ÇNJOHJET E KOSOVËS: Gjakftohtësia e frikshme e përgjegjësve të papërgjegjshëm

Muhamet Hamiti

Po vazhdon procesi i çnjohjeve të Kosovës. Mediat serbe sot njoftuan për çnjohjen e Republikës së Kosovës nga Madagaskari; e dymbëdhjeta, thonë ata. (Po e zëmë se kjo nuk ka ndodhur; s’duam t’u besojmë as Qeverisë as mediave serbe. Mirëpo të tjera kanë ndodhur, siç dihet tashmë.) Ministria e Jashtme e Kosovës besoj do të ketë përgjigjen e gatshme: nuk kanë marrë informatë për këtë. Po ta kërkojnë edhe e marrin. Besojnë se duke mos e pranuar mohohet realiteti.

Procesi alarmant i çnjohjeve po përcillet me një gjakftohtësi të frikshme nga përgjegjësit e papërgjegjshëm, në radhë të parë nga Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli. I patrazuar duket të jetë biznesmeni Pacolli. Sikur kjo të mos kishte të bënte me Kosovën, lëre më me fushën e tij të veprimtarisë si Ministër. Me këtë shpengim do të donte ai të qeveriste krejt Kosovën. E ka thënë vetë se do të donte (e ‘ka ëndërr’ bile, siç është shprehur) ta qeveriste vendin tonë bile nja një vit. Padyshim dështimet e tij do të ishin në përpjestim të drejtë me dështimet aktuale si Ministër e Zëvendëskryeministër.

Sigurisht nuk është fajtori kryesor Pacolli. Më shumë ata që e kanë vënë në detyrë.

Çnjohjet po duket të jenë rezultat i bisedave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për Kosovën, që, siç e ka thënë vetë Presidenti Hashim Thaçi, do të mund të përfshinin korrigjim kufiri (të tjerët thonë shkëmbim territoresh me Serbinë), por edhe biseda për çështje të brendshme të Kosovës. “Janë gjëra që do të diskutohen; qoftë për të zhdukurit, qoftë për të zhvendosurit, qoftë për pronat, qoftë për të drejtat e Kishës Ortodokse serbe, për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, për procesin e normalizimit dhe të pajtimit me vendeve tona, për edukimin, për shëndetësinë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 28 nëntor 2018.

Politika agresive e Serbisë për çnjohje të Kosovës ka marrë hov mbasi trashëgimtarët e Millosheviqit në Qeverinë serbe (Presidenti Vuçiq dhe Ministri i Jashtëm Daçiq kanë qenë ministra në kabinetin e tij të luftës më 1999) ia kanë dalë të bindin jo vetëm faktorë të jashtëm, por edhe të brendshëm, në Kosovë, se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me pavarësi e terrritor të njohur tash e një dekadë nuk është punë e kryer.

Është koha që populli i Kosovës me proces demokratik të çnjohë udhëheqësit që e kanë katandisur vendin tonë kaq keq.

 

(Autori është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës. Ai ka qenë këshilltar i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe i Presidentit Fatmir Sejdiu. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë ambasador i pari Republikës së Kosovës në Mretërinë e Bashkuar)

Comment

*