Deklarata e Mocionit të Mosbesimit ndaj Qeverisë

Prishtinë, 12 prill 2017 – Nisma për Kosovën, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Vetëvendsoje, ka iniciuar një mocion mosbesimi, përmes të cilit po pretendohet rrëzimi i qeverisë së koalicionit PDK-LDK.

Gazeta Metro ka siguruar dokumentin, i cili pritet që t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit, për procedim më pas në votim në Kuvend.

Ky mocion mosbesimi për qeverinë Mustafa, i iniciuar nga Nisma, që pritet të marr formën finale pas harmonizimit edhe me AAK dhe Vetëvendosje, në arsyetim, ka dështimin e qeverisë, siç thuhet në tekst, ndër të tjera, për të siguruar kuorumin në Kuvend për të kaluar ligjet e propozuara, pavarësisht faktit se ka pozita ka 90 deputetë.

“Ne të gjithë tashmë jemi duke e parë që kjo qeveri ka dështuar në të gjitha planet dhe programet e saj. Si pasojë e kësaj qeverisje vendi ynë tashmë një vit e gjysmë është në krizë politike. Kjo qeveri nuk arriti të adresoj dhe të zgjidhë as edhe një problem me të cilin ballafaqohet Kosova. Kemi një mosbesim dhe mosfunksionim total brenda vet kabinetit qeveritar. Të gjitha institucionet e vendit në tërsi janë jo funksionale”.

“E tërë kjo klimë më së miri po i shpërfaqet tash e sa kohë në parlament, ku ky koalicion qeverisës edhe me afro 90 deputetë të cilët i ka, qe disa herë nuk arrin që të ketë kuorum as për votimin e ligjeve të qeverisë së tyre, e po ashtu kemi edhe shumë nga deputetët e këtij koalicioni qe edhe janë deklaruar kundër vazhdimit të këtij koalicioni qeverisës”, thuhet në arsyetimin e mocionit të mosbesimit i cili do të procedohet, pasi t’i marr 40 nënshkrimet nga deputetët.

Tutje, në arsyetim, thuhet se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë, është dërgimi i vendit në zgjedhje.

“Mungesa permanente e ministrave të kësaj qeverie në seancat e parlamentit e ka ndihmuar dhe e ka thelluar jo funksionalitetitn e këtij parlamenti.E vetmja zgjidhje për të dal vendi ynë nga kjo situatë, e në të cilën edhe praktikisht të gjitha institucionet janë jo funksionale, janë zgjedhjet e lira dhe demokratike”.

“Ne grupet opozitare dhe deputetët nënshkrues ndërmarrim këtë iniciativë që t’ju mundësojmë të gjithë deputetëve të parlamentit që të shprehen përmes votës për mocionin e mosbesimit dhe kështu të dalim nga kjo situatë e krijuar, e në të cilën asgjë nuk po funksionon”.

Ndryshe, ky mocion mosbesimi për qeverinë Mustafa, mund të jetë i suksesshëm, vetëm nëse përkrahet edhe nga deputetët e partive qeveritare. Në PDK, zyrtarisht nuk janë deklaruar për këtë, por gazetametro.net, mëson se kjo parti do të përkujdeset që t’i sigurojë votat e nevojshme opozitës që nisma e saj të rezultojë me rrëzim të qeverisë, dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme. /gazetametro.net/

Comment

*