De Biasi: Ne jemi fajtorë për humbjen nga Izreali, jo policia

Tiranë, 21 nëntor 2016 – Trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë në futboll, Gianni De Biasi, i ka hedhur poshtë vlerësimet se atmosfera e krijuar nga policia në ndeshjen me Izraelin ka ndikuar negativisht te lojtarët dhe kjo ka çuar te humbja e ndeshjes.

“Jooo, këto janë budallallëqe. Policia ishte për ne siç ishte edhe për ata. Nuk ndryshon asgjë. Të mos fshihemi pas gishtit. Ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol të parë që mund ta evitonim. Mund ta evitonim aksionin prerj të cilit erdhi goli, nga një top i gjatë 50 metra që nuk bën të kalojë kurrsesi ashtu”, ka thënë De Biasi, në një intervistë për Top Channel.

Megjithkëtë, ai u ka dhënë të drejtë tifozëve “Kuq e Zi”, të cilët janë hidhëruar për masat e sigurisë të marra nga policia, të cilat i kanë cilësuar si ekstreme. Njëkohësisht, ai ka shfaqur shpresën se tifozët do ta vazhdojnë mbështetjen e ekipit të tyre të zemrës.

“Unë e mbështes tifozerinë për problemet që ata kane, sepse unë mendoj qe tifozët tanë janë shumë të veçante. Por, duhet të kuptojnë që ndeshja me Izraelin kishte një specifikë të veçantë, sepse ishte një shënjestër e akteve terroriste. Shpresoj që në ndeshje të tjera të mos ketë aq shumë kontrolle persekutuese që janë kundër frymë së sportit”, është shprehur De Biasi. (r.m.)

Comment

*