Debat për kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Prishtinë, 16 maj 2018 – Ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe u takua sot në Mitrovicë me dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit paralel të Prishtinës, në Mitrovicën Veriore, Vladan Mihajloviq, dhe me një ekip ekspertësh ligjorë, të deleguar nga komunat veriore, me qëllim të mbështetjes së punës së këtij ekipi.

Në takim u fol për strukturën dhe përmbajtjen e projekt-statutit të Asociacionit të komunave serbe dhe shumë aspekte të tjera ligjore rreth hartimit të këtij dokumenti.

Përfaqësuesit e ekipit menaxhues bënë të ditur se këtë mandat e kanë marrë nga Bashkimi Evropian dhe se fushëveprimi i këtij ekipi është përcaktuar me marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të Brukselit.

Në komunikatë thuhet se gjatë debatit u theksua se për krijimin e një baze të qëndrueshme ligjore për funksionimin e Asociacionit të komunave serbe në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

Gjatë debatit u tha se askush nuk ka mandat të kontrollojë ose të drejtojë punën e ekipit menaxhues.

Ky ekip do të vazhdojë të zhvillojë takime të rregullta konsultative me ekspertë të fushave të ndryshme lidhur me kompetencat e ardhshme të Asociacionit të komunave serbe. (r.m.)

Comment

*