Cikël poetik nga Donika Dabishevci “E para ishte kanga”

Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar masterin, duke vazhduar në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”.

Donika ligjëron në njërin nga universitetet private në Prishtinë, ndërsa përvoja e saj lidhet edhe me media. Ka punuar në disa gazeta e revista, pastaj në Radio Televizionin e Kosovës.

Në vitin 2017 ka themeluar portalin e lajmeve “Gazeta Observer” të cilin e menaxhon e po ashtu që nga fundi i vitit 2019 edhe portalin për kulturë, letërsi dhe art “ObserverKult”.

Ka botuar librat: ‘Krizantema të plasura’ (1996), “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015), “Kam me ardhë si deka” (2015), dhe “La tua robinja” Romë, (2017.) Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës.

Me poezitë e saj është prezantuar në festivale vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa me punimet e saj shkencore në një numër të madh konferencash e seminaresh që kanë të bëjnë me fushën e Albanologjisë dhe Medias.

Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, frënge, turke, suedeze, rumune, bullgare, maqedone, serbe, etj.

 E PARA ISHTE KANGA

E para ishte kanga,
kanga ishte pranë Zotit,
kanga ishte vetë Zoti!
Mandej erdhi fjala –
për me mujtë me u ngjizë unë e ti.

Penelopë  e zhuritun mallit,
dufin e mledhun shekujsh
t’shfryva përmbi.

Gjamë, vaj, britmë e nemë…

Ishe vonue…ama,  nuri veç tu kish shtu’
ose,  udha e kish ba t’veten.

Çdonjana shtojzovalle e ndeshun shtigjesh,
t’kish mblatue shkëlqim,
e tana bashkë – rrëzllimin e t’pamposhtunit.

Me leti, pa pikë muni,
tan’ yjzit e zemrës m’i ndrive,
pa mujtë me t’ba zap,
pa mujtë me t’thanë ndal,
pa mujtë me lshu nji za.

 

Si puhizë e lehtë mali
që si tutesh, as ruhesh,
m’mlove e m’bekove plot afsh
me prush dashnie lodhun pritjesh.

Farfulli dehëse…
Trup e shpirt bamun nji,
tuj flutrue qiejsh.

E para ishte kanga,
kanga ishte pranë Zotit,
kanga ishte vetë Zoti!
Mandej mbi këtë tokë t’bekueme
zumë ven unë, ti…e Fjala.
Duhej qëndisë, gravu’ – për mos me u harru’
dashnia e përgjithmonshme, e përtejshme…

Tek mandej u ndi thirrma mitike: Le t’bahet!

 BUZËN

I keq, ti…!

Pse m’rri hutueshëm
i randë plumb prej heshtjes?

Diellore jam unë
s’jam nemë e zezë.

I panjohun mund t’jetë
veç çasti që mblatoi
kët’ joshje t’egër,
çmendunisht thellë.

Pse druhesh?

Nji ditë as ti e as unë,
s’kemi me kenë ma
kemi me humbë,
kemi me u zhba.

Ti ke me u kthye n’moçal,
unë n’llavë vullkani,
ti ndonji prrue n’vërshim,
e unë kam me shndritë si ylber,
si ylber shumëngjyrash plot gzim!

Mos u tkurr,
Shpërthe si vrushkull gjaku!

Shndritma zemrën,
përflakma trupin.
Dhe po: Buzën!
Qenie e dobët që do lutje:
Buzën!

Jam msu me u dhanë
deri n’kthetra t’dekës
me u lshue tan’ buzëqeshje.

Akull me gjak kam shkri,
pa ni kurrë sa kam marrë,
i marrë!

Kam me t’dhanë frymë,
kam me t’dhanë shpirt,
kam me t’dhanë jetë,
ty gur i heshtun
unë, diellorja!

Se ta du buzën,
mor qenie e dobët.
Ta du buzën,
mor i marrë!

 Mllefosun hana n’ty

Shih, hana është dhezë
shigjeta dhimte plot mllef
dëshprueshëm gjuen n’ty
oxhaktë e shpijave
s’lshojnë tym prej mërzie
za fmijsh s’nihet mrena aty

Ngo, britmën e shelgjeve
fërshllimë t’egër
gjethet kanë marrë
piskamë e erës
qiellin plasaritë
mos qëllofsh udhësh
o i mjerë shtegtar

T’bajnë za
me e nxerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë

Unë i rri dashjes teme patundun
s’ke me m’pshtue
n’metsh mas ksajna gjallë
kur t’qetohet ajri
n’dalsh prej ksaj terrine
ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.

 N’lug mali

Hana zhdergjet poshtë malit
zdritë koliben e vogël me kashtë
bjen avujt e shelgjeve t’mallit
që i lkundin edhe eshtnat n’rrashtë

Shpirti m’zhvatet
tuj m’i shkulë gjembat
gjum’ t’lum’
nuk m’len n’qepallë
m’ban me i ndjekë
fërkemtë e kuq t’andrrav’
trastë t’harrueme
t’tyne me marrë

Me hapë varrë t’lagshta dëshirash
tuj t’andrru rob n’hallka zingjirsh
ni gur t’madh me ta rrokullisë trupit
me t’u gjujtë si ulkonjë egërsisht

N’fushbetejë me ta matë burrninë
se s’du shpirtit kurrë bari me m’bi
des me i çelë sytë n’at’ lug mali
hallakatshëm tuj t’pa ty përmbi.

Udhës kah ti

Nisem drejt teje
si drejt preje
me t’u vërsulë
me t’u dhanë
e me t’lanë.

Por, nisi me u qetu bisha
e zemra me ba t’veten
tu’ u gzu se je k’tu veç për mu
e jasht meje nuk ekziston.

E nisa me ta puth synin ngadal
me t’ba t’lumtun n’kët’ mëngjes
me t’marrë e me t’dhanë
e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty.

T’i du sytë e qeshun
edhe kur qiell e tokë lutesh me t’nxanë
du me t’pa k’shtu
ose si trofe t’varrosi me ritual pagan
e shnoshna prej teje
njiherë e përgjithmonë

GJITHÇKA ASHT’ ANDËRR, SHPIRTI JEM

Gjithçka asht’ andërr, shpirti jem,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe…
merre si t’dush’, njilloj asht’,
krejt njilloj…pse çuditesh?

S’ka naj ndryshim mes “mos me kenë”
dhe hapave t’lehtë që ikin n’mjes
për t’mos u kthye ma,
për t’mos u kthye kurrë.

Aroma n’shtroja,
si fllad i lehtë pranvere
përbirue xhamave
asht’ mbetja e fundit.

Mundesh me e lypë nji fije lumnije
tuj zmadhue sytë mbytun lotsh
me ba be n’ta, se ishe ti, se ish ai…
me u kapë mas do urtive t’moçme
me thanë kshtu kenka shkrue
e me rrnue tuj e mbyllë dhimtën
thellë bordurave t’shpirtit…

Ose, mundesh me i kërcitë dhambët,
me u jargavitë, me u çkrry, me u çky,
me e vjerrë ni guri n’qafë e me u mbytë,
por, prap’ andërr mbetet, shpirti jem, veç andërr,
nji andërr e bukur, nji andërr e keqe,
krejt njilloj, pun’ e madhe si e emnojmë,
diçkanë që fund e krye kaplue asht’ prej trishtimi…

Comment

*