Del nga shtypi “Për në Shqipëri, Karl!” i Markshajmerit, përkthyer nga studiuesi Armand Plaka

Romani është një botim shumë cilësor i Shtëpisë Botuese UET-PRESS dhe përmban një parathënie të dedikuar nga studiuesja e mirënjohur, Prof. Dr. Nevila Nika (ish-Rektorja e UET), sikurse edhe një të tillë nga vetë autori

Vepra më e fundit e përkthyer nga studiusi, historiani, publicisti Arman Plaka “Për në Shqipëri, Karl!” është krijimtari e autorit gjerman Peter Marxheimer (Peter MarksHajmer. “Marks”-Hajmer” në lexim).

Romani është një botim shumë cilësor i Shtëpisë Botuese UET-PRESS dhe përmban një parathënie të dedikuar nga studiuesja e mirënjohur, Prof. Dr. Nevila Nika (ish-Rektorja e UET), sikurse edhe një të tillë nga vetë autori. Po ashtu, aty gjendet edhe një vlerësim nga historiani dhe albanologu gjerman, Dr. Michael Schmidt-Neke (Mikael Shmit-Neke).

Vepra relativisht voluminoze (përmban afro 500 faqe) është renditur si pjesë e kolanës prestigjoze të botimeve “Scripta Manent” të Botimeve UET-PRESS, edhe pse mund të cilësohet si “fiction historik” apo dhe “roman studimor”, pasi përmban një shtojcë burimore, sikurse dhe një fjalor toponimik dhe shpjegues për personazhet dhe fenomenet që hasen në roman.

Veç të tjerave, si përkthyes më është dashur të ndërhyj me fussnota shpjeguese, të dosmosdoshme për lexuesin shqiptar.

Vepra do të jetë e gatshme zyrtarisht përgjatë Panairit të pritshëm të librit 2020 në Tiranë dhe kushton 1.200 Lekë dhe gjendet në dy variante: Njëri me kapak e cilësi maksimale (sidoqoftë në numër të kufizuar) dhe tjetri me cilësi normale (soft cover), edhe pse të dyja ofrohen me çmim të njejtë.

Pak fjalë rreth veprës

“Si ndodhi që një princ gjerman, nga Rini, të vinte e të ulej në fronin mbretëror të Shqipërisë, siç na dëshmon viti 1914? Kjo ishte pyetja që solli dhe fillimin e ngjizjes së idesë për të shkruar këtë libër. Për t’iu përgjigjur asaj, ne dërguam Karl Rihterin si korrespondent të një gazete vjeneze në një udhëtim në kohë dhe e lamë atë të vëzhgonte në Shqipëri rrethanat dhe problemet e gjashtë muajve të mbretërisë. Gjatë aventurës së tij shqiptare ai takon edhe baroneshën pasionante, Ameli fon Godin, britaniken kurajoze, Miss Durham, sikurse dhe baronin turbullues Nopça, të tre njohës shumë të mirë të rrethanave politike në vendin e vogël buzë Adriatikut. Për ta bërë edhe më interesant misionin e tij, ai kryen edhe një intervistë me Kajzerin Gjerman, Vilhelm II në ishullin e Korfuzit ku na zbulohet me këtë rast edhe qëndrimi gjerman për “çështjen shqiptare”. Aventura personale e Karlit përzihet me atë politike të Princ Vidit si Mbret i Shqipërisë. Nuk mungojnë aty as takimet dhe rrëfimet e personazheve të rëndësishëm shqiptarë të kohës si Ekrem Bej Vlora, e Dervish Hima. Tradhtia, intrigat e diplomatëve të kohës si dhe mbërritja papritur e oshëtimave të Luftës së Parë Botërore, i ofruan këtij eksperimenti një fund më të butë.”

Rreth autorit

Klaus-Peter Müller, nën pseudonimin artistik Peter Marxheimer, ka lindur në 1950 në Stendal (RFGJ). Studioi gjeografi dhe politikë në Mynih dhe Marburg. Gjatë periudhës së studimeve, të cilat i mbylli me titullin “Doktor”, në vitet ’70 të shekullit të shkuar i lindi edhe ideja për të shkruar këtë libër, ndërsa konsumonte të parin udhëtim në një vend tepër të izoluar si Shqipëria. Vëllimi i tij në gjermanisht, botuar në vitin 2007, një “fiction” historik mbarsur me një dell të admirueshëm letrar e frymëzuar nga ngjarje reale, përbën edhe një kontribut të veçantë për përcjelljen dhe kuptimin më të mirë nga të huajt të një periudhe të trazuar të historisë së Shqipërisë.

Vlerësimi nga kritika

Nëse jeni në kërkim të një hyrje të hulumtuar në mënyrë jashtëzakonisht të përpiktë, të përcjellë lehtësisht me një gjuhë të kuptueshme për lexuesin, që lidhet me një episod veçanërisht të ndërlikuar të historisë evropiane, këtu keni gjetur librin e duhur.

Dr. Michael Schmidt-Neke, “Albanische Hefte”, shtator 2009

Comment

*