Çfarë mendoj t’i them sonte z. Pandeli Makjo

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

Sonte në darkën që organizon Shoqëria “Djemtë e Shën Mërisë” Worcester MA, pranë kishës “Fjetja e Shën Mërisë (“Albanian Orthodox Church St. Marry Assumption”), janë të ftuar nderi zonja Floreta Faber, Ambasadore e R. SH. dhe zoti Pandeli Majko, Ministër i Diasporës i R.SH. Pas fjalëve të tyre do të ketë pyetje, diskutime nga pjesëmarrësit. Duke menduar se mund të mos kem kohë të flas në takim, po i hedh këtu disa nga kërkesat që mendoj t’i parashtroj zotit Ministër:
1. Qeveria shqiptare duhet ta shikojë dhe vlerësojë diasporën shqiptare si një të vetme dhe jo të ndarë në ish ballistë, ish legalistë, ish të arratisur, emigrantë ekonomikë simpatizantë të kësaj apo asaj partie politike dhe as në shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, ose Maqedonisë.
2. Nëse Qeveria Shqiptare ka vendosur që tash e mbrapa t’i konsiderojë bijtë e diasporës vërtet si bij të saj dhe jo si “kolaboracionistë dhe suretër”, atëhere duhet që bij e bija të shquar të disaporës shqiptare të emërohen në poste të larta të kësaj qeverie. Pra në disa ministri, sidomos në Ministrinë e Diasporës të tillë bij e bija duhet të zenë poste kryesore.
3. Qeveria shqiptare të sjellë për shitje tekste mësimore dhe libra leximi për mësimin e gjuhës shqipe prej të rinjve që lindin e rriten në diasporë.
4. Të punohet për regjistrimin e diasporës dhe krijimin e mundësive për votim. 5. Rezultatet e diasporës shqiptare në fusha si letërsia e shkenca, popullarizohen shumë pak në Shqipëri, prandaj duhet të realizohet ribotimi prej Ministrisëve të Diasporës e asaj të Kulturës i veprave më të rëndësishme letrare e shkencore të botuara deri sot prej bijve të diasporës në kopje të pakta.
6. Të realizohet botim i disa antologjive me artikuj e studime shumë të vlefshme të cilat bijtë e diasporës i kanë botuar vetë në pak kopje për mungesa financiare, etj. 7. Institucionet shkencore të Shqipërisë të krijojnë projekte pune për bashkëpunim me studiues të diasporës pvr të realizuar studime me vlera kombëtare e ndërkombëtare.
8. Jeta dhe vepra e shumë bijve të shquar të diasporës të studiohet e të pasqyrohet në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, i cili duhet pastruar nga shumë figura që i shërbyen qorrazi ideologjisë së gabuar komuniste.
9. Vlerat letrare dhe artistike të shkrimtarëve dhe artisteve të diasporës duhet të pasqyrohen dhe në tekstet shkollore të niveleve të ndryshme.

One Response to “Çfarë mendoj t’i them sonte z. Pandeli Makjo”

Read below or add a comment...

  1. Fran Shkreli says:

    Shumë bukur i nderuar Dr. Gjika. Kam venë re se nga takimet e deritanishme që ka patur Z. Majko me diasporën shqiptaro-amerikane në Nju Jork dhe Detroit — të pakën ashtu siç janë pasqyruar ato nga media këtu dhe në Shqipëri — nuk kam parë që disa prej temave me rëndësi të cilat theksoni ju më lartë, të jenë prekur nga pjesëmarrësit.

    Prandaj, uroj që takimi në Worcester të jetë miqësor dhe ndërtues, por mbi të gjitha shpresoj të jetë fillimi i një dialogu të sinqertë dhe pa paragjykime, që të çojë në një marrëdhënie më të mirë midis diasporës në Amerikë dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Shpresojmë!

    Të përshëndes edhe për faktin dhe transparencën që tregoni nëpërmjet këtij artikulli në gazetën Illyria duke njoftuar komunitetin shqiptaro-amerikan për temat mbi të cilat pritet të shkëmbehen sonte mendime në Worcester me Ministrin e Diasporës, Z. Majko.

Comment

*