Çfarë ndodhi përpara nisjes së Senatorit Bob Dole për në Kosovë

Një intervistë e gazetarit të njohur Halil Mula nga RTV21 me veprimtarin e biznesmenin e njohur Harry Bajraktari lidhur me 30-vjetorin e vizitës së Senatorit Dole në Kosovë hedh dritë mbi disa detaje lidhur me këtë ngjarje historike.

 

Nga Ruben Avxhiu

Ditën e dielë Kosova përkujtoi vizitën e Senatorit Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë amerikanë në Kosovë, në 29 gusht 1990.
Vizita është një pikë e rëndësishme kthese në historinë e Kosovës, kryesisht përshkak të figurës madhore të Senatorit Dole.
Harry Bajraktari me të drejtë përpiqet ta vendosë në perspektivë madhështinë e kësaj arritje nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Sepse komuniteti ynë ka arritur kaq shumë gjëra saqë tani merren si të mirëqëna.
Dole ishte kryetari i Konferencës Republikane të Senatit Amerikan. Kishte kandiduar vetë për President i Amerikës. Presidenti aktual i SHBA-së George Bush Sr ishte nga partia e tij dhe konsultohej vazhdimisht me të.
Kush janë shanset që një province (në atë kohë Kosova ishte thjesht një provincë, i ishte hequr autonomia, nuk kishte asnjë atribut ndërkombëtar) t’i vijë për vizitë 7 senatorë amerikanë të udhëhequr nga figura kryesore republikane në Senat?
Në Bosnje u vranë 300,000 vetë, në Ruanda 1 milion. Nuk pati vizita të tilla, thotë Harry Bajraktari. Kur e vendos në perspektivë, ishte e paimagjinueshme kjo arritje që është sigurisht meritë e komunitetit shqiptar në SHBA.
Ai gjen rastin për ta falenderuar bashkatdhetarin Jim Xhema për rolin e madh personal që luajti në realizimin e kësaj vizite.

 

Darka e fundit para nisjes

Xhemail (Jim) Xhema (djathtas) me ish senatorin Dole (në mes) dhe Mehdi Hajdarin, në një demonstratë të shqiptarëve për lirinë e Kosovës në Washington. (Nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i autorit Vebi Bajrami)

I nxitur nga gazetari Halil Mula, Harry ndalon në ngjarjet që i paraprinë kësaj vizite.
Ai thotë se për përgatitjen e saj mund të jetë punuar më shumë se një vit. Në vitin 1989, Kosova humbi autonominë dhe përpjekjet e shqiptaro-amerikanëve u intensifikuam.
Ndonëse në atë kohë nga aktivistët më të rinj, ai ishte pjesë e një grupi të vogël që vepronin së bashku si dhe individualisht për të angazhuar sa më shumë miq në Washington për kauzën e Kosovës.
Ai përmend në veçanti aktivistët Jim Xhema, Sami Repishti, ish-kongresistin Joseph DioGuardi që në vitin 1989 themeloi Ligën Qytetare, Bruno Selimaj, Shaqir Gashi, Rrustem Gecaj, Ekrem Bardha, Din Derti, të ndjerin Rexh Xhakli etj. Harry Bajraktari që kishte ardhur në SHBA kur ishte 13 vjeç dhe ishte rritur me historitë e patriotizmit dhe lobimit historik të shqiptarëve të Amerikës ishte i lumtur që tani ishte edhe vetë pjesë e këtij grupi.
“Kemi biseduar jo vetëm me Dole, por edhe me Senatorin Al D’Amato. Edhe me Larry Pressler. Sa më shumë senatorë të angazhoheshin aq më mirë”, tregon Harry.
Katër-pesë ditë përpara nisjes senatorët janë takuar me një grup shqiptarësh për të folur për planin e vizitës dhe se çfarë prisnin prej saj.
Një natë përpara nisjes, Jim Xhema shtroi një darkë për senatorët ku morën pjesë edhe një grup shqiptarësh aktivistë të komunitetit.
“Kemi biseduar deri vonë”, thotë Harry.
Në atë kohë ende nuk dihej se çfarë do të ndodhte me Jugosllavinë. Politika e SHBA-së ishte që federata të mos prishej, të gjendeshin zgjidhje për problemet dhe t’i jepej mundësia demokracisë që të krijonte një Jugosllavi të re me të drejta të barabarta.
Mirëpo, pas kthimit nga vizita në Kosovë, në një bisedë intime me aktivistët shqiptarë, Senatori Dole ua kishte thënë hapur që nuk kishte besim se do të kishte zgjidhje brenda Jugosllavisë.
“Kosova do të ndahet nga Serbia”, u tha. “Nuk e di se si e se kur, por mund të them se SHBA do të jenë pranë Kosovës nëse vjen puna te ndarja”.
Në fakt, u deshën të kalonin edhe dy vjet të tjera, që SHBA të fillonte të njihte republikat që u shkëputën të parat. Qendrimet për Kosovën do të ndryshonin më vonë dhe aty Dole përsëri luajti rol.

 

Respekt për kontributin e patriotit Jim Xhema

Ish senatori Dole (majtas) me prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën. (Nga libri “Shqiptarët e Amerikës” i Vehbi Bajramit.)

I pyetur nga gazeta lidhur me atë kohë, Harry Bajraktari tha se i është shumë mirënjohës punës dhe përkushtimit të bashkatdhetarit Jim Xhema që luajti rolin vendimtar në organizimin e këtij udhëtimi.
Sa herë që ka pasur nevojë atdheu, Jim Xhema ka qenë aty për të kontribuar. Ka ndihmuar për Kosovën, por edhe për Shqipërinë e për shqiptarët në rajon.
Jim Xhema mbetet mik me Senatorin Dole edhe sot e kësaj dite. Lidhja që krijoi Jim Xhema me të krijoi një model që është marrë si shembull në komunitetin shqiptar.
Jim Xhema ka marrë pjesë rregullisht në këto 30-40 vjet në të gjitha takimet fondmbledhëse kryesore të komunitetit shqiptar. Sa herë që ka qenë nevoja nuk ka kursyer për çështjen shqiptare, tha Harry Bajraktari.

 

Nevoja e një strategjie kombëtare

Kongresisti Engel duke ngritur flamurin amerikan në Prishtinë, Kosovë, korrik 1996.

Harry Bajraktari foli edhe për vizita të tjera me rëndësi në Kosovë, si ajo e kongresistit Eliot Engel që ngriti flamurin amerikan dhe hapi Zyrën Amerikane në Prishtinë në vitin 1996, kur mbi Kosovën ishin rikthyer retë e zeza të luftës.
Në 2019, Engel u rikthye për të prerë shiritin e ambasadës më të madhe amerikane në rajon. Çfarë kishte nisur si një qendër e vogël informacioni në një provincë ishte kthyer në një kryeqendër diplomatike në shtetin më të ri të pavarur në Europë.
Krijimi i lidhjeve tona në Washington kërkon kohë dhe durim, tha Harry Bajraktari. U deshën disa vite punë, mbështetje e proces edukimi që Senatori Dole të vizitonte Kosovën. Jim Xhema punoi me për shumë vite. Ai tha se kur kongresisti Engel u bë kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongres, kishin mbrapa 30 vite punë të përbashkët.
“Miqtë nuk bëhen brenda natës”, tha ai.
Harry Bajraktari foli për një mikun e tij të ri, asambleistin Ritchie Torres që në janar do të bëhet kongresist. Torres u takua me ministren e Jashtme të Kosovës dhe ka premtuar të vizitojë Kosovën në gjashtë muajt e parë të mandatit të tij të parë.
Ai tha se shqiptarët duhet të vazhdojnë punën për të bër miq të rinj e për të punuar me të vjetrit në SHBA.
Mbi të gjitha na duhet një lloj organizimi që të përcaktojë një strategji të re me disa pika që kanë të bëjnë me interesin kombëtar. Jo partiak e as shtetëror. Kombëtar.
Ai foli për rastin e shqiptarëve të Preshevës. Kongresisti Engel i kishte vizituar në vitin 2019. Mirëpo, nuk ka një platformë të qartë kërkesash. Një plan se ku po shkojmë. Ata duhet të gëzojnë po aq të drejta sa serbët në Kosovë, mirëpo koordinimi mes Shqipërisë e Kosovës mungon.

 

Asgjë më pak sesa një mrekulli

Duke i parë zhvillimet e 30-40 të fundit, ai mbetet optimist. Problemet e ditës thotë se na bëjnë të harrojmë se sa shpejt përparuam gjatë jetës sonë. Vetëm 9 vjet pas vizitës së Senatorit Dole, Kosova u çlirua. 18 vjet më vonë, shpalli pavarësinë. Sot e njohin mbi 100 vende. Popuj të tjerë kanë pritur me shekuj që të fitojnë lirinë.
Shqipëria është në NATO. Aty do të shkojë edhe Kosova dhe të dyja mund të jenë në Bashkimin Europian, nëse Europa mbetet e mbashkuar.
Politikanët që zgjidhen duhet të punojnë më mirë e populli shqiptar meriton shumë më tepër, por kjo që ka ndodhur është asgjë më pak sesa një mrekulli, i tha Harry Bajraktari gazetarit Halil Mula.

Comment

*