Dade: Mazhoranca duhet të kërkojë largimin e Ramës

Tiranë, 17 prill 2019 – Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Arta Dade, ka thënë se mazhoranca duhet të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama, për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Por, zgjidhjen e kësaj krize ka thënë se nuk e sheh të afërt.

“Nuk e shikoj të afërt zgjidhjen e krizës politike, për arsye se mungon vullneti politik. Është mazhoranca ajo që më së pari duhet të kërkojë zgjidhje të krizë politike, sepse ajo nuk po qeveris. Kemi një mazhorancë monopartiake tashmë dhe një nga sugjerimet që unë kam muaj që po e them është që mazhoranca duhet ta zgjidhë këtë problem duke kërkuar që kryeministri të largohet, të vendoset një kryeministër tjetër që duhet të jetë më i pranueshëm dhe që nuk mbart përgjegjësi kaq të mëdha mbi veten. Sepse, dihet që kemi një mazhorancë që është kapur në skandale, të cilat do të duhen kohë që të zgjidhen”, është shprehur Dade për TvOra News.

Dade ka thënë se shumë nga institucionet më të rëndësishme të shtetit nuk janë funksionale ose janë të kapura nga krimi e korrupsioni.

“Është shqetësuese që ka segmente shumë të rëndësishme të shtetit që nuk po funksionojnë. Pra, kam parasysh pushtetin gjyqësor, por mbi të gjitha Gjykatën Kushtetuese që ka kohë që nuk funksionin. Kam parasysh edhe Parlamentin, i cili nuk punon në kapacitetin dhe në formatin e tij të zakontë, me aktin e djegies së mandateve nga ana e opozitës, që është një gjë e paprecedent, që në fakt e dëmton shumë rëndë funksionimin e parlamentit, e dëmton shumë rëndë demokracinë por e dëmton shumë rëndë edhe vetë opozitën… Kemi një sërë institucionesh që nuk po funksionojnë. Është cenuar siguria në mënyrë serioze në vend dhe unë besoj se segmente shumë të rëndësishme të shtetit, si ekzekutivi, janë kapur nga korrupsioni. Kemi një rezultat të munguar në luftën kunër krimit të organizuar. Në këtë kuptim kemi një funksionim normal të shtetit”, është shprehur Arta Dade. (r.m.)

Comment

*