Daçiq: Millosheviqin e vranë në Hagë

Beograd, 25 shtator 2017 – Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, (Socialisticka Partija Srbije – SPS), Ivica Daçiq, tani ministër i Jashtëm i Serbisë, e ka madhuar figurën e ish-Presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit të Tribunalit të Hagës, ku po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci.

17 vjet pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti, Daçiq thotë se Opozita Demokratike e Serbisë (Demokratska Opozicija Srbije – DOS) nuk i kishte fituar zgjedhjet e 24 shtatorit të vitit 2000, të cilat ishin kthesë për Serbinë.

“Është me rëndësi të thuhet se ai nuk ka humbur në zgjedhje, sepse Koshtunica (Vojislav Koshtunica, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë që e përbëntë strumbullarin e DOS-it)  nuk ka pasur më shumë se 50 qind të votave, por pas 5 tetorit, Komisioni Zgjedhor, me presione, i anuloi zgjedhjet në Kosovë. Kështu, Koshtunica mezi i mori pak mbi 50 për qind të votave. Thjeshtë, ata nuk deshën ose nuk guxuan të shkonin në xhiron e dytë. Ky ka qenë aksion i menduar që më parë. Se a do të fitonte Slloba në xhiron e dytë, mbetet pikëpyetje, por ai nuk kishte humbur në xhiron e parë”, ka thënë Daçiq, në një intervistë për gazetën beogradase “Kurir”.

Daçiq, i cili ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit, ka thënë se “historia ka për të treguar se DOS nuk i arrinte Millosheviqit as deri as te gjunjët”.

Shefi i diplomacisë serbe, i cili ishte bashkëpunëtor shumë i afërt Millosheviqit, ka thënë se Serbia nuk u sulmua për shkak të Millosheviqit.

“Mendoj se tash është e qartë se, edhe përkundër gabimeve që kishte bërë, Millosheviq nuk ka qenë arsye për t’u sulmuar Serbia. Pasi që edhe tash kemi tema e presione të tilla. Por, atëherë mendohej se është i nevojshëm eliminimi i Millosheviqit dhe se pas kësaj çdo gjë do të ishte super. U dëshmua se ky ishte mashtrim i madh, u lëshua rasti për përparim të Serbisë dhe u tradhtuan pritjet e qindra mijëra të njerëzve të rinj që kishin besuar në to”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se ish-shefi i tij, Millosheviqi, është vrarë në Hagë, më 11 mars 2006, dhe se për këtë ai do të dëshmojë dhe do të hakmerret.

“Është tragjedi e madhe që kryetari i një vendi iu dorëzua Tirbunalit të Hagës dhe kjo ndodhi në Ditën e Vidovdanit. Kjo do të mbetet e shënuar në historinë tonë. Nuk është tragjedi pse ai u rrëzua nga pushteti, ndoshta kjo ishte edhe e dobishme, por gjykimi i tij ka qenë gjykim i Serbisë dhe i popullit serb. Dhe nuk mundën ta gjykojnë. Kjo është më e rëndësishmja. Prandaj e mbytën me ilaçe të këqija. Për këtë ka dëshmi”, ka thënë Daçiq.

Në pyetjen se a mund të kërkohet drejtësi dhe se a ka dëshmi për vrasjen e Millosheviqit, Daçiq ka thënë:

“Tani është vonë, por ndoshta është dashur… Por jo pushteti, veçse mbrojtësit e tij juridikë. Kam folur për këtë shumë herë dhe do t’ua lë këtë çështje avokatëve se çfarë mund të bëhet”, ka thënë ai.

Daçiq ka zbuluar se Millosheviqit, kur ra nga pushteti, në vitin 2000, DOS-i ia kishte dhënë rastin të shkonte e të strehohej në Rusi, por ai nuk kishte pranuar.

“Përfaqësues të DOS-it i ofruan të shkonte në Rusi, por ai nuk deshi. Nuk deshi të ikte nga atdheu”, ka thënë Daçiq. (r.m.)

Comment

*