Ç’ndodh kur të ardhurat e sponsorit nuk janë të mjaftueshme në rastet e bashkimeve familjare

Avokati Kieran Both

Rubrika “Çeshtje të Emigracionit”: Avokati Kieran Both u përgjigjet pyetjeve të lexuesve

 

Një lexues na shkruan :

Kohët e fundit u bëra shtetas amerikan. Dokumentat që kam dërguar  në emigracion për bashkim familjar me prindërit e mi, u miratuan.  Qendra Kombëtare e Vizave të Shteteve të Bashkuara më dërgoi një letër ku më njofton që  mund të fillojmë procesin e vizave. Por një nga dokumentet që duhet të paraqes është deklarata e sponsorit. Gjithashtu duhet të paraqes një vërtetim për të ardhurat e mia. Problemi është se unë nuk kam shumë të ardhura dhe  jam i shqetësuar se  mos prindërit e nuk do t’i marrin  dot vizat. Një miku im këtu që ka të ardhura më të mira se unë, është i gatshëm të më ndihmojë. Çfarë mund të bëj?

BD

Englewood, NJ

 

Juve u kërkohet të dorëzoni “ Affidavit of Support (Form I-864).  Kjo ka për qëllim të  vërtetojë që emigranti(emigrantët) aty ku do të vijnë, duhet të kenë të ardhura të mjaftushme për të jetuar e të mos bëhen barrë publike, dmth të mos mbahen me assistencë  nga shteti amerikan.

Plotësimi dhe firmosja e formularit të caktuar (Form I-864) ju bën juve sponsor të prindërve tuaj.  Çdo sponsor duhet të tregojë që  ai ka të ardhura të mjaftushme, duke iu referuar gjithnjë udhëzimeve mbi kufirin e varfërisë federale.

Të ardhurat e sponsorit duhet të jenë të barabarta ose të tejkalojnë 125 përqind të kufirit federal të varfërisë në raport  me madhësinë e familjes, e cila përfshin aplikantin, të gjithë personat që banojne me të, plus çdo emigrant tjetër për të cilin ai ka bërë kërkesë. Duke supozuar që ju banoni vetëm dhe nuk keni vartës të tjerë të sponsorizuar më parë, atëherë madhësia e familjes tuaj konsiderohet të jetë tre (3). Ky numër përfshin ju dhe prindërit tuaj. Kërkesa minimale e të ardhurave (125% e kufirit të varfërisë) për një familje prej tre vetësh është 25,525 dollarë (shih udhëzimet për vitin 2017 për  I-864P).

Nëse nuk fitoni mjaftueshëm për të arritur kërkesat minimale të të ardhurave, plotësoni deklaratën e sponsorit duke shtuar aty  edhe asete të tjera. Mund të përfshihen vetëm ato që mund të konvertohen në të holla brenda një viti dhe pa ndonjë vështirësi të konsiderueshme, apo humbje financiare për ju. Ju do të duhet të bëni edhe  një përshkrim të pasurisë, si dëshmi të pronësisë.

Nëse ende nuk kualifikoheni, atëherë mund t’u vijë në ndihmë një sponsor i dytë i cili mund të paraqesë një deklaratë shtesë për mbështetje financiare. Sponsorët e përbashkët me aplikantin duhet të jenë shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm të ligjshëm mbi moshën 18 vjeç dhe që jetojnë në SHBA. Një sponsor i përbashkët nuk është e nevojshme të ketë lidhje gjinore me sponsorin e parë.

Sponsor i përbashkët do t’i nënshtrohet të njëjtave kërkesa për të ardhurat si sponzori primar, bazuar në të ardhurat dhe pasuritë e familjes së tij / saj/. Duke paraqitur një formular të veçantë I-864, sponsori i përbashkët pranon përgjegjësinë për emigrantin/emigrantët/ deri sa ata të bëhen shtetas amerikanë, të mbushin 40 kredite  pune, ose të punojnë  për 10 vjet. Çdo sponsor bie dakord, duke nënshkruar deklaratën e sponsorizimit, që ai / ajo/ do të mbështesë emigrantin dhe do të rimbursojë qeverinë amerikane ose agjencinë përkatëse për përfitime të caktuara publike që mund t’u ofrohen . Kjo është një kontratë e detyrueshme, dhe çdo person që synon të nënshkruajë deklaratën financiare si sponsor, duhet ta kuptojë plotësisht natyrën e këtij detyrimi dhe kohëzgjatjen e tij.

Nëse sponsori i përbashkët jeton vetëm, pa asnjë të varur prej tij, dhe fiton të paktën 25,525, ai ka të drejtë të dorëzojë Formularin I-864.

Sponzorët mund të mbahen  të përgjegjshëm financiarisht, nëse emigrantët marrin disa lloje të përfitimeve të qeverisë. Dorëzimi i I-864 mund ta bëjë imigrantin e sponsorizuar të paligjshëm për përfitime publike të caktuara federale, shtetërore ose lokale. Ka një test në këto raste  që përcakton nëse një individ ose familje ka të drejtën për ndihmë qeveritare. Nëse emigranti merr një nga përfitimet publike federale, shtetërore ose lokale të testuara , agjencia që ofron përfitimin mund të kërkojë që sponzoruesi të shlyejë koston e tij. Përveç kësaj, ajo agjenci mund të hedhë në gjyq sponsorin nëse kostoja e përfitimeve të ofruara nuk paguhet.

Sponsorizimi i një emigranti për të jetuar në SHBA është një detyrim i vazhdueshëm ligjor që nuk duhet të merret lehtë. Ne sugjerojmë që të kërkoni këshillën e avokatit para nënshkrimit të një dokumenti të tillë. Është një angazhim shumë i rëndësishëm financiar.

Ka shumë çështje të tjera që lidhen me kërkesat për bashkim familjar dhe sponsorin, që aplikantët potencialë mund të kenë nevojë të dinë. Disa nga këto çështje do të trajtohen në numrat  e ardhshme të kësaj rubrike. Çdo rast është unik, ndaj dhe aplikantët duhet të shpjegojnë të gjitha faktet tek avokati para se të paraqesin aplikimin në Emigracion. Nëse lexuesit tanë dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth sponsorizimit, ju lutem vizitoni faqen e internetit të USCIS në www.uscis.gov

Qëllimi ynë është të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe veçanërisht emigrantët me informacion për t’i aftësuar të kërkojnë ndihmë në mënyrë të pavarur. Ju falënderojmë për pyetjet që na drejtoni. Ne do të përpiqemi t’u përgjigjemi sa më shumë prej tyre në të ardhmen. Ju ftojmë të na i adresoni  ato në adresën tonë të e-mailit [email protected]    

Comment

*