CNN: “Kur Kelmendi lufton, i gjithë kombi qohet në këmbë”

CNN ka publikuar një artikull për sportin e xhudos, që në shumë vende është më shumë se sport, është vet mënyra e jetës.

Me titullin “Sporti takon filozofinë – çfarë mund të na mësojë xhudo për jetën”, CNN ka publikuar deklarata të xhudistëve që flasin se çfarë e bën xhudon sport të veçantë.

Në mesin e tyre është edhe ylli kosovar, Majlinda Kelmendi, që tashmë është një ikonë e sportit në Kosovë, me sukseset kulminante të saj në këtë sport.

“Kur Kelmendi lufton, i gjithë kombi qohet në këmbë. 26 vjeçarja është më shumë se një xhudiste e talentuar, ajo është ikona më e madhe e Kosovës në sport. Fytyra e saj zbukuron gjithë ‘billbordët’ në qytetin e saj të lindjes, Pejë, ku bashkëvendësit e saj flasin me tonë të qetë për kampionin e parë Olimpike. Trashëgimia e saj është e pagabueshme, me gjeneratën e re të yjeve kosovarë që ndjekin rrugën e saj”, shkruan CNN për Majlinda Kelmendin.

Kurse Kelmendi për CNN në prag të Lojërave Olimpike në Rio 2016 kishte deklaruar se përmes xhudos ajo është bërë dikush, e asnjëherë nuk e ka bërë për para, por për shkak të dashurisë që ka për xhudon.

“Përmes xhudos jam bërë dikush. Nuk e bëj këtë për shkak të parave, nuk e bëj për shkak se dua të jem e famshme. Merrem me xhudo sepse e ndjej atë, e dua, më bën të ndihem mirë, më bën të ndihem speciale”, kishte deklaruar Kelmendi, transmeton Koha.net. (r.m.)

Comment

*