Çfarë më pret gjatë intervistës për nënshtetësi amerikane?

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Kam aplikuar për t’u bërë nënshtetas amerikan. Nuk më kanë caktuar ende një datë për intervistë, por jam i shqetësuar, se nuk e di çfarë më pret. Asnjë nga miqtë e mi nuk e ka kaluar këtë proces dhe udhëzimet nuk janë të qarta. Çfarë mund të ndodhë gjatë intervistës?

GG

New York, New York

Së pari, urime që keni vendosur të aplikoni për të marrë nënshtetësinë amerikane. Është hap i madh në jetë. Nëse ju aprovohet kërkesa, do të keni të drejtë të votoni. Me votën juaj, në të ardhmen, do të mund të ndihmoni imigrantë të tjerë duke zgjedhur përfaqësues që kanë pikëpamje të ngjashme me tuajat lidhur me emigracionin në këtë vend madhështor.

Në njoftimin për datën e intervistës, që ka të ngjarë ta merrni disa muaj pasi të keni paraqitur formularin N-400, tregohet se ku dhe kur duhet të paraqiteni për intervistën e nënshtetësisë. Do t’ju sugjeronim që të lexoni me kujdes formularin N-400 shumë kohë përpara intervistës dhe jo ta lini për në momentin kur prisni të hyni për intervistë. Do të ishtë mirë të simulonit një intervistë në shtëpi duke praktikuar pyetjet me një shok apo të njohur që di anglisht. Nëse ka patur ndonjë ndryshim në jetën tuaj (që nga dita e dorëzimit të aplikimit) që nevojitet ta ndryshoni në formular, duhet të jeni të përgatitur për të bërë korrigjimet e sakta. Shumica e ndryshimeve nuk përbëjnë problem. Nëse jeni bërë me fëmijë, duhet të njoftoni emrin e saktë të fëmijës si dhe të paraqisni një kopje të çertifikatës së lindjes. Nëse keni bërë ndonjë udhëtim jashtë Shteteve të Bashkuara, që nga koha kur keni dorëzuar formularin N-400, përgatisni dhe merrni me vete një listë të datave të sakta si dhe informacione të tjera lidhur me këto udhëtime siç i kërkon formulari N-400. Duhet të siguroheni që asnjë nga këto udhëtime nuk e ka prishur atë që quhet vazhdimësi e banimit në Amerikë. Nëse keni ndryshuar punë, duhet të sillni gjithashtu me vete një kartëvizitë ose letër nga punëdhënësi juaj me emrin dhe adresën e tij të saktë.

Në veçanti, dy ndryshime në përgjigjet e dhëna në formularin N-400 mund të luajnë shumë rol në mundësitë që keni për të marrë nënshtetësinë amerikane:

– Nëse kohët e fundit jeni divorcuar me personin që ka shërbyer si sponsor për green card-ën.

– Nëse kohët e fundit jeni arrestuar ose keni bërë diçka që do t’ju bënte të ndryshonit nga “jo” në “po” përgjigjet në pjesën e pestë të Formularit N-400.

Qoftë dhe sikur njëra prej dy arsyeve më lart të jetë e vërtetë, atëherë ajo do të ndikojë jo vetëm në mundësinë tuaj për të marrë nënshtetësinë, por edhe në të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara. Këshillohuni me një avokat emigracioni përpara se të paraqiteni për intervistë.

Është mirë t’ju shoqërojë një avokat ditën e intervistës, qoftë dhe një avokat të cilin sapo e keni marrë. Në ditën e intervistës, avokati do t’i paraqesë zyrtarit të Shërbimit të Nënshtetësisë dhe të Emigracionit (USCIS) një formular që dëshmon se avokati në fjalë ju përfaqëson tashmë. Avokati nuk mund ta pengojë zyrtarin e USCIS-it që t’ju bëjë pyetje të caktuara si dhe nuk mund t’u përgjigjet për ju pyetjeve. Por nëse do t’ju dilte ndonjë problem ligjor lidhur me çështjen tuaj dhe nuk do të dini si të veproni, si p.sh. keni qëndruar jashtë SHBA-së më shumë se një vit, ose ju ka ndodhur ndonjë incident me policinë ose nëse jeni divorcuar nga bashkëshorti/ja që ju ndihmoi të merrni green card-ën, apo nëse keni ndonjë paaftësi që ju pengon të mësoni anglishten, atëherë avokati do t’ju ndihmonte qoftë për të shpjeguar problemin, qoftë për të mbrojtur të drejtat tuaja.

Kur të mbërrini në ndërtesën ku gjendet zyra e USCIS-it ku do të zhvillohet intervista, do të kaloni nëpër një pikë kontrolli sigurie. Më pas ndiqni udhëzimet në njoftimin për intervistë për të gjetur katin dhe zyrën ku duhet të paraqiteni. Më pas duhet t’i paraqisni njoftimin për intervistë personit tek sporteli. Zakonisht do t’ju kërkohet të prisni pak kohë, pasi emigracioni shpeshherë u cakton intervistat shumë njerëzve në të njëjtin interval kohor. Ju sugjerojmë që të shkoni herët, që të keni kohë t’i gjeni gjërat me qetësi dhe t’i jepni vetes kohë të mjaftueshme për të kaluar pikat e sigurisë dhe sportelet përpara se të vijë ora e caktuar për intervistë. Nëse nuk ia dilni të paraqiteni në kohë, USCIS-i mund të marrë vendim që ta mbyllë çështjen tuaj.

Herët a vonë, një përfaqsues i USCIS-it do t’ju thërrasë në zyrën ku do të zhvillohet intervista. Zakonisht zyrtari rri ulur në njërën anë të tavolinës së punës, kurse ju do t’ju kërkohet të uleni në anën tjetër të saj. Intervistuesi do të shikojë të dhënat tuaja në ekranin e kompjuterit. Avokati juaj mund të jetë i pranishëm në zyrë me ju.

Zyrtari i USCIS-it e nis zakonisht intervistën duke ju kërkuar që të ngrini dorën e djathtë dhe të betoheni se do të thoni të vërtetën gjatë intervistës. Më pas ai/ajo shqyrton formularin N-400 si dhe dokumentat që keni paraqitur dhe ju bën pyetje të thjeshta nga formulari si p.sh. “Si quheni?” dhe “A jeni aktualisht i martuar?” duke vënë kështu në provë anglishten që dini si dhe për të konfirmuar që informacioni që keni paraqitur në aplikim është i saktë.

Përfaqsuesi i USCIS-it do të vendosë nëse i përmbushni ose jo kriteret për të marrë nënshtetësinë amerikane. Informacioni dhe dokumentet që keni paraqitur mund të hapin probleme, sidomos nëse keni kryer krime ose keni bërë ndonjë gjë që mund të luajë rol në idenë që do të krijojë intervistuesi lidhur me “karakterin tuaj moral”. Përfaqësuesi i Emigracionit mund të ketë informacion për ju të marrë nga burime të tjera, të ndryshme nga ato që keni paraqitur në aplikimin tuaj. Duhet të presupozoni që USCIS-i di gjithçka për ju. Gjëja më e keqe që mund të bëni në një intervistë për nënshtetësinë amerikane është të fshihni informacion ose të gënjeni intervistuesin nga frika se e vërteta do t’i dëmtonte gjasat që të merrni nënshtetësinë. Edhe kur pyetja vetë nuk luan rol të madh në vendimin që do të marrë zyrtari në fjalë, mund t’ju refuzohet dhënia e nënshtetësisë për arsye se nuk jeni treguar i sinqertë gjatë intervistës. Nëse vërtet nuk e dini përgjigjen e një pyetjeje ose nuk e mbani mend, është më mirë t’ia thoni këtë gjë intervistuesit. Mos u përpiqni të sajoni përgjigje.

Testi i aftësisë për të folur anglisht fillon që në momentin kur takoheni me përfaqësuesin e Emigracionit. Ai ose ajo, do të vëzhgojë aftësinë tuaj për të ndjekur udhëzimet (si p.sh.: “Ju lutemi qëndroni në këmbë”, kur të jeni duke u betuar që do të thoni të vërtetën). Nëse nuk kuptoni ndonjë pyetje, është mirë që t’i kërkoni intervistuesit ta riformulojë pyetjen. Përpjekja për të marrë me mend se çfarë po thuhet, mund t’ju hapë më shumë probleme sesa thjesht të thoni: “Ju lutem, a mund ta formuloni pyetjen me fjalë të tjera?” Më pas zyrtari do t’ju kërkojë të shkruani një fjali në gjuhën angleze, të cilën do t’jua diktojë.

Intervistuesi do të bëjë deri në dhjetë pyetje nga lista e 100 pyetjeve të përpiluara nga USCIS-i. Në momentin që i jeni përgjigjur në mënyrë korrekte gjashtë pyetjeve, zyrtari ndalet dhe këtë pjesë të intervistës konsiderohet që e keni kaluar. Nëse nuk jeni në gjendje t’i përgjigjeni saktësisht gjashtë prej dhjetë pyetjeve, intervista ndërpritet dhe caktohet për një ditë tjetër.

Nëse gjatë intervistës gjithçka shkon mirë, përfaqësuesi i USCIS-it do t’ju komunikojë që kërkesa juaj për nënshtetësi është miratuar si dhe mund t’ju japë një copë letër që përmban informacionin lidhur me ceremoninë e betimit. Ndonjëherë ai mund të mos marrë vendim menjëherë pas intervistës, pasi informacioni mbi të kaluarën tuaj penale mund të mos jetë i plotë ose zyrtari mund të ketë nevojë që t’i dërgoni ndonjë dokument tjetër. Ka raste kur për shkak të ndonjë paqartësie lidhur me faktin nëse duhet ose jo t’ju jepet nënshtetësia, zyrtarit i nevojitet miratimi nga eprori.

Sigurohuni që  t’i përgjigjeni në kohë kërkesës për dokumenta shtesë. Nëse kërkesa për nënshtetësi do t’ju refuzohet, do t’ju vijë një letër që shpjegon arsyet e refuzimit. Nëse ndodh kështu, mund të zgjidhni të apeloni vendimin ose thjesht të aplikoni përsëri.

Nuk do t’ju sygjeronim të ri-aplikoni përveçse në rastin kur e keni të qartë arsyen pse u hodh poshtë aplikimi i parë dhe aplikimi i ri që do të paraqisni është ndryshe dhe si i tillë mund të bëjë që USCIS-i të ndryshojë vendim.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Comment

*