Deda: Deklarata e Quintit – paralajmërimi i fundit për liderët e Kosovës

Prishtinë, 4 janar 2018 – Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, vlerësoi se deklarata e sotme e shteteve të QUINT-it lidhur me përpjekjet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale duket të jetë paralajmërimi i fundit për udhëheqësit e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Deda shpreh besimin se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin “kolapsin e shtetit“ në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Postimi i plotë e Ilir Dedës:

Deklarata e shteteve të QUINT-it duket të jetë paralajmërimi i fundit për udhëheqësit e Kosovës që të heqin dorë nga theqafja dhe rruga e sfidimit më serioz të shtetësisë sonë. Me këtë bie në ujë propaganda e pushtetit se nuk do të rrezikohet marrëdhënia me shtetet kyçe të Perëndimit.

Përkundrazi, Kosova u paralajmërua sot me izolim apo, siç u tha, me “pasojat më të rënda negative … përfshirë këtu procesin e integrimit ndërkombëtar dhe Euro-Atlantik të Kosovës”.

Gjithashtu, për herë të parë u theksua vendosmëria e shteteve të Perëndimit që ta çojnë një proces deri në fund, me fjalinë “…presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni në gjykimin e krimeve të supozuara të kryera në Kosovë”.

Besoj thellë që nuk ka qytetar në Kosovë që e përkrah kolapsin e shtetit tonë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

(r.m.)

Comment

*