ÇFARË ZBULON GJEOGRAFIA E LËVIZJEVE TË FUNDIT TË DY KANDIDATËVE DHE MORALI I VOTËS SHQIPTARO-AMERIKANE

Nga Ruben Avxhiu

Këto dy harta që tregojnë lëvizjet e dy kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden – në javën e fundit përpara votimit – zbulojnë edhe shtetet që sipas llogarisë së fushatave të tyre do të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve presidenciale.
Duket qartë nga denduria e pikave se të dy fushatat mendojnë se shtetet “brezit të ndryshkut” (një emër për zonat e industrive tradicionale tashmë në rënie) do të jenë vendimtare.


Jo edhe aq rastësisht këto janë zona ku shqiptarët banojnë me shumicë. Shumë prej tyre e nga të parët e tyre u vendosën aty pikërisht të tërhequr nga industri që sot nuk janë më. Gjyshi im ka punuar veç të tjerash në Illinois dhe Indiana. Industria e prodhimit të makinave tërhoqi fillimisht mijëra shqiptarë në Michigan. Shqiptaro-amerikanët i gjen me shumicë edhe në shtete si Wisconsin e Pennylvania që kanë dalë në qendër të vëmendjes së fushatave.
Sigurisht, brezat më të rinj të shqiptarëve në shumë nga këto shtete u janë përshtatur ndryshimeve më mirë se një pjesë e madhe e popullsisë duke kaluar me sukses në industrinë e shërbimeve, e drejtime të tjera ekonomike etj.
Vota e tyre do të ketë rëndësi në këto shtete nëse ato do të prodhojnë rezultate shumë të ngushta. Më pëlqen që shqiptarët janë pjesë e të dy fushatave. Do të kisha preferuar që ata ta reklamonin më shumë peshën e tyre në vota. Më e rëndësishmja që të votonin më shumë.
Historia zgjedhore amerikane ka shumë raste kur zgjedhjet janë përcaktuar nga një votë e vetme. Mos e injoroni e mos u tallni me votën. Merreni seriozisht, pa qenë nevoja të çakërdiseni pas saj. Për shqiptarët që vijnë nga vende, epoka, e regjime ku u është mohuar e drejta e votës dhe e fjalës, vota nuk është vetëm shprehje e preferencës për një nga kandidatët, apo partitë, por edhe një hakmarrje personale. Një hakmarrje jo vetëm për veten por edhe për ata mijëra shqiptarë, të afërt të familjes, ose jo, që shkuan në atë jetë pa provuar të drejtën e votës. Atyre që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë. Ka rëndësi morale kjo votë ndaj edhe nuk duhet të mungojë.
Për shumë arsye, kjo nuk është fushata zgjedhore që kam dashur të shoh në SHBA. Demokracia amerikane që ka frymëzuar miliona në mbarë botën është vetë në një sprovë të madhe sot. Ndryshe nga shumica e amerikanëve, ne shqiptarët e dimë se çfarë do të thotë të humbasës lirinë apo të jetosh në një demokraci gjysmake. E dimë se çfarë vjen nga adhurimi i politikanëve apo nga urrejtja e mohimi i humanitetit të kundërshtarit politik. Uroj mbi të gjitha, urtësi e qetësi për shoqërinë amerikane. E gjithë bota do t’i ketë sytë këndej. Përreth vizave e pikave të këtyre dy hartave, jetojnë njerëzit që besohet se do të kenë në duart e tyre përgjigjet që pret një komb i tërë dhe një botë e tërë. Mes tyre jemi edhe shumë prej nesh. Të ardhur nga ana tjetër e Oqeanit, për t’u ngritur apo për t’u mbytur bashkë me këtë vend të madh që na ofroi e na u bë një atdhe i dytë.

Comment

*