Debati për koncesionet, Rama-PD: Laboratorët e analizave të kohës së qepë, jeni parti kaçkavalli

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës në lidhje veçanërisht me koncesionet në shëndetësi, duke theksuar se shërbimet do të jenë më të mira fal investimeve të privatëve ndërsa qytetarët nuk paguajnë. Ai përmendi disa koncesionet të dhëna nga qeveria e PD-së që sipas tij, nuk kanë sjell asnjë shërbim të përmirësuar.

Rama: Nuk kemi dhënë koncesione ku futen duart në xhepin e qytetarëve. Pse jepen koncesionet? Po heq koncesionet në energji. Koncesionet profesor, shteti në rastin e shërbimeve i jep për të dhënë një shërbim më të mirë për qytetarët. Thërret privatin dhe i thotë unë nuk i kam këto para që t’u shërbej më mirë dhe nuk i kam paratë. Ti bëj investimet, unë të japë paratë në vijim. Çfarë përmirësimi i shërbimit u bë në portin e Durrësit? Asnjë ndryshim në cilësinë e shërbimit. Privati ku i merr paratë? Shfrytëzon shtetin për të marrë paratë nga çdo qytetar që i del përpara.

Vijmë tek skanimi. Çfarë fitoi qytetari? 40 euro jo për kamion, por për faturë dhe u detyruam unë me Nasipin (Nasip Naço) që të ndërhynim për të shpëtuar industrinë fason që u kërcënua nga falimentimi për shkak të tarifës së koncesionit. Çfarë investimi bëri? Qesharak. Vijmë tek koncesioni i famshëm, aty ishim në një mendje me Nasipin pastaj ndryshoi rrugës. OK. Shteti nuk e bënte dot.

Morëm një privat dhe ky privati jo vetëm që nuk ka përmirësuar shërbimin, por çdo kush që ka një makinë shkon atje të bëjë kontrollin, duhet të rrijë në radhë të gjatë dhe në fund fare paguan më shumë se ç’paguante kur e bënte shteti. Kjo është filozofia juaj e koncesioneve. Vijmë tek koncesionet në shëndetësi se aty e keni merakun. Afro 50 mijë njerëz që hynë në sallën e operacioneve dhe që kërcënoheshin nga instrumente të kohës së shokut Enver. Ne i kemi thënë privatit investo që ta kemi këtë shërbim sot se nuk e bëjmë dot që të paguajmë në vite. Kush fiton këtu? Fiton çdo shqiptar që nuk rrezikohet të infektohet nga gërshërët e ndryshkura të kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, sepse instrumentet e reja vijnë nga Gjermania. Dritani e di këtë punë, por këtu thotë të kundërtën.

Ju thoni që shqiptarët, kontrollin mjekësor ta kishin me lekë. Ne themi duhet ta kenë falas. Vërtetë ne kemi ftuar një privat që të investojë gjithë infrastrukturën. Pas disa kohësh, të gjitha këto investime i mbeten shtetit. Gjithë infrastruktura e instrumenteve mjekësor, infrastruktura e homodializës i mbeten shteti. Ju që i thoni vetes parti e djathtë, jeni parti e djathit, kaçkavall të mbetur pa shitur. S’keni lidhje ju me parti të djathtë.

Laboratorët e analizave janë të kohës së qepës, pyetni Dashin se nuk është këtu. Pyetni Dashin që e shuante me raki. Dhe sot do të kemi laboratorë modernë dhe për të cilat shqiptarët nuk do të paguajnë asnjë qindarkë më shumë.OraNews

###

Fjala:

 

Sot, qeveria paraqet në Kuvend një dokument, në këndvështrimin tonë, me rëndësi të posaçme, që shënon edhe hapin e parë të një mandati të ri, i cili do të fokusohet i tëri tek shtetbërja, punësimi dhe mirëqenia.

 

Dokumenti i projektbuxhetit nis me premisën tejet inkurajuese se ekonomia shqiptare rritet në mënyrë të qëndrueshme. Gjatë tre mujorit të dytë të këtij vitit prekëm kufirin e 4% dhe ashtu siç konfirmojnë të gjitha të dhënat e besueshme, duke filluar nga ato të Bankës së  Shqipërisë,  por edhe të dhënat e institucioneve të tjera financiare, kemi një gjallërim të ndjeshëm të kërkesës së brendshme private. Këtu besoj se vlen të nënvizohet rritja reale e konsumit në gjysmën e parë të vitit që po mbyllim, e cila vijoi në trendin pozitiv të rritjes reale mesatare të vitit të shkuar.

 

Po ashtu i ndjeshëm është edhe përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare. Eksportet, gjatë 8 mujorit të këtij viti rezultojnë me një rritje afro 13%. Nga ana tjetër, edhe importet rezultojnë me një rritje mbi 6.3%.

 

Rritja e shpenzimeve publike, investimet, në gjysmën e parë të këtij viti u rriten me afro 13%. Edhe investimet e huaja direkte, në tremujorin e parë të vitit kanë shënuar një rritje pozitive  prej 18%, krahasuar me një vit më parë.

 

Më vjen vërtetë mirë të ndaj me ju, rezultatet e anketës të forcave të punës, ku vihet re një rritje e punësimit në gjysmën e parë të vitit me 3.15%, përkundrejt gjysmës së parë të një viti më parë. Shkalla e papunësisë vijon në trendin e saj rënës dhe treguesi i ndjesisë ekonomike ka një rritje po ashtu inkurajuese dhe një përmirësim të ndjeshëm, në raport me tremujorin e tretë të një viti më parë, me afro 9 pikë përqindje. Niveli aktual i treguesit të ndjesisë ekonomike qëndron afro 14 pikë mbi mesataren afatgjatë dhe 17 pikë mbi mesataren e 6 viteve të fundit.

 

Është e rëndësishme të nënvizohet se sikundër po verifikohet nga shifrat e këtij viti, buxheti është ndërtuar i tëri me një përgjegjësi dhe realizëm, që ka karakterizuar për hir të së vërtetës edhe buxhetin e këtij viti, mjafton të shohim të ardhurat nga tatimet dhe doganat që kanë njohur një rritje prej afro 7%, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa  të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur me 10% .

Ndërkohë që në tërësinë e vet, rritja reale ekonomike pritet të jetë 3.9-4% e gjithë vitit mbi parashikimin fillestar të kryer një vit më parë.

 

Është fakt se Shqipëria, sipas  të gjithave të dhënave të institucioneve financiare ndërkombëtare, ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Këtë e thotë edhe BE që e vlerëson vendin tonë në konstatimin e vet për konsolidimin e financave dhe uljen e borxhit.

 

Thënë të gjitha këto, dëshiroj të nënvizoj për të gjithë ata që na ndjekin se për ne, këto shifra nuk duan të thonë aspak se njerëzit duhet të ngrihen në këmbë dhe të duartrokasin qeverinë, apo duhet të ndihen të lumtur. Ne nuk jemi aspak të lumtur, për shkak se duam shumë më tepër dhe jam i bindur që me dokumentin e projektbuxhetit të vitit 2018, ne vendosim një bazë të re për të bërë shumë më tepër. E faktikisht e tregon këtë në krye të herës, shifra e rritjes së të ardhurave në buxhetin e vitit 2018, e cila kap nivelin 28.1% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

 

Përveç investimeve më të larta publike, buxheti do të financojë njëkohësisht edhe një ulje të mëtejshme të nivelit të borxhit publik. Vitin e ardhshëm, trendi rënës i borxhit publik do të vazhdojë të theksohet duke u reduktuar në 2.5%.

 

Nga ana tjetër, paketa fiskale e vitit të ardhshëm, përmes reduktimit të pragut të TVSH-së në vetëm 2 milionë lekë, do të nxisë formalizmin e gjithanshëm të ekonomisë, me një kosto të papërfillshme në raport me gjithçka është thënë për biznesin e vogël.

 

Një tjetër  ndryshim i rëndësishëm fiskal është mënyra e taksimit të ndërtesës, pasi kalohet nga taksa e sheshtë, në një taksë që bazohet në vlerën e pronës. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të nënvizohet iniciativa për zerimin e taksës së ndërtesës për pensionistët kryefamiljarë dhe për familjet në ndihmë ekonomike. Është një hap tjetër, që na çon më tutje në konsolidimin e politikës sonë se kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak dhe është një shembull kuptimplotë i së vërtetës se politika jonë e taksimit nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë një politikë që rëndon më të dobëtit. Përkundrazi është një politike që synon lehtësimin sistematik të atyre që kanë më pak të ardhura.

 

Njëkohësisht zgjidhim njëherë e mirë dhe një ngërç të vjetër dhe të trashëguar të sektorit të peshkimit, që lehtësohet me përjashtimin e plotë nga TVSH-ja të 52 kategorive dhe pajisjeve të mjeteve të peshkimit, çka do t’i japë kësaj industrie një frymëmarrje të re dhe do të mundësojë rritjen e mëtejshme të të ardhurave për ata që janë i janë përkushtuar këtij aktiviteti, por edhe për ekonominë kombëtare.

 

Projekti rrit të ardhurat e qeverisjes vendore dhe për herë të parë pas miratimit të ligjit të ri për financat vendore do të transferohet në nivel vendor 2% e tatimit mbi të ardhurat personale. Gjithashtu, e tërë transferta e pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, sipas këtij ligji do të jetë jo më pak se 1% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, që në vlerë nominale është rreth 3 miliardë lekë më shumë.

 

Ky është një buxhet i ndërtuar me përgjegjësi dhe me realizëm dhe një buxhet i ndërtuar për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të nxitur rritjen e mëtejshme të punësimit dhe për të garantuar instrumente më efikase në funksion të integrimit social.

 

Dua ta nënvizoj se ndihma ekonomike, e cila deri në vitin që po flasim është e ndarë në tre qarqe, ku ka hyrë në fuqi skema e re që ka sjellë dy deri në trefishimin e ndihmës dhe në 9 qarqe të tjera, ku ende ka funksionuar skema e vjetër, do të jetë e gjitha e integruar në 12 qarqe dhe rritjen për shkak të një ndryshimi të skemës do ta marrin të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, edhe në 9 qarqet e tjera të vendit.

 

Shumë e rëndësishme të nënvizohet se buxheti rrit investimet dhe ul borxhin. Në buxhet parashikohen 86 miliardë lekë investime publike dhe paralelisht financohet reduktimi i mëtejshëm i borxhit. Bëhet fjalë për një volum investimesh që pa diskutim është më i larti në historikun e financimeve publike për investimet. Dua që të mbahet parasysh se në këtë volum nuk përfshihet pjesa tjetër, që është programi “1 miliardë për  rindërtim”, i cili ka nisur të zbatohet me projektin e parë të rrugës së Arbrit, për të cilin në javët në fillim do të firmoset kontrata e parë e programit. Ndërkohë që ministria e Infrastrukturës po shqyrton edhe disa propozime të tjera, në funksion të transformimit rrënjësor të akseve kombëtare, ku sot, megjithëse kemi hedhur para pafund për shumë vite, nuk kemi asnjë rrugë kombëtare të certifikueshme me standardet e sigurisë dhe të lëvizshmërisë së Bashkimit Europian.

 

Ambicia është që në 4 vitet e ardhshme, të gjitha rrugët kombëtare të vendit të jenë të certifikueshme me standardet e sigurisë dhe lëvizshmërisë së BE-së dhe pa diskutim që ky financim masiv do të sjellë edhe një rritje ekstra të punësimit dhe të të ardhurave të njerëzve që në këtë vend jetojnë dhe duan të jetojnë me punë.

 

Buxheti ka një rritje të ndjeshme për arsimin dhe shëndetësinë, dy sektorë që do të njohin një fluks investimesh që nuk e kanë pasur më parë. Buxheti i arsimit është 10% më i lartë, krahasuar me buxhetin e këtij viti, ndërsa ai i shëndetësisë është 5% më i lartë.

 

Infrastruktura do të marrë 42% më shumë investime dhe janë afro 400 milionë euro që do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe atë të ujësjellës kanalizimeve.

 

Bujqësia do të mbështetet me një paketë financiare në rritje dhe faktikisht 15% më të lartë se ky vit.

 

Turizmi, pas reduktimit të taksës në 6%, do të mbështetet me një paketë lehtësuese për të gjitha ato marka ndërkombëtare që do të investojnë, apo operojnë hotele me 4 ose 5 yje, për të cilat industria jonë e turizmit ka një nevojë alarmante, krahasuar me të gjitha vendet rreth e rrotull në vijën e Adriatikut.

 

Paralelisht me këto kemi dhe një volum të konsiderueshëm investimesh për vijimin e mëtejshëm të programit kombëtar të Rilindjes Urbane, që do të fillojë të shtrihet përtej qendrave të qyteteve në hapësirën rurale të bashkive të reja, me përparësi ato zona dhe ato destinacione ku ka potencial të zhvillimit të turizmit dhe të rritjes së punësimit përmes turizmit.

 

Buxheti garanton zbatimin e reformës në drejtësi, duke paraparë një financim të qëndrueshëm të të gjithë elementëve që kjo reformë ka domosdoshmëri dhe të institucioneve që krijohen si rezultat i reformës.

 

Po ashtu, buxheti financon me një rritje shumë të rëndësishme Policinë e Shtetit, për të çuar më tutje programin e transformimit dhe rritjes së kësaj trupe që sot ka një nevojë të konsiderueshme për të pasur në dispozicion mjete dhe instrumente, që do të forcojnë aspektin e hetimit dhe të zbulimit të krimeve, e ndjekjes dhe përballimit të rrjeteve dhe elementeve kriminalë, duke shfrytëzuar inovacionet e teknologjisë.

 

Kjo është një pamje e përgjithshme e buxhetit të vitit 2018.

 

Ka plot elementë brenda tij që detajojnë të gjithë filozofinë dhe mekanizmin e buxhetit për rritjen e mëtejshme ekonomike, për rritjen e mëtejshme të punësimit, për fuqizimin e rrjetit të solidaritetit shoqëror dhe për të forcuar më tutje procesin e bërjes së shtetit.

 

Ajo që besoj është shumë e rëndësishme të thuhet në fund është se:

 

Ky buxhet nuk rrit taksat;

 

Ky buxhet lehtëson më tutje familjet në nevojë;

 

Ky buxhet garanton që në terrenin e Shqipërisë reale të kemi transformime të rëndësishme gjatë vitit në vijim.

 

E duke qënë se sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, unë po e lë me kaq dhe nuk po ju them se pse, të gjitha ato që do të dëgjoni sapo të ulem unë, janë realisht për të qeshur dhe për të qarë.

 

Shumë faleminderit! ​

Comment

*