Daçiqi: Arrestimi i zyrtarëve të Kryqit të Kuq – presion ndaj serbëve të Kosovës

Beograd, 14 shtator 2017 – Ministri i Puëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka rreaguar lidhur me bastisjen e zyrave të Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë dhe arrestimin e disa prej sekretarëve të këtyre zyrave që veprojnë nën petkun e aktiviteteve humanitare.

Daçiq i ka akuzuar autoritetet e Kosovës se në këtë mënyrë po ushtrojnë presion ndaj serbëve të Kosovës.

“Shihni deri ku kemi arritur, kur edhe Kryqi i Kuq konsiderohet organizatë armiqësore”, ka thënë ai për televizionin publik të Serbisë.

Ai ka thënë se më këto veprime Prishtina po ua bën të qartë serbëve të Kosovës se “mund të ndiqen dhe akuzon për të gjithçka dhe për çkado”.

“Kjo është një mënyrë e frikësimit të serbëve dhe mesazh se ata mund të akuzohen për gjithçka dhe çkado. Duhet të jemi të gatshëm dhe të kemi ekipe ligjore që do të luftojnë dhe mbështesin qytetarët tanë që jetojnë atje”, tha ai për Radio Televizionin e Serbisë.

Sipas tij, për këtë akt të Policisë së Kosovës është “hidhëruar” edhe bashkësia ndërkombëtare, prandaj ka reaguar ashpër kundër kërkesës për përfundimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Shefi i diplomacisë serbe ka paralajmëruar edhe reagimin e ashpër të Beogradit lidhur me arrestimin e zyrtarëve të Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë.

“Çfarë të bëjmë? Të duartrokasim dhe të vështrojmë se si vendet tjera po e pranojnë Kosovën”?, ka pyetur ai.

Daçiq i është kthyer edhe një herë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë, në vitin 1999.

“Perëndimi e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e bombarduar vendin tonë dhe e ka shkëputur një pjesë të territorit tonë”, është shprehur ai.

Daçiqi e ka krahasuar Serbinë me Vijetnamin.

“Kur vini prej atje (Vijetnamit) atëherë e shihni se çfarë do të thotë shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Kur Serbisë i shihet diçka për të madhe, thuhet gjithashtu se në Vijetnam nuk ka pasur përgjegjësi komanduese dhe se niveli më i lartë që ka dhënë përgjegjësi ka qenë rreshteri”, është shprehur ai.

Daçiqi e ka quajtur Serbinë viktimë të mosmarrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë. (r.m.)

Comment

*