Debat i nxehtë mes Konjufcës e Krasniqit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Prishtinë, 1 qershor 2018 – Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqim, dhe ai i grupoit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, zhvilluan replikë me tone të larta në Kuvendin e Kosovës, gjatë debatiti lidhur me Raportin e Progresit për Kosovën, raporton Kallxo.com.

Gjatë debatit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, doli me disa rekomandime dhe disa pika të cilat lidhen me raportin. Ajo tha se pas debatit të zhvilluar më 20 prill, së bashku me LDK-në, kishin arritur të harmonizojnë qëndrimet në lidhje me rekomandimet për të njëjtën pikë.

Memli Krasniqi reagoi pas diskutimit të deputetes Pacolli. Ai tha se deklarata e saj se vetëm me LDK-në kanë arritur harmonizim e me të tjera subjekte politike jo është manipulim.

“Fitore Pacolli manipuloi, kur tha që nuk e kemi arritur harmonizimin. Harmonizimi është arritur dje, por mashtrimi është bërë më vonë. Pasi që janë pajtuar përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare për disa prej këtyre pikave, këta, në mënyrë të një anshme, kanë ardhë edhe janë munduar ta imponojnë këtë rezolutë, qysh e kanë bërë marrëveshjen me LDK-në edhe PSD-në është për t’u habitur”, tha Krasniqi.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se propozimet që i paraqiti Pacolli në lidhje me Raportin e Progresit ishin të mira dhe theksoi se Memli Krasniqin “po e prek” pika për konfiskim të pasurisë së paligjshme.

“Këto 10 propozime që janë të mira, duken të mira. duke i lexuar edhe një herë, m’u duk që tash e mora vesh ku është problemi. Më duket që është te pika 4, te ligji anti- mafia, me sjellë një vendim për  konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Po më duket që kjo po e prek dikë, dikë që më duket Memlit i ka rënë hise me mbrojtë e po shkakton probleme kjo pikë. Të gjitha më duken pika të mira. P.sh, një strategji shtetërore për integrime evropiane, t’i adresojmë në raport të progresit, se dikujt i pengojnë këto, edhepse janë qëllime ogurzezë të Lëvizjes Vetëvendosje. Përnjëmend, nuk po mund ta kuptoj. Duhet të na tregojnë më saktë ku e kanë problemin këta, sepse Fitorja e sqaroi që ato dallime për të cilat po çojnë shumë pluhur nuk janë esenciale. Lexoni edhe një herë edhe do të bindeni që janë shumë të mira për Kosovën, nuk janë për kurrfarë përfitimi të Lëvizjes Vetëvendosje. Ju e keni vërejtur se qe 4 vite po na vijnë raportet e njëjta të Progresit. A e keni parë, si ta çelni faqen e parë shkruan ‘administrata e politizuar’, ‘gjyqësori i influencuar’… E kështu s’mund të kemi liberalizim të vizave”, tha Konjufca.

Krasniqi iu kundërpërgjigj Konjufcës duke i thënë se ai “shpërthen ndaj pafytyrësisë dhe dyfytyrësisë”, duke iu referuar disa përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Glauk Konjufca, kur shpërthej, shpërthej veç para dyfytyrësisë edhe pafytyrësisë. Reagimi im ishte për dyfytyrësisë dhe paftyrësisë së përfaqësuesve tuaj në këtë çështje. E dyta, mos manipulo se nuk të beson kërkush kur thua çka ka ky e çka ka ai. Këto janë pjesë e programit të Qeverisë, e rregullon Qeveria. Nuk ju ka mbetur juve të bëni propozime të tilla, të paktën, jo në këtë kohë. Po ashtu, më 12 qershor, jo pas 6 muajsh por më 12 qershor, votohet Ligji për Konfiskimin e Pasurisë. Krejt kush e ka mizën mbas veshi le të shtrëngohet. Do të sillet në Kuvend edhe do të votohet. Ai ministri para teje (Abelard Tahiri), më 12 qershor, do ta sjellë në Kuvend edhe do ta votojë”, u shpreh Krasniqi.

Glauk Konjufca u kundërpërgjigj edhe një Krasniqit duke thënë se në një raport të Bashkimit Europian shkruan se më se 90 për qind e pasurisë së paligjshme nuk konfiskohet në Kosovë. (r.m.)

Comment

*