COVID-19: Çfarë na thonë numrat?

Dr. Pashko Camaj

Nga Dr. Pashko CAMAJ/

Ditëve të fundit, shpesh edhe në lajmet ditore të mediave të shumta, me tituj “eksklusive” dëgjojmë lidhur me ngritjen e numrit të infektuarve me Covid-19. Ndërsa ky numër rritet në pjesë të ndryshme të vendit, ose brënda ndonjë rajoni, ky numër pjesërisht reflekton përhapjen e shpejtë të Covid-19, pasi që në shumë shtete dhe territore të Shteteve të Bashkuara pandemia ka filluar më vonë, apo përhapja e virusit ka qën me a ngadalëshme. Për më tepër, numri i rastëve me Covid-19, që raportohën në ShBA, po rritet, për shkak të rritjes së testimeve laboratorike dhe të raportimeve nga i gjithë vendi. Të dhënat e hollësishme dhe të sakta do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë kahjen e pandemisë, por dhe perforcimin e përpjekjeve të parandalimit te saj. Sidoqoftë, përdorimi vetem i numrit dhe jo i ratave mund të japë një përshtypje të rrejshme, dhe kjo është ajo që shumë shpesh e hasim në media (sociale apo të tjera). Pra, kur ndëgjojmë dhe lexojmë për “numrat që rriten” kjo mundë të jetë e vërtetë, për shkak të infeksionëve të reja, por në shumë raste, është funksion i numrave të testeve që rriten, dhe me këtë, numri i te rasteve rritet. Për të ilustruar, nëse 50 nga 1000 njerëz testojnë pozitivë për Covid-19, kjo do të thotë, 5% janë të infektuar. Kjo është e njëjta si 100 nga 2,000, pra 5 përqind, edhepse numri u dyfishua nga 50 në 100. Gjithsesi, dërisa testojmë më shumë njerëz, gjejmë më shumë raste.

Provat shkencore kanë treguar që shumë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk do të pësojnë kurrëfarë simptomesh ose mund të shfaqin simptoma shumë të lehta. Por, e rëndësishme është se, edhepse mund të jenë asimptomatike, këta njerz mund të përhapin virusin te të tjerët. Natyra e saj e dyfishtë, shpesh josimptomatike, por donjëherë edhe vdekjeprurëse, e vendos Covid-19 në një kategori të rrallë midis patogjenëve të zakonshëm që prekin njerëzimin. Në një përmbledhje të fundit të botuar në “Analet e Medicines Internale” të dhënat nga 16 burime, nga gjithë bota, kanë treguar se të paktën 30, e ndoshta edhe deri në 40-45 % e njerëzve nuk tregojnë simptoma të sëmundjes. Sqarimi i mirefilltë i këtyre numrave është thelbësor ndersa luftojmë këtë virus. Përqendrimi i përpjekjeve të testimit ekskluzivisht tek ata me simptoma, siç është bërë kryesisht deri më tani, nuk është një qasje e duhur – është gabim. Organet e shëndetit publik në të gjithë vendin, dhe në të gjithë globin, duhet ta hedhin rrjetën shumë më gjerë për të kapur dhe shumë persona që janë të infektuar me Covid-19, por asimptomatikë.

Dhe pakëz rreth numrave: Deri më tani, në mbarë botë kemi rreth 7.5 milion infekcione te konfirmuare me Covid-19, me rreth 425,000 vdekje dhe 4.5 milion njerëz që janë shëruar nga sëmundja. Shkalla e fatalitetit të rasteve bazuar në këto numra është rreth 5.6 %. Por duke e ditur se mund të ketë shumë miliona njerëz që ishin infektuar por nuk u testuan kurrë, sepse ishin asimptomatikë ose testet nuk ishin të disponueshme, shkalla e fatalitetit nga kjo smundje mundë të jetë shumë më e ulët. Disa të dhëna sugjerojnë që të jetë më afër 1-2 përqind, që është akoma rreth 2-4 herë më i lartë se ai i gripit sezonal!

Më në fund, interpretimi i duhur i të dhënave dhe numrave, na jep vetëbesimin që na duhet për të marrë vendime të sakta. Njohuria se shumë njerëz që infektohen me koronavirus nuk do të pësojnë simptoma te renda, por prapë mund t’i bëjnë të tjerët të sëmurë, ndihmon orgenet e shendetit publik të marrin vendimet e duhura dhe të praktikojnë taktikat për ndjekjen, kontrollin dhe zhdukjen e këtij virusi. Shkenca ka të bëjë me sqarimin e gjërave, duke e bërë të padukshmën të dukëshme. Shkenca na ka treguar që të mbash një distancë të mirë nga të tjerët në vënde publike, apo të mbash maskë ose mbulesë të fytyrës, te mbash higjenë të mirë të duarve, etjera, mbetet thelbësore në parandalimin e infeksioneve të reja. Supozimet në përgjithësi nuk janë të mira, veçanërisht në shkencë. Por në këtë rast, për të mbrojtur të tjerët është më mirë të supozoni dhe të silleni sikur të jeni të infektuar – derisa të vijë dita, shpresojmë së shpejti, kur të mund të deklarojmë se pandemia e covid-19 ka përfunduar!

 

(Botuar fillimisht në gazetën “Dielli”.)

Comment

*