Defitici tregtar i Shqipërisë bie 5 për qind për shtatë muaj

Tiranë, 18 gusht 2018 – Instituti i Statistikave në Shqipëri ka publikuar sot të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin korrik, por edhe të dhënat për 7 muajt e këtij viti.

Sipas këtyre të dhënave, në muajin korrik 2018 eksportet e mallrave nga Shqipëria u rritën për 27 mld lekë ose 7.9 për qind më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 0.2 për qind më shumë se në muajin qershor 2018.

Ndërkaq, importet e mallrave në Shqipëri arritën vlerën 58 mld lekë, shifër kjo për 5.4 për qind më e lartë se një vit më parë dhe 6.8 për qind më e lartë se në qershor 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji ishte 31 mld lekë ose 3.3 për qind më i lartë se vitin e kaluar dhe 13.7 për qind më i lartë se në qershor 2018.

Në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16.8%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4.8%, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5.0 për qind krahasuar me vitin 2017, transmeton ATSH. (r.m.)

Comment

*