Shpëtimi i hebrejve, tema e një shfaqje teatri në New York

Java e fundit për të parë shfaqje “Refuge”, në Manhattan, bashkëpunim i Teatrit “Oda” nga Kosova me “Blessed Unrest” – 5 dollarë ulje çmimi, nëse shkruani kodin “Illyria”

Dy familje që i mbijetuan luftës dhe që ritakohen shumë kohë më vonë për të shkëmbyer atë çfarë u ndodhi nga këndvështrimi i secilës.
Kjo dramë me mësime historike është vënë në skenë nga një bashkëpunim mes trupës teatrale “Blessed Unrest”, në New York dhe Teatrit “Oda” nga Kosova.
Regjizorë janë Jessica Burr dhe Florent Mehmeti. Teksti është nga Matt Opatrny, Florent Mehmeti dhe ansambli.
Aktorët janë (nga Teatri Oda) Eshref Durmishi, Daniela Markaj, Ilire Vinca; si dhe (nga Blessed Unrest) Nancy McArthur, Becca Schneider, Perri Yaniv. Muzika është nga Metropolitan Klezmer, do të luajnë Ismail Butera, Debra Kreisberg, Eve Sicular.
Shfaqja jepet në:

Baruch Performing Arts Center
55 Lexington Ave, NYC (hyrja nga 25th Street)

Biletat janë 35 dollarë – por ka një sekret. Është 5 dollarë më pak, nëse shkruan (te pjesa blu) kodin “Illyria”.
Biletat mund të blihen këtu: https://ci.ovationtix.com/1091/production/1000824

Shfaqja që do të shihni bazohet në një ngjarje të vërtetë. Ajo hedh dritë mbi aktin e madh të shpëtimit të mijëra hebrejve nga shqiptarët. Në një kohë kur miliona hebrenj u zhdukën në kampet naziste të përqendrimit, shqiptarët refuzuan që t’i dorëzojnë, i fshehën e i mbrojtën. Shpesh duke rrezikuar veten dhe familjarët e tyre.
Tradita e bukur e Besës ka qenë në themel të këtij akti të guximshëm dhe njerëzor. Në fund të luftës, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku numri i hebrejve ishte më i madh se në fund të luftës.
“Refuge” (Strehimi) hedh dritë mbi këtë ngjarje në një kohë si kjo e jona kur debatet për refugjatët kanë helmuar politikën duke krijuar ndarje drastike të papara prej dekadash në SHBA dhe Europë.
Për ata që nuk e dinë, Teatri Oda, është teatri i parë i pavarur në Kosovë dhe është themeluar në fund të vitit 2002, me nismë të aktorit Lirak Çelaj dhe regjizorit Florent Mehmeti. Megjithatë, teatri feston 1 Marsin si ditëlindje të tij, për shkak se në 1 mars 2003 dha shfaqjen e parë zyrtare, “Monologët e Vaginës”.
Që nga 5 janari, Teatri ODA është gjithashtu i vetmi teatër i pavarur në Kosovë me ndërtesën e vet.
Bashkëpunimi me Blessed Unrest që ka sjellë edhe shfaqjen e këtyre ditëve, “Refuge”, është gjithashtu i hershëm. E ka pikë nisjen në vitin 2005, me shfaqje të në Ballkan, Europën Perëndimore dhe në New York.
Një nga shfaqjet që më ka lënë më shumë mbresa ka qenë ajo e bazuar mbi “Kush e solli Doruntinën” të shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare.
Bashkëpunimi mes Odës dhe Blessed Unrest ka prodhuar projektin e parë teatral të përbashkëshkët SHBA/Kosovë në histori. Një nga kulmet e këtij bashkëpunimi ka qenë Çmimi i Parë në Festivalin Secondo, në 2016, në Cyrih, Zvicër.
Përveç vlerave artistike dhe rëndësisë për zhvillimin kulturor në Kosovë, ky bashkëpunim ka vepruar si prezantuese e identitetit të shtetit më të ri në Europë.
Shfaqja që po jepet në Manhattan ka nevojë për mbështetjen e komunitetit tonë. Shkoni dhe shikojeni shfaqjen për të pasuruar shpirtin tuaj, për t’u hapur të rinjve dhe fëmijëve tuaj një dritare culture, apo për t’u dhënë një mësim historie, ftoni miqtë tuaj shqiptarë dhe amerikanë për një prezantim të bukur bashkëpunimi, për të lexuar së bashku një faqe nga historia e popullit tonë. Shkoni për të shijuar artin modern dhe kombëtar, muzikën shoqëruese, talentin e aktorëve dhe njerëzve tanë të skenës. Shkoni për të mbështetur një artin shqiptar. Jepni edhe ju kontributin tuaj financiar dhe njerëzor që ky bashkëpunim të vazhdojë, që Kosova të jetë e pranishme jo vetëm në takime e tryeza politike, po edhe në skenat e artit dhe botën e kulturës.
Në kohën tonë ku gjithshka është komercializuar, vendosmëria e këtyre trupave të pavarura të teatrit janë një akt guximi dhe mbijetese, që nuk duhen lënë vetëm. Ata tregojnë këto ditë historinë e një shpëtimit. Po ky është një shans për ne vetë që të japim një dorë në një tjetër shpëtim. Në shpëtimin e artit dhe kulturës, pa të cilët do të ishim të gjithë të varfër në shpirt e në mendje. (Ruben Avxhiu)

Fotografitë nga Maria Baranova

Comment

*