspozojmë të rinjtë ndaj gjërave të vetme ndaj të cilave guxojmë t’i ekspozojmë — të vërtetat dhe faktet për përgjegjësinë e shtetit dhe të institucioneve tona për luftërat, krimet, kërdinë dhe urrejtjen që vazhdojnë të na helmojnë. Pa këto përpjekje, të cilat ua kemi borxh vikimave në rend të parë, paqja, shoqëria e hapur dhe e ardhmja e ndritur do të mbesin mundësi të humbura për rajonin.

(Millosh Çiriq është shkrimtar dhe aktivist për të drejtat e njeriut nga Brogradi. Ky shkrim është publikuar në platformën “Remarker”, në gjuhën serbe, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze )

 

Comment

*