Çka e kishte këshilluar Rugova Senatorin Dole?

Prishtinë, 30 gusht 2020 – Vizita e parë e Senatorit amerikan Bob Dole dhe të 6 kolegëve të tij në Kosovë, më 30 gusht 1990, mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së formësimit të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj lëvizjes politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kjo ngjarje, e cila i dha impuls të madh lëvizjes politike të Kosovës, e afirmoi edhe më fort autoritetin e pakontestueshëm të liderit politik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Warren Zimmermann, në librin e tij “Origins of a Catastrophe“, sjell në kujtesë përmbajtjen e bisedës së delegacionit të Senatit Amerikan të ushëhequr nga Senatori Dole me Rugovën dhe liderët tjerë shqiptarë.

Ambasadori Zimmermann, i cili kishte njohje me Rugovën, kujton në libër një detaj nga kjo bisedë, i cili, sipas ambasadorit, shprehte natyrën e Rugovës prej humanisti.

Shkumbin Brestovci, hulumtues i pasionuar i burimeve dhe materialeve arkivore të lëvizjes politike të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, e ka përkthyer dhe publikuar një fragmet të librit të Ambasadorit Zimmermann nga biseda e Senatorit Dole me Rugovën.

“Takuam Rugovën, udhëheqësin shqiptar, në Hotelin kundërthënës Grand, grandioziteti i të cilit bazohej vetëm në zhyllin e tij epik. Ai na tregoi fotografitë e disa prej të plagosurve; ata ishin gjakosur keq, por askush nuk ishte vrarë. Rugova dhe kryetarët e partive të tjera politike shqiptare i dhanë kontingjentit të Dole-it një llogari të matur dhe mbresëlënëse të vuajtjeve të veta. Dole-i dhe kompania e tij u shoqëruan më pas nëpër një derë tjetër, për t’u ikur ngacmimeve dhe ulërimave të një grupi të organizuar ekstremistësh serbë. Këta demonë ballkanik zunë të debatojnë mes veti nëse do të takoheshin në një dhomë ku ishte varur fotografia e Titos (aty nuk do të hynin), pastaj u zhvendosën te katalogu i padokumentuar i vrasjeve, përdhunimeve, përdhosjeve të varreve dhe akteve të tjera monstruoze të cilat ua atribuonin shqiptarëve. Nëse qëllimi i tyre kishte qenë t’i kthenin amerikanët nga kundërshtarë në armiq të paepur, patën sukses të plotë…

Ndërsa po largoheshim, Dole më tha se donte të bënte një shetitje, për të takuar disa shqiptarë të zakonshëm. I thashë po e pyesim Rugovën. Për habinë time, shqiptari kundërshtoi fort – “Serbët mund ta përdorin këtë si pretekst për dhunë edhe më të madhe. Mendoj se duhet të shkoni drejt në aeroport.” Dole, i zhgënjyer, e pranoi këshillën e tij. Mendova për cilësinë e karakterit të Rugovës. Një incident i dhunshëm me siguri do të ishte në favor të tij politik, por ai donte ta shmangte atë, sepse nuk donte që njerëzit të lëndoheshin“, shkruan Zimmermann në librin “Origins of a Catastrophe“.

Ngjarjet që u zhvilluan në Prishtinë pas largimit të delegacionit amerikan të udhëhequr nga Senatori Dole dëshmuan se Rugova pati të drejtë që i këshilloi të mos takoheshin me qytetarët që kishin dalë për t’u uruar mirëseardhje. Forcat policore të Serbisë përdorën dhunë ekstreme ndaj shqiptarëve paqesorë që ishin tubuar para Hotelit Grand.

Autoritetet serbe patën bërë të pamundurën të fshihnin simpatinë e shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ato e patën drejtuar kolonën e automjeteve të delegacionit amerikan në një rrugë dytësore, për të shmangur qytetarët e shumtë që kishin dalë për të përshëndetur delegacionin amerikan, në të dyja anët e rrugës kryesore prej aeroportit drejt qendrës së qytetit.

Sipas burimeve të atëhershme prenda policisë, autoritetet e kishin ndryshuar drejtimin e lëvizjes së delegacionit amerikan, me motivacion se ekzistonte rreziku i kërcënimit të kolonës së automjeteve nga shqiptarët.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*