Deda: Çfarë duhet të bëjë Kosova që të bëhet anëtare e BE-së?

Prishtinë, 6 shkurt 2018 – Deputeti Ilir Deda vlerëson se Strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor hap mundësi që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025 dhe jo vetëm Serbia e Mali i Zi.

Por, ai thekson se të gjitha vendet duhet të bëjnë ndryshime rrënjësore, nëse duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Deda, duke folur për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës, sugjeron një listë të ndryshimeve dhe reformave që duhet të bëhen sa më shpejt. Në krye të listës ai vë “çkapjen” e shtetit, fundin e liderëve të lidhur me krimin e e organizuar e korrupsionin dhe fundin e kulturës së pandëshkueshmërisë e të kontrollit të mediave.

Postimi i plotë i deputetit Deda:

 

Nga ç’kapja në demokratizim e ndryshim rrënjësor

Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paraqet një dokument të guximshëm që i obligon 6 shtetet për ndryshime rrënjësore, NËSE duan të anëtarësohen në BE.

Viti 2025 vendoset si vit orientues për anëtarësim jo vetëm të Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe të çdo shteti tjetër të Ballkanit, NËSE vendet i zbatojnë plotësisht kushtet e përcaktuara. Në rastin e Kosovës, pritet ndër të tjera:

  1. Çkapja e shtetit, fundi i liderëve që janë të lidhur me krimin e e organizuar dhe korrupsionin; rrjedhmisht fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe fundi i kontrollit të mediave.
  2. Arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të na mundësojë – ndër të tjera – edhe integrimin në BE (lexo: heqjen e pengesës “objektive” të kundërshtimeve të shtetësisë tonë sidomos nga Spanja dhe Qipro, rrjedhimisht derë e vogël për anëtarësim të Kosovës)
  3. Demarkacioni me Serbinë (sa më parë)
  4. Bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale.
  5. Reforma të thella në fushat prioritare socio-ekonomike.

E në fund, asgjë nuk bëhet me zor. Siç edhe shkruhet në Strategji, anëtarësimi në BE është një zgjedhje.

Po të zgjidhej demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2015 apo në fillim të vitit 2016, ne sot do të udhëtonim pa viza. Po të tregohej përkushtim për përmbushjen e obligimeve të tjera ne do të ishim afër statusit të kandidatit me mundësi dhe datë të qartë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por, shkurtpamësia dhe injoranca politike na kushtoi të gjithëve me izolimin e dukshëm dhe prapambetjen kolektive.

Në vitin 2025, Kosova mund të jetë në prag të anëtarësimit në BE apo në staus quo-n e sotme, varësisht nga sjelljet e Kosovës dhe jo të BE-së. E sjelljet e Kosovës do të varen kryekëput nga vendimet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

(r.m.)

Comment

*