Deda kërkon dorëheqjen e Presidentit Thaçi

Prishtinë, 3 gusht 2018 – Partitë opozitare të Kosovës i kundërshtojnë ashpër idetë e proklamuara ditët e fundit për ndryshim të kufijve të Kosovës.

Ato e përjashtojnë  cilindo opsion që do të prekte kufijtë e jashtëm ose rendin juridik e kushtetues të vendit. Njëkohësisht, ato kundërshtojnë që Presidenti i vendit, Hashim Thaçi të ketë rol udhëheqës në dialogun me Serbinë, në Bruksel.

Ilir Deda, deputet i Alternativës që është pjesë e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes një letre të hapur, ia ka tërhequr vërejtjen Thaçit se ndryshimi i kufijve mund të shkaktoë tragjedi njerëzore. Ai ka kërkuar edhe dorëheqjen Thaçit nga pozita e Presidentit.

“Ju bëj thirrje publike që pa ekuivokë të tërhiqeni nga aventura të tilla politike dhe të jepni dorëheqje. Dorëheqja e juaj do ta shpëtonte Kosovën nga shkatërrimi, dhe juve do të ju mundësonte që të jetoni në Kosovë si një ish-udhëheqës dhe qytetar që i ka pranuar gabimet e veta, dhe është penduar për ato. Pranimi i gabimit është akt fisnikërie, ndërsa zbatimi i planeve për zhbërje të Kosovës është krim dhe tradhti”, ka shkruar Deda. (r.m.)

Comment

*